
Në emër të Federatës Panshqiptare e Amerikës VATRA, të gazetës Dielli, të familjes sime, të të gjithë vatranëve dhe shqiptaro-amerikanëve ju uroj nga zemra: Gëzuar 28 Nëntorin – festën Kombëtare të Pavarësisë së Shqipërisë dhe Flamurit tonë Kombëtar.
Përulemi me nderimin më të lartë e respektin më të thellë para firmëtarëve të Pavarësisë së Shqipërisë, burrështetasve, heronjve, luftëtarëve e dëshmorëve të Atdheut për përpjekjet dhe sakrificat për liri, trashëgiminë shekullore kombëtare që na kanë lënë pas e frymëzimin për gjeneratat që vijnë.
Mirënjohje përjetë patriotëve, dijetarëve, veprimtarëve dhe atdhetarëve që e bënë Shqipërinë të lirë, të pavarur, sovrane dhe perëndimore.
Kjo ditë është e shenjtë dhe e shtrenjtë për të gjithë kombin shqiptar. Është një ditë lavdie, historie, krenarie, gëzimi e frymëzimi për historinë tonë të lavdishme, sukseset, sfidat dhe arritjet tona në 113 vite shtet.
Akti sublim i pavarësisë kombëtare i udhëhequr nga Ismail Qemali, DomNikoll Kaçorri, Vehbi Dibra Agolli, Jorgji Karbunara, Elmas Boçe, Veli Harçi, Qazim Kokoshi, Jani Minga, Rexhep Mitrovica, Dhimitër Tutulani, Aristidh Ruçi, Abdi bej Toptani, Abaz Dilaver Çelkupa, Mid’hat Frashëri, Shefqet Daiu, Zihni Abaz Kanina, Xhelal Koprëncka, Hajredin bej Cakrani, Qemal Karaosmani, Ilias bej Vrioni, Salih Gjuka, Dhimitër Beratti, Dhimitër Mborja, Dhimitër Zografi, Murad bej Toptani, Pandeli Cale, Luigj Gurakuqi, Bedri Pejani, Spiridon Ilo, Thanas Floqi, Qemal Mullaj, Lef Nosi, Myrteza Ali Struga, Nuri Sojliu, Mustafa Merlika-Kruja, Ferit bej Vokopola, Ymer Deliallisi, Xhemal Deliallisi, Nebi Sefa dhe Zyhdi Ohri e personalitete të shquara kombit tonë e bënë shtetin shqiptar të lirë, të pavarur dhe sovran.
Shpallja e pavarësisë së Shqipërisë është dita më e shënuar në historinë moderne të shtetit shqiptar, ditë që na fton të punojmë fort për ta bërë atdheun tonë të bukur, të begatë të zhvilluar e të përparuar. Kjo ditë uniteti kombëtar dhe reflektimi të thellë mbi sakrificën e patriotëve të kombit tonë në shërbim të lirisë e pavarësisë, qoftë udhëheqësja jonë e përjetshme për vepra të larta patriotike dhe atdhetare.
Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra do të jetë përjetë e mot në shërbim komunitetit shqiptar, kombit shqiptar e çështjes sonë kombëtare në mërgatën shqiptare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës e trojeve etnike kombëtare.
Zoti e bekoftë Shqipërinë, Kosovën, Amerikën, miqtë e aleatët e kombit shqiptarë.
Gëzuar përjetë e mot festa e Pavarësisë së Shqipërisë dhe Flamurit tonë Kombëtar.
Me gëzim e zemërplotë
Kryetari i VATRËS
Dr. Elmi BERISHA