Sokol Paja/
Tensionet në vëri të Kosovës e kanë futur në një spirale të rrezikshme shtetin e Kosovës, Ballkanin e mbarë Europën. Dhuna, tensionet, provokimet e orkestruar nga Serbia nëpërmjet bandave kriminale në Komunat me shumicë serbe në veriun e Kosovës kanë vënë në rrezik sigurinë kombëtare të shteteve në rajonin e Ballkanit e më gjerë. Konflikti në veri tashmë është kthyer në konflikt me vëmëndje ndërkombëtare jo vetëm ballkanike. Kosova në të drejtën e saj Kushtetuese të vendosjes së ligjshmërisë në çdo cep të territorit të republikës ka hasur në sulme të dhunshme të bandave kriminale të organizuara prej Serbisë e Rusisë për të cilët diplomacia e perëndimit fajëson kryeministrin Kurti për tensionim të situatës në veri. Sulmet e serbëve në veri të Kosovës mbi forcat e KFOR, Policinë e Kosovës, gazetarët në krye të detyrës e popullsinë civile janë akte që duhen dënuar e ndëshkuar nga bota perëndimore e demokratike. Aktet e dhunës janë akte kundër civilizimit njerëzor. Cënimi i sovranitetit dhe integritetit territorial është i pa pranueshëm. Në asnjë shtet normal të botës së qytetëruar dhe demokratike nuk mund të lejohen dhe tolerohen ngjarjet dhe situatat si në veri të Kosovës. Kryeministri Kurti i ka cilësuar masat pezulluese të BE-së si të padrejta ndaj shtetit të Kosovës, dhe se qeveria e tij nuk do të bëjë kompromis me sundimin e ligjit e as me kushtetutshmërinë e vendit. Këmbëngulja e Serbisë të Asociacioni është thjesht një tjetër mjet i presidentit serb Aleksandër Vuçiq për të mbajtur një konflikt artificial në veri të Kosovës. Diplomacia e Perëndimit prej kohësh nuk është treguar e ndershme në trajtimin e marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë. Është arritur në një pikë sa që Kosova si shteti që ka përjetuar ndër gjenocidet më të tmerrshme në historinë e shekullit që jetojmë prej Serbisë, të trajtohen më keq se Serbia kriminele. Pra viktimës i është veshur petku i kriminelit. Edhe sot Perëndimi me diplomacinë e padrejtë, të pa ndershme dhe të dështuar të Macron-Shols e Borrell-Lajcak po e fusin Kosovën e Ballkanin në një zonë të rrezikuar të sigurisë e integrimit. Perëndimi nuk duhet të joshë e ledhatojë në asnjë mënyrë Serbinë. Vetëm njohja reciproke mes Kosovës dhe Serbisë dhe zhvillimi i dialogut me pjesëmarrjen ekskluzive dhe udhëheqjen e Shteteteve të Bashkuara të Amerikës do ta zgjidhte një herë e përgjithmonë konfliktin Kosovë-Serbi ku shtetet e mbarë rajoni i Ballkanit do të kishte zhvillim e normalitet të qëndrueshëm. Nëse i referohemi të kaluarës, Perëndimi në historinë e shekullit që lamë pas ka luajtur në mënyrë jo të ndershme me kombin shqiptar. Katër hapat e qeverisë së Kosovës për shtensionimin e situatës në veri: 1) Reduktimi i pranisë së Policisë së Kosovës në ndërtesat komunale dhe rrethina e tyre, gradualisht dhe proporcionalisht me reduktimin e dhunës;
2) Qasja e plotë në proceset gjyqësore të kryesve të dhunës, dhe monitorimi i proceseve, nga ana e EULEX-it dhe OJQ-ve të interesuara të të drejtave të njeriut;
3) Zgjedhje të parakohshme aktivizohen në katër komunat veriore nga një peticion për tërheqje i përkrahur nga të paktën 20 përqind të elektoratit, siç parashihet në legjislacionin e Kosovës. Pas konfirmimit që janë përmbushur kërkesat për tërheqje, data e zgjedhjeve shpallet nga Presidentja;
4) Katër kryetarët e komunave në fjalë do të udhëzohen që t’ua dorëzojnë autoritetin e tyre kryetarëve të rinj të komunave pas certifikimit nga KQZ-ja në përputhje me legjislacionin e Kosovës, janë një mundësi e shkëlqyer që duhet të shoqërohen me masa e reflektim edhe nga pala serbe në mënyrë që situata në veri të kthehet në normalitet. Perëndimi duhet të ushtrojë presion edhe mbi Serbinë jo vetëm gjithmonë mbi Kosovën. Vetëm Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë ndershmërisht përkrah kombit shqiptar në të gjitha proceset historike të kombit tonë duke dëshmuar miqësi, aleancë dhe partneritet besnik në çdo kohë. Vetëm Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të japin zgjidhjen më të drejtë dhe më të pranueshme si për Kosovën dhe Serbinë. Diplomacia e Uashingtonit duhet të marrë në dorë edhe një herë fatet e Ballkanit në të kundërt plani Franko-Gjerman do të sjellë të njëjtat pasoja siç ka prodhuar deri më sot. Qëndrimet e kryeministrit Kurti kanë qenë në zbatim te territorialitetit e sovranitetit e në respekt të ligjeve e kushtetutës së Republikës së Kosovës. Z. Kurti ka treguar vazhdimisht përgjegjësi dhe vullnet të palëkundur për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit. Një kordinim më i fuqishëm diplomatik me Amerikën do ti jepte garanci dhe forcë Albin Kurtit në raport me diplomacinë e Perëndimit. Vetëm Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë aleati më besnik i kombit shqiptar. Sot më shumë se kurrë kemi nevojë që të jemi përkrah SHBA-së. Nëse Kurti nuk kordinohet me Amerikën, pasojat për Kurtin, Kosovën e kombin tonë do të jenë fatale. Në një kohë që Kosova përpëlitet në luftë me bandat dhe agresionin serbo-rus, Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama në vend që të ishte në përkrahje të Republikës së Kosovës e lidershipit të saj, kryen veprime aventureske, amatoreske dhe të dëmshme për republikën e Kosovës. Loja me Ballkanin e Hapur, drafti drejtuar Macron e Shols për Asociacionit, anullimi i mbledhjes me qeverinë e Kosovës ku do të nënshkruheshin 13 marrëveshje nga ku do përfitonin shqiptarët e Kosovës e Shqipërisë, e kanë kthyer Ramën në një kryeministër të dëmshëm dhe të rrezikshëm në kushtet ku ndodhet Kosova dhe kombi shqiptar. Edhe ideja më e fundit e Ramës për një konferencë ndërkombëtare për Kosovën dhe Serbinë, përveç se një aventurë për protagonizëm delir të madhështisë së Ramës, në kushtet e sotme favorizon vetëm serbët. Situata e tensionuar në mes të Serbisë dhe Kosovës mund të ndihmohet nga Shqipëria vetëm përmes komunikimit të drejtpërdrejtë e konstruktiv me institucionet e Kosovës dhe Kryeministrin Albin Kurti. Refuzimi i Rames per te takuar Albin Kurtin bashke me qeverine, por takimi vetem me Presidenten Osmani dhe vajtja ne takim me Vuçiç e turi i paralajmeruar diplomatik ne Ballkan, eshte veprim i papergjegjshem dhe i demshem per Kosoven ne keto dite te veshtira sidomos. Qeveria shqiptare në asnjë moment nuk duhet të ndërmarrë hapa politik e diplomatik pa u kordinuar me Qeverinë e Kosovës. Rama duhet të ushtrojë trysni e presion mbi Vuçiç jo mbi kryeministrin Kurti. Republika e Kosovës nuk ka nevojë për patronazhistë diplomatik si rasti i kryeministrit Rama por për mbështetje të sinqertë, përkrahje të vazhdueshme e kordinim politik kombëtar me qëllim që interesat e kombit të prevalojnë mbi interesat e politikë së ditës.