Kryetari dhe Kryesia e re e Vatrës po rrisin bashkëpunimin me organizatat e Komunitetit shqiptar, jo vetëm në Nju Jork, por edhe në Shtetet e tjera të Amerikës së Veriut dhe të Kanadasë. Në kuadër të rritjes së bashkëpunimit pas konstituimit të strukturave të reja të Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës janë intensifikuar takimet dypalëshe me dis nga organizatat e komunitetit, dhe janë planifikuar takime të tjera organizata. Një takim i tillë është realizuar me Organizatën “Rrënjët -Shqiptare(Albanian Roots) për të gjetur rrugë dhe forma bashkëpunimi të ndërsjelltë mes Vatrës dhe organizatës rinore. Presidenti i Rrënjëve shqiptare, z. Marko Kepi, ka shfaqur interesimin e organizatës më masive dhe më me peshë për rininë shqiptaro-amerikane për të gjetur mundësi bashkëpunimi me Vatrën. Ai tha se Rrënjët shqiptare janë të gatshme të bashkëpunojnë me Vatrën në drejtimet që ajo është e interesuar, ndërkohë që kërkoi që edhe Vatra të jetë bashkëpunuese edhe për të ardhmen për të dhënë një kontribut më të ndjeshëm në organizimin e përvitshëm të Paradës Shqiptare, duke përfshirë në këtë aktivitet, jo vetëm qendrën por edhe degët e saj në rrethina. Ai u tregua i gatshëm që Rrënjët shqiptare të japin më shumë kontribut në veprimtaritë e Vatrës, ndërsa vetë Vatra të ndikojë në mënyrë të drejtpërdrejtë për të përcjell tek brezi i ri të shkuarën historike të diasporës shqiptare dhe të ushqejë shpresën për të ardhen dhe të dyja së bashku të luftojnë për ruajtjen e identitetit kombëtar në SHBA. Për ta rritur në mënyrë efektive bashkëpunimin mes Vatrës dhe Rrënjëve Shqiptare, z. Kepi dhe z. Mishto ranë dakord që të hartohen projekte të përbashkëta bashkëpunimi në të mirë të komunitetit shqiptar në SHBA.
Në kuadër të takimeve bashkëpunuese Kryetari i Vatrës pati këto ditë një takim edhe me Presidentin e Këshillit Shqiptaro Amerikan(Albanian American Council)- AAC, z. Haxhi Dauti. Gjatë bisedës u ra dakort që veprimtaritë e përbashkëta mes Vatrës dhe Këshillit Shqiptaro Amerikan të përfshinë edhe një kontribut më të kualifikuar për të ndihmuar faktorin shqiptar në trojet etnike, vecanërisht në Maqedoni, Kosovë, Shqipëri, Mali i Zi, Lugina e Preshevës etj. Z. Dauti dhe z. Mishto ishin të një mendje për t’ shfrytëzuar më efektivisht në lobimin e cështjes shqiptare kongresmenët dhe senatorët amerikanë.
Së shpejti mes dy organizatave do të ketë projekte të përbashkëta.
Vatra u bën thirrje organizatave shqiptaro-amerikane, qofshin ato krahinore apo kombëtare, fondacioneve, të afrohen për bashkëpunim, duke ruajtur identitetin e tyre, sepse të bashkuar do të kemi më shumë forcë për të kontribuar për cështjen shqiptare.(Korresp i Diellit)