Dr. Valbona Sinanaj
Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, Tiranë
Akademia e Shkencave e Shqipërisë/
Në fillim të shek. XX u hodhën themelet e asaj binaje të quejtun Shqipni, siç do të thoshte At Anton Harapi. Specifikë e mendimit intelektual shqiptar në këtë fillimshekulli ishte “vërshimi i ideve të reja të shkallës më të lartë të arsimimit të rregullt të intelektualëve, çka solli hapjen drejt një përparimi kulturor gjatë një dhjetëvjeçari (30-40) të letërsisë dhe të kulturës shqipe, si kurrë më parë, në fillim në Shkodër e më pas në Tiranë dhe në mbarë vendin”.
Mjaft autorë si Konica, Koliqi, Kuteli, Noli, Harapi, Merxhani, Lasgushi etj., i bashkon prirja drejt formave të reja studimore, letrare, individuale, gjallëruese dhe lidhja me traditën më të mirë me ngjyrë kombëtare. Bota shqiptare filloi të pasurohej me studime të veçanta cilësore e sasiore albanologjike. Disiplina si letërsia, antropologjia, historia, gjuhësia, filozofia, filologjia etj., fillojnë të flasin shqip.
Ernest Koliqi evidenton tiparet që e karakterizuan dhe e afirmuan në këtë periudhë, si prozator, poet e përkthyes. Janë 86 shkrime që mbajnë emrin e tij shumica me karakter letrar, por edhe artikuj analizues, paraqitës apo polemika. Çështje të ndryshme gjuhësore janë trajtuar nga ai edhe brenda shkrimeve me karakter letrar. Koliqi është vlerësuar kryesisht nga bashkëkombësit jashtë Shqipërisë, pasi nga vendlindja ishte larguar për pikëpamjet politike, kryesisht si ministër arsimi në kohën e regjimit fashist në vendin tonë.
Individualiteti i një shkrimtari është i vështirë të kuptohet jashtë disa lidhjeve me ndikim kushtëzues si, jeta, koha, njerëzit, shoqëria, shteti, vepra, lexuesi, ndërgjegjja politike dhe liria.
Koliqi lindi në Shkodër më 20 maj 1903. Më 1921 përfundoi shkollën e mesme në Bergamo e në Milano (Itali). Themeloi në Bergamo bashkë me studentë të tjerë të përjavshmen studentore “Noi, giovani”. U kthye në Shqipëri, ku dy vjet më pas (1923) themeloi gazetën “Ora e Maleve” së bashku me Atë Anton Harapin dhe Nush Topallin. Më 1924 u bë pjesë e shoqërisë “Bashkimi” të krijuar nga Avni Rustemi. Gjatë viteve 1930-33 ka punuar si mësues në Vlorë e në Shkodër. U diplomua në universitetin e Padovës (Itali) më 1937. Më 1939 emërohet Ministër i Arsimit. Po në këtë vit emërohet drejtues i Katedrës së Gjuhës e Letërsisë Shqipe në Universitetin Sapienza të Romës e themeluar në vitin 1939, e cila falë tij u bë Instituti i Studimeve Shqiptare, me Dekret të Presidentit të Republikës më 2 shtator 1957. Po këtë vit (1957) nisi të botohej dhe revista letrare e tij “Shêjzat”, revista shkencore albanologjike më e rëndësishme në Perëndim. I mbylli sytë në shtëpinë e tij në Romë më 15 janar 1975, i nderuar nga bashkësia shqiptare në mërgim, por i mohuar nga vendi i tij.
Koliqi hapi rrugën për njohjen ndërkombëtare të letërsisë shqiptare. “Letërsia e një populli të vogël që nëse nuk donte të vdiste – thotë E. Miracco – nuk mund të mbyllej në izolim, dhe Koliqi hapi për Shqipërinë dhe shqiptarët e Italisë kufij të rinj të kulturës italiane e europiane, duke u nisur nga “thesaret e kombit”.
Në Itali Koliqi vlerësohet si një prej figurave më të rëndësishme si pjesë e traditës letrare shqiptare dhe njëherësh për kontributin e tij në disa fusha. Trajtohet si autor në: Svolgimento storico della kultura e della letteratura albanese, G. Petrotta, 1950; Storia di letteratura albanese, G. Schirò, 1959; L’opera letteraria e culturale di Ernesto Koliqi, G. Gradilone, 1974; “L’opera di Ernest Koliqi: considerazioni linguistiche”, në Miscellanea di Albanistica, P di Giovine, 1997; “L’incidenza delle religioni nella letteratura albanese secondo E. Koliqi”, në Miscellanea di Albanistica, S. Zincone, 1997; “Ernest Koliqi e la tradizione orale” në Miscellanea di Albanistica, E. Miracco, 1997; “L’opera letteraria di Ernest Koliqi ieri e oggi in Albania”, në Miscellanea di Albanistica, B. Dashi, 1997.
Në shkrimet e tij Koliqi lëvroi me pasion gjuhën e shpirtit pa u shkëputur nga historia personale. Autori kërkon që në gjuhë të gjejë pasqyrim shpirti i kombit dhe duhet vënë në përdorim letrar mbarë pasuria leksikore e frazeologjike e saj, jo një pjesë e vetme dhe të ushqehet prej dialekteve dhe nëndialekteve.
“Besoj se njoftja e visarit letrar popullor ka me shërbye si frê. Ka me freskue e njomsue fjalorin, së ka ma na lânë me humbun at frymë të thjeshtë e pak si t’egër qi, mbas mendes s’eme, përbân bukurí e fuqín e gjuhës arbnore”.
Koliqi dhe Camaj i përkisnin atij grupi të shkrimtarëve, që në shkrimet e tyre përdornin variantin letrar të Veriut, por i rëndësishëm ishte roli i tyre, jo i vogël në rrugën e konvergjencës së gjuhës së shkruar, e kryesisht në dhjetëvjeçarin e fundit të krijimtarisë së tyre. E donin shqipen dhe vinin në dukje vlerat dhe pasuritë e saj. “Shqipja asht gjuhë e pasun dhe sqimatare, – shkruante Koliqi te romani “Shija e bukës së mbrume” – ka në vetvete gjallni kromatike e hire muzikore ende të pazbulueme, të cilat kur të dalin në shesh nëpër lavrim të palodhur të shkrimtarëve që ushtrojnë me vetëdije të ndritun zejen e tyre, do të jetë kënaqja dhe krenarija e breznive të përtardhuna… idet e thella dhe ngjyrimet e tyne të holla kërkojnë nji përdorim të gjanë të mjeteve gjuhësore për t’u shprehun në mënyrë të dejë”.
Gjuha e tij priret drejt formave të reja për të qenë sa më afër gjuhës letrare që po formohej. Autori kërkon që në gjuhën e përpunuar të gjejë pasqyrim shpirti i kombit, duke vënë në përdorim letrar mbarë pasurinë leksikore e frazeologjike e saj. Ai mbështet rëndësinë dhe domosdoshmërinë e njohjes së traditës kombëtare, duke na këshilluar se: “Pa tharmet e traditës, s’ka përparim qytetërues shqiptar.”, dhe se kjo njohje fuqizon rrënjët e kombit, pasi: “Një lis pa rrënjë nuk qëndron në këmbë. Një komb që përbuz traditat e veta vendos vetëvrasjen e tij”.
Koliqi arriti të lidhë traditën me modernen. Vepra e tij e krijuar në botën perëndimore në rrethet kulturore e shkencore të saj, larg ndikimeve e kufizimeve ideologjike, fitoi jo vetëm lirinë krijuese e shkencore, por, gjithashtu ka përfituar nga metodat e reja shkencore që zbatoheshin në Institutin e Albanistikës në Universitetin “La Sapienza” të Romës, të cilin e drejtoi deri më 1973.
Si njohës i mirë i traditës përshkruan me mjete të gjetura gjuhësore aspekte të ndryshme të mendësisë shqiptare, të cilat pasqyrojnë psikologjinë e shqiptarit. Përdorimi i shpeshtë i mbiemrave, i ndajfoljeve, fjalët e prejardhura e të përbëra dhe neologjizmat, dëshmojnë interesin e tij për një gjuhë të përpunuar e poetike. Koliqi nuk ishte i prirur të përdorte me fanatizëm të folmen e vendlindjes, por mbështetej në gjuhën e popullit dhe përpunimin e pasurimin e saj të mëtejshëm. Ai nuk shkruan një shqipe larg standardit zyrtar, por ka një gjuhë të mesme popullore, përdor një gjuhë mjaft të zbutur, duke parapëlqyer më shumë trajtat e përbashkëta se sa ato dialektore, si në fonetikë, por edhe në sistemet dhe nënsistemet e tjera të gjuhës, përdor fjalë vjetra, duke synuar të bashkojë dialektet në një gjuhë të vetme.
Nën gjurmën e shqetësuar dhe provokuese të pyetjes së Koliqit, në një trajtesë në vitin 1962 “Në vijën zhvillimore të letërsisë shqiptare, cili âsht qëllimi sundues?”, mund të thuhet se ndër qëllimet e kritikës letrare sot duhet të renditet edhe rivlerësimi i personaliteteve, arsyet e izolimit të një letërsie dialektore, humbja e ngjyrave të të folmeve lokale, cungimi i identitetit gjuhësor në panoramën letrare të përgjithshme dhe mbytja e shpirtit eksperimentues në këtë lëmë.
Bibliografia
Miracco, Elio.“Ernest Koliqi e la tradizione orale”, në Miscellanea di albanistika, Istituto di studi albanesi, Università degli studi di Roma “La Sapienza”, Roma, (1997), f. 23-30.
Koliqi, Ernest. Koliqi, Kritikë dhe Estetikë, Tiranë, (përg. S. Çapaliku, 1999).
Koliqi, Ernest. Vepra 1, Prishtinë, “Faik Konica”, (2003).
Koliqi, Ernest. Vepra 4, Prishtinë, “Faik Konica”, (2003).
Osmani, Tomor. Shejzat për gjuhën shqipe, Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, Instituti i Studimeve Albanologjike, Shkodër, (2013).
Marteta, Rafaela. Publicistika e Lazër Shantojës. Paradigmë shqiptare e mendimit modern, Tiranë, (2021).
Sinani, Shaban.“Çështje të stilit në ligjërimin e Martin Camajt”, në Studime Filologjike 1-2, Tiranë, (2007), f. 29-39.
*Përmbledhje e kumtesës referuar në konferencën shkencore “Poliedriku Ernest Koliqi në 120 vjetorin e lindjes”.