
Të nderuar bashkombas,
Të dashur vëllezër e motra vatranë,
Më lejoni që në emrin tim personal, të familjes dhe të Federatës Pan –Shqiptare të Amerikës VATRA, t’ju uroj: Gëzuar e Për shumë vjet Krishtlindjen dhe Vitin e Ri 2022. Me besimin e fortë te i madhi Zot dhe me shpresën e fuqishme në çdo zemër tuajën, përcjell për ju çdo bekim, paqe dhe mirësi. Lindja e Krishtit është një festë e madhe e cila na kujton të jemi më solidarë, më të bashkuar dhe më të dashur me njëri-tjetrin. Sot më shumë se kurrë kemi nevojë për Zotin, shpresën që nuk zhgënjen kurrë. Duke qenë te bashkuar mund të kalojmë çdo vështirësi. Vatra, në vitin e ri që po vjen, do të jetë më pranë shteteve amë Shqipërisë e Kosovës duke ndihmuar me të gjitha kapacitetet përparimin, zhvillimin e lulëzimin e shtetit e kombit tonë. Ne lutemi dhe do të punojmë për mirëqënien e çdo shqiptari kudo ku vepron, jeton e punon. Në këtë Vit të Ri uroj të kemi më shumë gëzim për të gëzuar dhe harruar çdo te keqe te vitit që po lëmë pas. Uroj të kemi më shumë shpresë për mirëqënie e zhvillim në Shqipëri, Kosovë e kudo ku gjenden bashkëatdhetarët tanë. Uroj të kemi më shumë shpresë për ditë më të lumtura, më të bëkuara e më të begata për shqiptarët në çdo cep të globit. Uroj për çdo shqiptar që të kemi sa më shumë forcë e kurajo për të vazhduar përpara në sfidat që kemi si qytetarë dhe si shtete kombëtare. Lutem, uroj dhe shpresoj për më shumë unitet mes shqiptarëve, forcave politike në Kosovë e Shqipëri dhe sigurisht për institucione që punojnë me devocion për qytetarët shqiptarë. Uroj me shpirt që të kemi marrëdhënie më të shëndosha, për solidaritet, për dashuri të pakushtëzuar, për paqe, për besim dhe lumturi në familjen e çdo shqiptari. Begatia, gëzimi, lumturia, dashuria dhe bekimi i madhit Zot mbretëroftë në çdo vatër të familjeve shqiptare.
GËZUAR
Zoti i bekoftë shqiptarët
Zoti e bekoftë Shqipërinë, Kosovën dhe Amerikën.
Më gëzim dhe nderim
Kryetari i VATRËS
Elmi BERISHA
New York, 24 Dhjetor 2021