Në emër të Federatës Panshqiptare e Amerikës VATRA, të familjes sime, të të gjithë vatranëve dhe shqiptaro-amerikanëve ju uroj nga zemra: Gëzuar 28 Nëntorin – festën Kombëtare të Pavarësisë së Shqipërisë dhe Flamurit tonë Kombëtar.
Kjo ditë është e shenjtë dhe e shtrenjtë për të gjithë kombin shqiptar. Është një ditë lavdie, historie, krenarie, gëzimi e galdimi për historinë tonë të lavdishme, sukseset dhe arritjet tona në 112 vite shtet.
Kjo ditë na gjen dhe më afër arritjes së aspiratave tona kombëtare: Shqipëria ka hapur kapitujt e parë të anëtarësimit në BE, Kosova lëviz e lirë në BE dhe ka shënuar progres mbresëlënës në proceset integruese dhe euroatlantike. Shqiptarët në viset etnike janë më të fortë e më të përfaqësuar se kurrë në institucionet vendimmarrëse shtetërore.
Sot përulemi me nderimin e respektin më të thellë para firmëtarëve të Pavarësisë së Shqipërisë, burrështetasve, heronjve e dëshmorëve të Atdheut për trashëgiminë shekullore kombëtare që na kanë lënë pas.
Akti sublim i pavarësisë kombëtare i udhëhequr nga Ismail Qemali, Luigj Gurakuqi, Hasan Prishtina, Isa Boletini, Mid’hat Frashëri, Dom Nikoll Kaçorri, Lef Nosi, Iljaz Vrioni, Pandeli Cale, Vehbi Dibra, Abdi Toptani, Dhimitër Berati, Thanas Floqi e shumë personalitete të kombit tonë e bënë shtetin shqiptar të lirë, të pavarur dhe sovran.
Shpallja e pavarësisë së Shqipërisë është dita më e shënuar në historinë moderne të shtetit shqiptar, ditë që na fton të punojmë fort për ta bërë atdheun tonë të bukur e të begatë.
Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra do të jetë përjetë e mot në shërbim komunitetit shqiptar, kombit shqiptar e çështjes sonë kombëtare në mërgatën shqiptare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Zoti e bekoftë Shqipërinë, Kosovën, Amerikën, miqtë e aleatët e kombit shqiptarë.
Gëzuar përjetë e mot festa e Pavarësisë së Shqipërisë dhe Flamurit tonë Kombëtar.
Me gëzim e zemërplotë
Kryetari i VATRËS
Dr. Elmi BERISHA