

Të dashur bashkombas të besimit Katolikë dhe Ortodoksë
Më lejoni që në emër të Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA, të familjes sime dhe në emrin tim personal t’ju uroj përzemërsisht: Gëzuar dhe Përshumëvjet Pashkët.
Mbarësi, begati, mirësi e bekime prej Zotit të gjithësisë të keni ngaherë në familjet tuaja te nderuara e të bekuara. Pashkët, ngjallja e Krishtit, festa më e madhe në besimin e Krishterë, na mbush me emocion të veçantë, gëzim, me forcë, me besim, me shpresë e ripërtëritje shpirtërore.
Ngjallja e Krishtit është festë e jetës, e dritës, e së vërtetës, e lirisë, festë e dashurisë dhe besimit. Pashka e vitit 2025 le të përcjellë për të gjithë ne më shumë dritë e optimizëm, shpresë, prosperitet, paqe dhe dashuri për çdo bashkombas ku jeton e vepron.
I madhi Zot shpërbleftë ju dhe familjet tuaja me bekim, dritë, jetë, ditë të bukura e të lumtura në jetën tuaj.
Zoti ju bekoftë të gjithëve.
Me respekt e gëzim
Kryetari i VATRËS
Dr. Elmi BERISHA