
Kryetari i Federatës Panshqiptare të Amerikës “Vatra”, Dr. Elmi Berisha, i shoqëruar nga anëtari i kryesisë, Bardh Tomaj, vizituan sot komunat veriore të Republikës së Kosovës, si dhe liqenin e Ujmanit, ku panë nga afër asetet më të rëndësishme hidrike dhe zona të tjera me rëndësi strategjike në pjesën veriore të vendit.
Gjatë kësaj vizite, kryetari i Vatrës shprehu mirënjohjen dhe vlerësimin e lartë për institucionet e sigurisë së Republikës së Kosovës, të cilat me profesionalizëm, përkushtim dhe përgjegjësi kanë menaxhuar situatën në veri të vendit, duke forcuar rendin, sigurinë, sundimin e ligjit dhe sovranitetin e shtetit të Kosovës në çdo pjesë të territorit të saj.
Federata Panshqiptare e Amerikës “Vatra” rithekson se mbështet pa asnjë rezervë institucionet legjitime të Republikës së Kosovës në përpjekjet e tyre për garantimin e paqes, stabilitetit dhe integritetit territorial. Vatra beson se partneriteti strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbetet garancia më e fuqishme për të ardhmen e Kosovës dhe se zgjidhja amerikane ka qenë dhe mbetet rruga më e sigurt për paqen, sigurinë dhe zhvillimin e saj.
Në të njëjtën kohë, Vatra thekson se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të përfundojë me njohje reciproke, si e vetmja zgjidhje e drejtë, e qëndrueshme dhe në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. Çdo zgjidhje tjetër që nuk respekton sovranitetin, integritetin territorial dhe subjektivitetin ndërkombëtar të Republikës së Kosovës nuk mund të sjellë paqe afatgjatë dhe stabilitet të qëndrueshëm në rajon.