
Hisen Berisha/
Në këtë ditë të shënuar për kombin tonë, shprehim urimet më të përzemërta për përvjetorin e Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës “VATRA” – këtij institucioni të shenjtë, që ka qenë dhe mbetet ndër shtyllat më të fuqishme të mbrojtjes së çështjes shqiptare në botë.
Po ashtu, në këtë përvjetor, kujtojmë me respekt dhe nderim veprën e lavdishme të burrave të mëdhenj që, më 28 prill 1912, në Boston, vendosën themelet e Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës “Vatra” – kësaj Vatre të shenjtë të shqiptarisë në mërgatë.
“Vatra” lindi si përgjigje e idealeve më të larta kombëtare, për mbrojtjen e identitetit tonë, për forcimin e ndjenjës atdhetare, për mbështetjen e Atdheut dhe të shqiptarëve kudo që ndodheshin, në kohën kur trojet tona kërcënoheshin nga coptimi dhe fshirja nga harta.
“VATRA” – ështe një vepër e ndritur që bashkoi mendjet dhe zemrat më të ndritura shqiptare të kohës, si Faik Konica, At Fan Noli, Kristo Floqi, Kristo Kirka e shumë të tjerë, të cilët në një frymë patriotizmi e atdhedashurie dhe përgjegjësie historike themeluan jo vetëm një organizatë, por një institucion kombëtar që do të ndriçonte për dekada rrugëtimin e shqiptarëve në SHBA dhe përtej Atlantikut.
Pra, Vatra lindi nga nevoja historike për të bashkuar zërin e shqiptarëve në Amerikë dhe për të ndihmuar në mbijetesën, lirinë dhe dinjitetin e kombit tonë – një mision që, falë sakrificës së brezave, vazhdon të frymojë me të njëjtin ideal sot e kësaj dite.
Nëpërmjet gazetës “Dielli”, përmes veprimtarive kulturore, edukative e politike, “Vatra” u shndërrua në zërin më të fuqishëm të kauzës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe një mbështetje jetike për pavarësinë, njohjen ndërkombëtare dhe mbrojtjen e të drejtave kombëtare shqiptare.
Sot, kur historia na kërkon të jemi edhe më shumë të bashkuar përballë sfidave të reja, shembulli dhe mesazhi i themeluesve të “Vatërës” mbetet një fanar drite që na udhëzon në bashkim, atdhedashuri, përkushtim dhe përparim.
Me zemër plot mirënjohje dhe krenari, i uroj Federatës Pan-Shqiptare “VATRA” gëzuar përvjetorin e lavdishëm të themelimit!
Në këtë përvjetor të lavdishëm, përcjellim një përshëndetje të veçantë dhe mirënjohje për Kryetarin aktual të Vatrës, Dr. Elmi Berisha, për përkushtimin dhe vizionin e tij në forcimin e rolit historik të Vatrës në shërbim të interesave kombëtare.
Një falënderim dhe nderim i veçantë gjithashtu për Kryeredaktorin e gazetës Dielli, z. Sokol Paja, për punën e palodhur në mbajtjen të gjallë të fjalës së lirë shqiptare dhe të frymës vatranë në diasporë dhe në trojet tona.
Ta mbajmë gjithmonë – vatër të gjallë të shqiptarisë – në zemren e aleatit tënë të përhershëm e strategjik SHBA, si mbrojtëse e idealeve të shenjta të kombit dhe urë lidhëse e brezave të së kaluarës, së tashmes dhe të së ardhmes sonë!
“VATRA” do të mbetet përjetësisht një fanar i shqiptarisë, i bashkimit dhe i përkushtimit për kauzat më të shenjta të kombit!
Gëzuar përvjetorin dhe rrofshin përjetë idealet e Vatrës!
Zoti i e bekoftë kombin e atdheun tonë!
Zoti e bekoftë kombin dhe shtetin Amerikan!