
Instituti “Lumo Skendo”/
Veprimtar i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, klerik i lartë mysliman. Lindi në Dibër të Madhe. Pasi mbaroi medresenë, ndoqi një shkollë të lartë teologjike në Stamboll. Më 1909 mori pjesë në Kongresin e Dibrës, ku mbështeti përpjekjet për arsimin në gjuhën amtare për alfabetin me shkronja latine të Kongresit të Manastirit dhe kundërshtoi programin antishqiptar të Xhonturqve. Më 28 Nëntor 1912 mori pjesë në krye të delegatëve të Dibrës në Kuvendin e Kombëtar të Vlorës, që shpalli Pavarësinë e Shqipërisë, dhe atje u zgjodh kryetar i Pleqësisë, e cila kishte për detyrë të kontrollonte e të këshillonte qeverinë. Për hir të këtij funksioni, Vehbi Dibra zëvendësonte në detyrë kryeministrin Ismail Qemali, kur ky mungonte. Ai luajti rol të rëndësishëm në organizimin e kryengritjes shqiptare të shtatorit 1913 kundër pushtimit serb në zonën e Dibrës. Në vitin 1914 ishte anëtar i delegacionit të përfaqësuesve Shqiptarë që shkoi në Gjermani për t’i shprehur Princ Vidit pëlqimin e Shqiptarëve për ta parë atë në fronin e Shqipërisë. Në v. ’20 mbështeti përpjekjet për rimëkëmbjen, stabilizimin, demokratizimin dhe fuqizimin e shtetit të pavarur shqiptar. Vehbi Dibra ka luajtur rol të dorës së parë për mëvetësimin e Islamit shqiptar nga Kalifati Osman i Stambollit, proces i cili faktikisht filloi që me shpalljen e Pavarësisë. Krahas funksioneve të rëndësishme politike që i ngarkoi Kuvendi i Vlorës i vitit 1912, Vehbi Dibra u njoh dhe si Myftiu i Përgjithshëm i Shqipërisë, u zgjodh kryetar i Kongresit I Mysliman Shqiptar, të mbledhur në shkurt të vitit 1923, që formalizoi shkëputjen përfundimtare të Islamit shqiptar nga varësia prej Stambollit.
Për këtë veprimtari Vehbi Dibra fitoi respektin e rretheve atdhetare e përparimtare të klerit mysliman, të cilat e mbështetën atë për të qëndruar në krye të Komunitetit Mysliman Shqiptar pothuajse pa ndërprerje gjatë gjithë periudhës 1912-1929. Më pas u tërhoq në jetën private. Vdiq në Tiranë më 24 mars 1937.