Prof.asoc.dr. Lili SULA
Lahuta e Malcis’ mbetet vepra model, poema e parë e plotë epike, në historinë e letërsisë shqipe e, njëherësh, vepra që zë vend qendror në sistemin letrar shqiptar, duke u bazuar në një sërë qasjesh analitike mbi zhvillimet historike të letërsisë sonë, si dhe në konceptet teorike mbi gjinitë.
Cilësimet e shquara të Lahuta e Malcis’ si Iliada shqiptare dhe të Gjergj Fishtës si Homeri shqiptar, në thelb, kanë bashkuar, sipas përkatësisë gjinore, dy vepra dhe dy autorë të largët ndër shekuj. Studiuesit e viteve ‘40 të shekullit të kaluar, i kanë mëshuar epikës së Fishtës, duke e evidentuar atë jo vetëm në cilësitë nacionale, po edhe në vlerat mirëfilli estetike.
Në kuptimin historik, letërsia e Rilindjes, rridhte nga një traditë paraletrare e shkrimeve të shenjta, shkruar me alfabet latin, arabo-pers, grek; traditë, e cila karakterizohej nga mungesa e formësimit gjinor ose nga zhvillime paragjinore. Ajo çka trashëgohet prej traditës paraletrare në periudhën e Rilindjes e më vonë është, ndër të tjera, figura e Skënderbeut (si mit historik), thënë ndryshe, përpjekjet për të ndërtuar epikën historike, që do ta shoqëronin gjatë letërsinë tonë.
Përveç vonesës së krijimit të sistemit letrar shqiptar, krahasuar me letërsitë e tjera ballkanike e ato evropiane, në këtë periudhë spikati vullneti për të hedhur themelet e sistemit tonë letrar mbi epikën. Megjithëse gjatë Rilindjes, lirika u bë forma kryesore e shprehjes poetike, vërehet këmbëngulja e vazhdueshme e autorëve për t’u marrë me epikën.
Pas botimit të poemës së Naimit, Istori e Skënderbeut (1898) në letërsinë e Rilindjes erdhën edhe epe të tjera, si Te dheu i huaj (1900) dhe Këthimi (bot. 1965) të Z. Skiroit – poema të ushqyera prej gojëdhënave, baladave, bëmave të vërteta e të trilluara, ku vepronin personazhe historikë, folklorikë, legjendarë, fiktivë e realë. Për Prof. Çabej, Z. Skiroi do t’i ketë menduar veprat e veta si pjesë përbërëse të një eposi kombëtar, që do të rrëfente ikjen dhe rikthimin e arbëreshëve në trojet e të parëve (“Vatra dhe bota në poezinë e De Radës”, në: Jeronim de Rada, 1965). Nga ana tjetër, as De Rada nuk hoqi dorë nga ideja e krijimit të eposit kombëtar të shqiptarëve dhe iu vu punës për ta krijuar vetë atë me ciklin e veprave: Këngët e Milosaos (1836), Këngët e Serafina Topisë (1843) dhe Skanderbeku i pafan (1873), poema që paralajmëroi lindjen e vonuar të epikës në letërsinë tonë. Me të drejtë, studiuesi i De Radës, M. Markianoi vëren se nuk kemi të bëjmë me një vepër epike organike, por me një varg statujash, të vendosura krah njëra-tjetrës si në një galeri.
Përveç De Radës, Naimit, Skiroit, Darës së Ri, poema epike u krijuan edhe nga Bernard Bilota (Shpata e Skandërbeut ndë Dibrët poshtë), Kozmo Serembe (Kënkat e Krujës, e pabot.) dhe Bernardin Palaj (Valët e një shpirti, e pambaruar), të cilat nuk shquhen për vlera artistike.
Këto vepra përbënë skënderbejadën shqiptare, misionin e paracaktuar të poetëve rilindës dhe ribërës të kombit. Shekulli i romantikëve tanë nuk qe shekulli i eposeve; siç dihet, epika e kishte mbyllur ciklin e vet, pasi ishte pjesë e së shkuarës heroike të njerëzimit, që tashmë kishte perënduar. Në këndvështrim krahasues me letërsinë europiane, epet e gjysmës së parë të shek. XX, Prof. A. Xhiku i vështron si shfaqje të vonuara të letërsisë shqipe, duke i cilësuar “anakronizëm zhanror”. (Letërsia shqipe si polifoni)
Rilindja romantike, qenësisht lirike (De Rada, Skiroi, Serembe, Naimi, Asdreni, Çajupi, e të tjerë) provoi mjaft edhe epikën. Duhet pranuar se në këtë periudhë epika, shumë e dëshiruar nga romantikët shqiptarë, nuk arriti të bëhej gjini organike e as të plotësojë skemën klasike tregjinore, pra nuk u përfaqësua estetikisht, ose siç shprehet N. Frai, “epika e la bosh vendin e vet” (Anatomia e kritikës), gjë që vërehet përmes poemave Skandërbegu i pafan dhe Istori e Skandërbegut, po dhe te Kënga e sprasme e Balës e të tjera. Larghedhja kohore drejt shekullit XV, Motit të Madh, si dhe rimodelimi i mitit historik prej romantikëve, edhe në veprat krejtësisht lirike, si Milo e Haidheja e Skiroit, dëshmojnë po ashtu gjurmë të përpjekjeve të vetëdijshme për të lëvruar epikën.
Ideja nacionale, fryma heroike, patosi i ngritur romantik, lidhja e ngushtë me folklorin, i bëjnë veprat e De Radës, Naimit, Darës së Ri, Bilotës e të Skiroit, pjesë të një tradite të vetme, të një lëvizjeje letrare të frymëzuar nga të njëjtat ideale kombëtare. E, me të drejtë, ndërtimi i letërsisë kombëtare, që përfshinte angazhimin e poetëve për krijimin a rikrijimin e eposit kombëtar, ishte një nga tiparet kryesore të letërsisë së Rilindjes.
Krijimin e epit Lahuta e Malcis’, Gjergj Fishta e filloi në kohën kur poema epike në letërsitë e tjera europiane nuk lëvrohej më dhe vendin e saj e kishin zënë gjini dhe zhanre të tjera. Ndërkaq, Fishta i njihte mirë dhe i çmonte epet klasike; ai i kishte mbajtur gjatë ndër duar, si një prej burimeve kryesore të formimit të tij artistik.
Në një letër dërguar At’ Pal Dodajt, më 1908, Fishta shkruante: “Për pjesën e III të Lahutës endè s’i a kam dalë m’e tansue vizionin. Nuk po kam nder mend m’u nxitue, perse dishroj t’bâj nji punë ashtû si duhet. Per me i dhanë trajtë nji Iliade u deshtën shumë qindvjet: per me krye Lahutën le t’kalojë s’pakut ndonji vjet (Gj. Fishta. Estetikë dhe kritikë).
Më 1904, Gjergj Fishta botoi në Zarë bleun e parë të Lahutës, Te ura e Rrzhanicës, kangë popullore, duke mos e shënuar autorësinë. Edhe botimi i bleut të dytë, më 1907, del thjesht me shënimin kangë popullore. Titulli i veprës shpesh sugjeron jo vetëm një model shkrimi, po njëherësh edhe një model leximi. Botimi i plotë i poemës, më 1937, mban nëntitullin Epika, duke përcaktuar tipologjinë e poemës kah eposi i kreshnikëve. Faktin e anonimitetit nuk e shpjegon vetëm praktika e mistifikimit letrar, që haset tek autorët e tjerë romantikë, (De Rada, Skiroi, Dara i Ri etj.) dhe as marrëdhëniet e françeskanëve me krijimtarinë folklorike, lidhja e tyre e ngushtë me mbledhjen dhe botimin e saj. Kjo manierë lidhet më së shumti me kalkimin e modelit gjinor, epik popullor, sipas së cilës kjo vepër, si dhe simotrat e saj vendëse e të huaja mbeten anonime, (sikurse teza e Homerit, si bardmbledhës i këngëve të Iliadës, vijon të zërë vend në studimet homerike). Paralelet, në rrafsh të formës së shprehjes dhe formës së përmbajtjes, të poezisë së Fishtës dhe epit homerik, janë bërë objekt studimi nga studiuesit. M. Ndoja vërente në poezinë e Fishtës “veprimin epik, njerëzuer – hyjnuer, karakteristikë e epopeve të mëdha të antikitetit.” (“Idealet karakteristike në lirikën e Fishtës”, në: At Gjergj Fishta: 1871-1940, 1943).
Nga ana tjetër, Fishta njihte mirë karakterin recitativ të epikës popullore dhe e shfrytëzoi këtë mjeshtërisht. Titulli i poemës, Lahutë e Malcis’, sikurse në traditën popullore, parathotë sa recitimin aq dhe këndimin e veprës. Strukturimi i saj në këngë, po ashtu, ka të bëjë me konceptimin e një cikli poetik prej tridhjetë këngësh, në njësi të veçanta të kënduara. Po t’i referohemi vetëm fillimvargjeve të çdo kënge duket qartë ndërtimi i tyre në trajtë formulash urimi dhe mallkimi, në formula pyetëse, formula të përshkrimit sintetik etj., si në këngët epike popullore:
Ndihmo, Zot, si m’ké ndihmue ! kënga I (Gj. Fishta, Lahuta e Malcis)
Deh! oj Zânë, ty t’kjosha true! kënga VII
Hej, moj Zânë, ti kjosh e bardhë! kënga III
Lum’ e lum për t’Madhin Zot! kënga XVI
Prendoi dielli, n’qiell duel hâna,
N’Veleçik po pingron Zâna:
Ehu! Ju malet e Shqypnís,… kënga XIII
Shkrepi dielli buzës s’Cukalit,
Eja e t’këndojm, oj Zâna e malit
Eja e t’këndojm me Lahutë t’malcís’ kënga IX
Tý, o Zot, të kjoshim falë!
Tash, qi zû drita me dalë. kënga XXII
Muzikaliteti i poemës, si përbërës tekstor, është një tjetër tregues që e lidh veprën me procesin e të kënduarit. Për N. Frain, poezia muzikore ka të bëjë me poezinë, e cila, për nga struktura e vet, i ngjan muzikës bashkëkohëse me të. (Anatomia e kritikës). Kënga vjen jo vetëm si strukturë artistike, po dhe si prehje shpirtërore e kulturore për shoqërinë e kohës, përmes saj bëhet më e lehtë përcjellja e kumtit patriotik dhe vepra recitohet lehtësisht. Nuk është vepra, teksti ai që bën lexuesin, po është lexuesi/dëgjuesi ai që formëson veprën. Vetë Fishta parashtron këtë qëndrim: “Lyrika dhe epika, qi kanë epërsi n’prodhimin t’em, kulmojnë me Lahutën e Malcis, nji poem heroik i kryem në 30 kangë, me 16832 vjerrsha. Lahuta, po ju diftoj, âsht nji instrument fort i pëlqyem prej njerzvet t’malevet t’ona, me t’cillën atá kndojnë lavdin a se vajtojnë dhimben e tyne… Kto vjerrsha duen me kenë historija e maleve, qi luftuen pa prâjt kundër turqvet, lavdimi i herojve t’lindun ndermjet shkambijvet e krepavet, duen me kenë, n’veçansi, ekzaltim i karakterit shqyptár, qi tfaqet n’pamje t’perjashtme, n’shpirt t’patrembun, e n’traditë e doke.” (Estetika)
Lahuta e Malcis’ u krijua për t’iu përgjigjur horizontit të pritjes të fillimshekullit XX. Si vepër, që këndonte lavdinë e kombit, për të qarkulluar në popull, ajo qe e destinuar t’i përputhej pritshmërisë së kohës, gjë të cilën Gj. Fishta e realizoi mjeshtërisht. Qarkullimi i saj, siç dihet, është bërë jo përmes leximit të librit po, përgjithësisht, nëpërmjet qarkullimit oral edhe për arsye se receptuesi i kohës nuk ishte më lart se në stadin folklorik.
Një analizë e mëtejshme e hollësishme e rrëfimit, e trajtave ligjërimore dhe e strukturës së poemës, si dhe qasjet komparative mes epit të Fishtës dhe veprave epike të Rilindjes e, më tej, Lahutës së Malcis’ e epikës popullore, i japin poemës statusin e veprës epike model, me pozicion qendror në sistemin e letërsisë sonë.
Prof.asoc.dr. Lili SULA