“ÇFARË ËSHTË MIRË PËR SERBINË, ËSHTË MIRË PËR RUSINË”/
Ne Foto:Statuja e Carit rus Nikolas II vendosur kohët e fundit në qëndër të Beogradit, përballë presidencës serbe/
Kështu ka deklaruar kohët e fundit ambasadori rus në Beograd, Aleksandër Çepurin, sipas disa medieve në Kosovë. Duke folur në Beograd në lidhje me marrëshëniet midis Serbisë dhe Republikës së Kosovës, fund muajin e kaluar, ambasadori rus në Serbi u shpreh se vendi i tij do të përkrahte çdo “zgjidhje”, përfshirë ndarjen e Kosovës, nëse sipas tij, kjo është “ zgjidhja më e mirë për të”, dmth. për Serbinë dhe se për Moskën është, “me rëndësi vetëm zgjidhja e cila ofrohet, të jetë në interes të Serbisë.”
Ambasadori rus flet duke shprehur qendrimin e shtetit që ai përfaqëson, sikur Republika e Kosovës të ishte një plaçkë për tu ndarë sipas interesave të përbashkëta të plaçkatarëve ruso-serbë. Çështja e Kosovës është zgjidhur me çlirimin e saj nga forcat e Aleancës Perëndimore, NATO dhe me shpalljen e pavarësisë së Republikës së Kosovës më 17 shkurt të vitit 2008. Këtë e ka marrë vesh e gjithë bota, me përjashtim të Moskës dhe Beogradit. Marrëdhëniet e ngushta midis Rusisë së Putinit dhe Serbisë si dhe deklaratat e përfaqësuesve të dy vendeve, siç është deklarata e kohëve të fundit e kryediplomatit rus në Beograd se, “Çfarë është mirë për Serbinë, është mirë edhe për Rusinë”, vazhdojnë të shkaktojnë shqetësime në rajon dhe në kryeqytetet perëndimore, përfshirë Washingtonin.
Më heret, Shefi i Komandës ushtarake amerikane në Evropë, Gjenerali Curtis M. Scaparrotti e ka cilësuar “influencën keqdashëse” të Rusisë në Ballkanin Perëndimor si një prej shqetësimeve kryesore të tija, shkruan gazeta e pavarur e Forcave të Armatosura të Shteteve të Bashkuara, “Stars and Stripes”. “Rusia është e angazhuar në Ballkan, ndërkohë që ne i kemi larguar sytë nga ai rajon”, ka thënë zyrtari i lartë ushtarak amerikan, gjatë një deponimi para Senatit amerikan. Ai është shprehur se, “Rusia ka ndërmarrë një fushatë destabilizimi për të ndryshuar rendin ndërkombëtar, për të përçarë NATO-n dhe për të minuar lidershipin dhe influencën e Shteteve të Bashkuara anë e mbanë botës.”
Por, fatbardhësisht, duket se kohët e fundit, paralajmërimet e Shefit të Komandës Ushtarake Amerikane në Evropë, Gjeneralit Curtis M. Scaparrotti, po merren seriozisht jo vetëm në Washington, por edhe nga Aleanca NATO dhe në kryeqytetet evropiane, pasi provat në terren të infiltrimit rus janë të bollëshme në Ballkanin Perëndimor, për tu pa dhe për tu prekur, përfshirë Malin e Zi — ku Moska u përpoq që me agjentët e saj të shkaktonte një grushtshteti në Podgoricë, me qëllim për të parandaluar antarësimin e atij vendi në NATO.
Ka vite që Rusia ka ndjekur një politikë komplotesh për të influencuar politikat dhe për të shkaktuar destabilitet në Ballkanin Perëndimor, të pakën ç’prej shpalljes së pavarësisë së Kosovës, duke përdorur marrëdhëniet “historike të veçanta” ose të imagjinuara midis Rusisë dhe sllavëve ortodoksë, në vende të ndryshme të Ballkanit. Historikisht, si në kohën e carit, ashtu edhe nën komunizëm, por edhe sot nën rrethana të reja politike post-komuniste, rusët mendojnë se që të konsiderohen si një komb i madh, Rusia duhet të jetë e pranishme në Ballkanin Perëndimor, me qëllim të bashkimit të sllavëve, ideja pra e “pan-sllavizmit”, sipas të cilës pretendohen marrëdhënie të veçanta midis popujve sllavë të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Historikisht, kjo politikë e Moskës në rajonin e Ballkanit, është zhvilluar dhe zbatuar gjithmonë kundër interesave kombëtare të shqiptarëve në trojet e veta. Për të gjithë ata që duan të hapin e veshët e sytë, deklarata e kohëve të fundit e ambasadorit rus në Beograd, tregon se asgjë nuk ka ndryshuar përsa i përket politikës ruse ndaj interesave dhe mbijetesës së kombit shqiptar në trojet e veta. Këtë realitet politik në Ballkan, përveç miqëve perëndimorë të shqiptarëve, duhet ta kuptojë më së miri klasa aktuale politike e shqiptarëve në Tiranë dhe në Prishtinë dhe të veprojnë si është më mirë në interes të kombit. Ana tjetër e monedhës është natyrisht, politika e Presidentit turk, Rexhep Erdogan ndaj vendeve të Ballkanit, përfshirë Shqipërinë dhe Republikën e Kosovës. Politikë kjo që në shikim të parë duket se ndjekë interesat “historike dhe fetare” turke në rajon, por influenca në rritje e sipër e Turqisë në vendet e Ballkanit Perëndimor, nën presidentin Erdogan, sipas ekspertëve, pështjellon shumë punët në atë rajon dhe duket sikur është e bashkrenduar me përpjekjet aktuale ruse për të zgjëruar influencën e tyre atje dhe për të penguar afrimin e këtyre vendeve eme perëndimin.
Në përhapjen e influencës së tyre në vendet ballkanike, fatkeqsisht, Turqia dhe Rusia po sigurojnë mbështetje të fortë nga zyrtarë të korruptuar të rajonit, pasi politikat autoritare erdogano-putiniste u përshtaten shumë mirë mënyrës së qeverisjes të udhëheqsve të këtyre vendeve.
Qëllimi i përbashkët ruso-turk, përveç interesave të tyre individuale për influencë në Ballkan, është për të penguar antarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian dhe në organizmat e tjera euro-atlantike. Drejtë këtij objektivi, Presidenti i Turqisë, Rexhep Erdogan po derdhë miliarda dollarë në rajon, përfshirë Serbinë, ndërkohë që ka premtuar të financojë autostradën Beograd-Sarajevë, si një projekt i madh në rajon, por jo vetëm. Aeroporti i Prishtinës, disa banka dhe premtime të tjera për investime në Shqipëri, përfshirë ndër të tjera një aeroport në Vlorë dhe ndërtimi në Tiranë i xhamisë më të madhe në Ballkan, si dhe ndërtimi i rrugëve dhe fabrikave në Maqedoni, shkollave dhe xhamive anë e mbanë rajonit — janë ndërtuar, financuar ose janë pronë e interesave turke. Nuk ka dyshim se investimet e mëdha turke dhe ruse në projekte si këto, ushtrojnë ndikim dhe influencë të madhe në fushën politike dhe në tregjet ekonomike të rajonit. Ekspertët thonë se prova e influencës turke në rajon, si rrjedhim i këtyre investimeve, u pa kur Kosova arrestoi dhe deportoi gjashtë shtetas të Turqisë, që kërkoheshin në lidhje me të ashtuquajturin grusht-shteti, dy vjetë më parë në Turqi. Media raportoi me këtë rast se Bashkimi Evropian e konsideroi këtë ngjarje si një pasojë e drejtë për drejtë e zgjërimit të influencës turke në një vend të Ballkanit siç është Kosova, duke u dhënë përparësi interesave turke, në dëm të rendit dhe ligjeve ndërkombëtare, por edhe në dëm të interesave të vet shtetit të Kosovës.
Ndërkohë që si Putini ashtu edhe Erdogani po bëjnë çmos që të minojnë, ose të pakën të pengojnë influencën dhe interesat strategjike të Bashkimit Evropian dhe të NATO-s në Ballkan, Michael Roth, Ministër Shteti për Evropën pranë Ministrisë së Jashtme Federale, në një artikull botuar në gazetën Telegraf të Tiranës, porosit se pas rekomandimit të Bashkimit Evropian për çeljen e bisedimeve të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedonisë, “Tani është e rëndësishme të merren vendime të mençura duke mbajtur në konsideratë faktorë gjeo-politikë dhe strategjikë, sikurse edhe interesat tona ekonomike dhe ato të sigurisë. Por për se bëhet fjalë? Çfarë është në lojë?” pyet ai. “Me këtë rajon (Ballkanin) nuk na lidh vetëm afërsia gjeografike, por edhe marrëdhënie të larmishme historike, kulturore dhe ekonomike. Ne jemi të interesuar në mënyrë esenciale që Ballkanin Perëndimor ta ankorojmë fort në Evropë e ta bëjmë rezistent – si kundër faktorëve destabilizues brenda vendit ashtu edhe ndaj ndikimeve të dëmshme së jashtmi…Të përafrohesh me Bashkimin Evropian nuk do të thotë asfare të jesh i detyruar të ndërpresësh marrëdhëniet politike, ekonomike dhe kuturore me shtetet e tjera. Por çdo vakuum politik që u krijojmë evropianeve dhe evropianëve, do të mbushet pashmangshmërisht nga të tjerë, që janë të interesuar më shumë për destabilitetin dhe që vënë në pikëpyetje modelin tonë të një rendi demokratik të orientuar nga vlerat, e të mbështetur në rregulla.” Pas pothuaj 30-vjetë zhgënjimesh, alternativa se cilën rrugë duhet të ndjekë klasa aktuale politike në Shqipëri dhe në Kosovë, është e qartë: drejt një destabiliteti permanent politik dhe ekonomik që frymëzohet nga ndikimet e jashtme, sidomos ato ruso-turke, a po drejt një modeli të rendit demokratik të orientuar nga vlerat perëndimore? Çka është mirë për shqiptarët? Koha nuk pret!