Të nderuar bashkombas,
Të dashur vëllezër e motra vatranë,
Më lejoni që në emrin tim personal, të familjes sime, të mbarë Federatës Pan –Shqiptare të Amerikës VATRA dhe të gazetës DIELLI, t’ju uroj: Gëzuar e Përshumëvjet Krishtlindjen dhe Vitin e Ri 2025.
Zoti ju gëzoftë, Zoti ju bekoftë.
Kaluam një vit të suksesshëm me plot arritje e projekte të shkëlqyera për të ardhmen e përbashkët si Vatër e si Komb. Sot Vatra ka më shumë degë dhe më shumë anëtarë, patriotë që duan kombin, atdheun e komunitetin. Vatra sot është institucion partner me Washingtonin zyrtar. Shqipëria ka hapur kapitujt e parë të integrimit në Bashkimin Europian, Kosova po përparon dukshëm në rrugën euroatlantike, komuniteti shqiptar në Amerikë po rritet ndjeshëm si influencë e fuqi.
Këtë vit punuam fuqishëm për interesin e Kosovës, Shqipërisë, Çamërisë, Luginës së Preshevës e trojeve etnike e komunitetit tonë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Nderimi prej Vatrës i Presidentëve, Kryeministrave, Kryeparlamentarëve, Ministrave, Kryebashkiakëve, politikanëve e patriotëve nga Amerika, Shqipëria, Kosova, e trojet etnike e kthyen Vatrën në një “Seli të Shenjtë” të shqiptarizmës e kombëtarizmës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Me krenari e dinjitet, Federata Vatra vazhdon të udhëheqë proceset atdhetare, komunitare e patriotike në mërgatën e Amerikës.
Të dashur vëllezër e motra:
Përzëmërsisht dhe shpirtërisht uroj për ju e familjet tuaja çdo bekim, sukses, paqe, begati dhe mirësi në këtë Krishtlindje e Vit të Ri. Zemra na bëhet mal prej arritjeve e sukseseve të bashkatdhetarëve tanë kudo në botë.
Në këtë Vit të Ri uroj të kemi sa më shumë suksese, gëzime e realizime për të festuar bashkë e sa më shumë shpresë për mirëqënie e zhvillim si Vatër e komunitet shqiptar kudo në botë.
Begatia, gëzimi, lumturia, dashuria dhe bekimi i të madhit Zot mbretëroftë në çdo vatër të familjeve të bekuara shqiptare.
GËZUAR
Zoti i bekoftë shqiptarët, Shqipërinë, Kosovën, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, miqtë dhe aleatët e kombit tonë.
Më gëzim dhe lumturi për të gjithë ju, Flamurin, Atdheun e Kombin tonë,
Përzëmërsisht
Kryetari i VATRËS
Dr. Elmi BERISHA