Kur nuk ke shkuar ndonjëherë atje, Malësia e Madhe sepse të përfytyrohet ashtu siç e kanë përshkruar udhëtarët e huaj aq të vëmendshëm në fillim të shekullit që shkoi. Seç të vjen në mendje diçka nga mesjeta; një vend i zymtë, pa shumë dritë dhe me njerëz që rrojnë si në një botë tjetër. Por ja që befasohesh kur e shkel atë dhe vëren që nuk është aspak ashtu. Madje të vjen turp nga vetja që ke ruajtur aq gjatë atë mendim të gabuar. Dhe njëkohësisht mallkon veten që je vonuar aq shumë për ta vizituar këtë krahinë nga më të rëndësishmet dhe me një histori kreshnikësh të mbushur me krenari. Gjatë gjithë rrugëtimit, gjatë asaj lugine rrethuar nga male madhështore, nuk të ndahet shprehja “vend perëndish”. Po, ashtu është e tërë ajo zonë, bukuria e së cilës jo se të le pamend, por ta qartëson mendjen dhe të thotë:”E sheh që nuk e paske njohur fare Shqipërinë? Bindesh tani se edhe parajsa nuk ka sesi të jetë pikturuar më mirë?”.
Kishim kohë që diskutonim këtu në Durrës dhe ja mësë fundi e vendosëm dhe një të shtunë të nxehtë Gushti, së bashku me juristin Eduard Allamani, punonjësin e pallatit të Kulturës “Aleksandër Moisiu”, fotografin Luan Jaupi dhe ekonomistin Përparim Manaj, u nisëm për atje. Rrugët e mira i kanë shkurtuar distancat. Për një orë e gjysmë, mbërritëm në Shkodër. Kam jetuar shtatë vitet e fëmijërisë atje dhe më drithërohet zemra kur shkoj në atë qytet. Por sot, nuk hymë në qendër të tij; e anashkaluam nëpërmjet unazës për të marrë rrugën e Koplikut. M`u duk se po ja bëja me të pabesë atij qyteti që e doja aq shumë dhe që më ngjallte aq kujtime. Djathtas e majtas, syri të zë vila të ndërtuara rishtazi, njera më interesante se tjetra. Vetë Kopliku tani është një qytet krejt i ri. Prej aty dhe drejt e në Han të Hotit për pak minuta. Shkuam në Doganë, ku Edi preu siguracionin e makinës. Nuk u vonua; aq na u desh edhe neve për të parë dy rreshta të gjata maunesh të ngarkuara dinga me mallra të ndryshme. Pastaj, makina jonë nisi udhëtimin drejt Tamarës. Pamja në atë malore që nuk ndihej fare, sa vinte e bëhej më piktoreske. Derisa krejt papritur, në një kthesë, ballë për ballë me një masiv malor hijerëndë, na u shfaq një ballkon i ndërtuar posaçërisht me dërrasa dhe xhama, i cili të detyronte të ndalesh e të bëje fotografi. Para nesh, aty kishin ndalur disa të tjerë, turistë, familjarë dhe kalimtarë të rastësishëm, ma celularët nëpër duar, duke pozuar. Si del atje dhe hedh shikimin majtas, mbetesh pa fjalë: të magjepsin Leqet e Hotit me ato kthesat e shumta. Luani që gjithë rrugën e ka shkrepur aparatin me qindra herë, lëviz sa në njërin krah në tjetrin. Pastaj, ndalemi në Tamarë. Një qytezë e vogël e ndërtuar tani së fundmi e tëra me gurë të latuar bukur. Në mes shatërvani dhe në krah të tij obelisku kushtuar të rënëve antikomunistë. Emrat e tyre janë gdhendur në pllakën e mermerit dhe në krye figura burrërore e patriotit antikomunist Prek Cali. Në nderim të tyre bëjmë disa fotografi dhe zbresim poshtë te përroi plot gurë të mëdhenj. Një pellg me ujin si kristal, sikur ta bën me sy, për t`u futur e freskuar në të. Te kafet e sheshit të shtruar gjithashtu me pllaka guri, në hijen e çadrave ku janë ulur plot vizitorë, ulemi edhe ne dhe pimë nga një gotë raki. Miqtë këtu dallojnë menjëherë dhe ai që kemi pranë, duket se kërkon të hyjë në bisedë me ne. Ka një djalë në Amerikë dhe kuptohet se qysh nga koha e kooperativës, nuk ka zënë punë me dorë. Kalojmë Selcën, ku dallon një kishë me arkitekturë joshëse të cilën thamë se do ta shohim kur të kthehemi. Më pas mbërrijmë në Lapushë, ku Luani që nga makina fotografon një djalë dhe një vajzë, veshur me rroba motoçiklistësh prej lëkure të zezë, që patjetër ishin të huaj dhe që me skafandra në kokë putheshin me afsh. I afrohemi kufirit. Tabela me shigjeta tregonte majtas Vermoshin dhe djathtas Doganën. Ne marrim majtas për të parë Vermoshin që s`qe tjetër veçse një fushë, një luginë plot jeshillëk e rrethuar në të dy anët me male mbuluar me pyje të larta. Një mrekulli e natyrës. Rruga e asfaltuar vazhdon edhe këtu mes për mes fshatit. Personalisht e kisha menduar mal e shkrep Vermoshin, por ja që qenkej ndryshe.
Dukeshin njerëzit e ardhur për pushime në oborret dhe lëndinat para hoteleve e restoranteve, që mësë shumti ishin pjesë e turizmit familjar. Ne ndaluam te kisha e madhe e Shën Gjonit, me një shesh të madh përpara, me ujë të bollshëm çezme dhe me dy lapidarë kushtuar martirëve të klerit katolik dhe nacionalistëve antikomunistë. Edhe aty fotografohemi dhe futemi brenda godinës së kishës. Prift, për të shkëmbyer dy fjalë nuk pamë gjëkundi dhe dolëm për të kërkuar një mikun e shokut të Përparimit, me të cilin ai qe njohur në spital. Se ne shqiptarët krijojmë miqësi të forta në ushtri, në aksion, në burg dhe në spitale. Ai quhej Vesal Mitaj dhe lokali i tij, Qershia. E gjetëm menjëherë. Ishte një njeri gazmor që sapo mori vesh se ishim miqtë e Aliut nga Durrësi u bë shend e verë. Hëngrëm në shoqërinë e tij drekën poshtë qershisë ku qenë varur lloj – lloj kafshësh e shpendësh të ballsamosura dhe lëkura të ndryshme, (sido që unë kisha dëshirë të qendronim te ajo dhoma që ai kishte ngritur mbi qershi dhe ku të dukej vetja si në xhungël), ku nuk ngopeshim me bukën shumë të shijshme që porsa e kishte gatuar e shoqja. Kur pyetëm se ku e merrnin miellin dhe Vesali na tha në Mal të Zi, më erdhi keq dhe kujtova simitet e dikurshme të Naumit në Shkodër që me miellin e vendit, jo me Malin e Zi, po as me gjithë botën nuk kishin të krahasuar. U ndamë me të, pasi e siguruam se Aliut në Durrës do t`i jepnim të falat e tij, dhe drejt e në Doganë, por që nuk e kuptuam përse kishin mbetur pashtruar nja treqind metro. Ndofta, tha Përparimi, për të mos i marrë më sysh. Në barakat e kufirit, policët që duhet pohuar se janë përmirësuar shumë si në paraqitje ashtu edhe në sjellje, bisedojnë dhe bëjnë shaka me kolegët e tyre malazes. Duket që janë miqësuar. Pa shumë solemnitete, futemi në Mal të Zi, pra në trojet tona, vazhdim i Malësisë së Madhe, dhënë dikujt tjetër. Seç kemi një gjendje shpirtërore të pa shpjeguar, një gudulisje në shpirt, një kënaqësi të një lloji të veçantë, një mall ngashëryes, ne shqiptarët, kur vemë në ato vende që edhe pse historikisht kanë qenë tonat, na kanë ndaluar politikat tekanjoze për t`i vizituar. Kanë ndarë për vite e vite me radhë, vëllanë nga motra, djalin nga prindërit, shokun nga shoku. Qëndrojmë për të pirë ndonjë kafe buzë liqenit, në një lokal prej nga përftohet një pamje mbresëlënëse dhe futemi në Guci. Këtu, prej familjes së dëgjuar Shabanagaj, doli Ali Pashë Gucia, ai që i dha lavdi këtij vendi, njëri nga udhëheqësit e Lidhjes së Prizrenit, kryetari i shtabit luftarak të Plavë – Gucisë, luftëtari kundër okupatorëve serbo – malazes, i vendosjes së shtetit kombëtar shqiptar, dhe mytesarifi i Pejës, vrarë në një atentat të pabesë. Pasi vizitojmë qytetin, nisemi për në Plavë e cila nuk është larg. Akomodohemi në një dhomë katërshe në hyrje të qytetit dhe dalim shëtitje. Aty pranë, në një hotel tjetër, kuptohet se po nis një dasmë. Me pamje mjaft të këndshme, detyrohemi të ndalim e ta fotografojmë, kur papritur shohim në oborrin e një vile ngjitur me të, në majë të një shtize të lartë, flamurin tonë kuq e zi. U ngazëllyem dhe u drejtuam për atje. Ndërkohë, i zoti qysh nga dera na përshëndeti, duke na ftuar të hyjmë brenda për një kafe. Ishte një burrë i fisëm, në fytyrën e të cilit lexohej inteligjenca dhe kultura. Por dhe atdhedashuria. Me shumë dëshirë u ulëm rreth tavolinës, aty në freskinë e atij oborri me bar të njomë. Ai quhej Naser Vuçetaj, kurse e shoqja e tij Mane, dhe jetonin prej kohësh në Bernë të Svicrës. Ndërkohë që gruaja mbushi tavolinën me shishe pijesh dhe meze, ne i thamë se na bëri përshtypje flamuri ynë kombëtar. Sa herë vij, shpjegoi Naseri, puna e parë që bëj është të ngre flamurin shqiptar. Pushimet këtu i kaloj çdo vit. Shumëve u bën përshtypje flamuri; ndalojnë dhe mbledhin supet. Sidomos serbëve. Se këtu shqiptarë kanë mbetur vetëm njëzetepesë përqind e popullsisë. Shumë janë larguar jashtë shtetit dhe kjo ikje ka qenë e qëllimshme. Në bisedë futet krejt e lirshme Maneja e cila ka mendimin se edhe malazezët origjinën tonë kanë, dhe me keqardhje shton: por ashtu kanë rrjedhur punët dhe tani nuk para kanë ndonjë dashuri të madhe për shqiptarët. Me vete kisha vetëm një librin tim me poezi të zgjedhura. E nxora dhe ua dhurova. Këtë do ta lexoj unë më parë se më pëlqen poezia, kurse Naseri do historinë – nxitoi të thotë gruaja. Kur po ndaheshim me këta njerëz të mirë, na u lutën të flinim aty. Kur u thamë që kemi zënë hotel, me gjithë zemër na thanë se po erdhët tjetër herë, edhe po nuk qemë ne, shiheni ku e lemë çelsin. Merreni dhe futuni brenda, dhe rrini sa të doni. U dhamë numrat e telefonave dhe u thamë që po të vinin ndonjëherë në Durrës, të na njoftonin. U ndamë me ta si miq të vjetër. Natën, koha u ftoh dhe ra një shi i lehtë. Kishim gati një muaj të tërë që vapa na kishte torturuar. Në mëngjes, Luani pa nga dritarja dhe na tha se retë kanë zbritur në tokë. Ishte një pamje sureale, e liqenit dhe malit përkarshi, ku sipas asaj që na thanë Vuçetajt, në mos gaboj, ishte varrosur djali i Karagjeorgjeviçit (Gjergji i Zi). Pra, pinjolli i nacionalistit të tërbuar serb Gjergj Petroviçit që kishin ushtruar genocidin e paparë ndaj kosovarëve e më tej. Sapo zbardhi, madje edhe duke e ndierë pak të ftohtit, u nisëm për në Vuthaj, ku jo vetëm do shihnim vende të rralla, por dhe që ishte vendlindja e akademikut Rexhep Qosja. Unë kisha dhe një arsye personale, pasi në kohën e komunizmit, prej leximit të librit të tij “Kontinuitete” isha ndëshkuar keq. Nuk ishte larg Gucisë, Vuthaj dhe nuk e di se ç`ndiente njeriu si ne, kur shihte krahas emrit Vuthaj edhe fjalën Vusanje. Kudo vila mes një gjelbërimi prrallor. Në ballkonin e njërës prej tyre, sikur të mos mjaftonte një, i zoti i shtëpisë kishte venë tre flamurë kombëtarë. Kurse një tjetër e kishte gdhendur flamurin e kuq dhe shqiponjën dykrenore mu në faqen ballore të shtëpisë çka dukej që së largu. Dhe ja, në anë të rrugës, një goxha lapidar me flamur sipër. Ndalemi dhe lexojmë: “Isuf Kamer Çela 1909 – 1944 Përjetësi të gjithë atyre trimave vuthjanë e të krahinës së Plavë – Gucisë që na mësuan të mos harrojmë Komb e Atdhe.” Me siguri ishte dora e profesor Qoses në këtë formulim, mendova. Dhe pak më tej, atje te varrezat pranë xhamisë, një varr i dy burrave të tjerë; Çung Tahiri e Isuf Ymeraj (Dedushaj) pushkatuar në vitin 1951. I kishin vizatuar me plis në kokë. Ky i fundit ishte vetëm 22 vjeç. E donin Shqipërinë, ashtu siç e kishte bërë natyra. Dhe komunistët tanë ishin vëllazëruar dikur me vrasësit e tyre. Histori tragjike vrasje shqiptarësh të ndershëm në të dy krahët. Dhe tani varret dhe lapidarët ishin akuza për ta dhe turpi e mallkimi i tyre. Ne vijuam dhe ndalëm te një shesh aty ku qe Syri i Kaltër. Ishte një habi e natyrës, një monument i pashoq, një pus i stërmadh, i thellë pafund dhe me ujë të kulluar. Ca turistë ende të përgjumur dhe si të hutuar nga shiu dhe i ftohti i natës, palosnin me përtesë mbulojat dhe i vendosnin në çantat e tyre të shpinës. I përshëndetëm dhe vazhduam më tutje luginës. Në të dy anët e rrugës tani të pashtruar, nga malet ndër shekuj ishin rrëzuar gurë qikllopikë, ndofta si rezultat i tërmeteve të rënë. Tani të përzjerë me pemë, shkurre, gëmusha e myshk, dukeshin si dëshmitarë të frikësuar dhe të heshtur të ngjarjeve të mëdha. Ja dhe katarakti, Ujvara Gerla ose Syni i Skafkaçit, por tani si pasojë e thatësirës, me fare pak ujë. Këtu mbërritën dhe turistët që kishim parë duke mbledhur shtrojat e mbulojat. Ishin gjermanë dhe qenë gjallëruar disi. Na përshëndetën pëzemërsisht. Kuptohej, se dhe ata ishin të mrekulluar nga ajo që shihnin. Kur u kthyem, pyetëm për shtëpinë e profesor Rexhepit. Ai shtëpinë e kishte pranë e pranë vëllezërve të tij, Halilit dhe Isait. Të treja njësoj. U futëm në atë oborr të pafund dhe sapo na pa, na u afrua Halili. Ngjiste me të vëllanë si dy pika uji, veç ishte më i ri. I dhamë të njohur dhe na ftoi brenda. I thamë se nguteshim, do të shkonim edhe te burimet e Pashait. Bëmë foto me të dhe i u lutëm që t`i jepte të falat tona profesorit kur ta takonte. Krojet ishin me ujë të bollshëm dhe formonin një pellg gjigant. Takuam një grup kosovarësh që kishin ardhur njësoj si ne. U gëzuan që na takuan. Në restorantin “Krojet” ku Luani si koleksionist shihte me admirim gjithë antikuaret popullore që ishin varur mureve a vënë në dysheme, gjetëm pronaren, Hale Gjonbalaj, një grua e shkathët e cila pasi na seviri kafetë u ul me ne në tavolinë dhe piu një gotë të vogël nga rakia jonë që i hodhi Edi. Kishte qenë nja pesëmbëdhjetë vjet në Gjermani dhe ishte kthyer. Jetonte me vëllezërit, të cilët kishin qindra bagëti, për të përballuar fluksin e turistëve që vinin, kryesisht dimrit. Kur fjala erdhi te çështja kombëtare dhe te mundësia perspektive e bashkimit, gati e revoltuar na tha: Nuk bëhet kjo punë duke pritur Evropën. Fishta ka thënë, më falni… Sot puna zgjidhet ndrysh: të çohet i madh e i vogël dhe të shkojnë atje ku qetë ju dje, te kufiri dhe të merret gjithçka e të hidhet në kanal. Ndryshe lodhemi kot. Na vuri në mendime kjo grua kurajoze. Ja tani thoja me vete se shtypja do të ketë qenë e padurueshme, gjersa miku im Myftar Gjionbalaj që kishte qenë drejtor i gjimnazit “Naim Frashëri”, qysh fëmijë, la shtëpinë dhe këtë vend të magjishëm dhe së bashku me një shokun e tij, u arratis në Shqipëri. Dhe me këto mendime në kokë, morëm rrugën e kthimit. Si kaluam kufirin dhe ecëm nja tre çerek ore, ndaluam te kisha e Selcës. Ajo qe e mbyllur, por në oborr, në një trug peme, dikush, një skulptor për ne i panjohur, kishte gdhendur Krishtin e kryqëzuar. Ishte një vepër mjaft e bukur arti, ndaj qendruam gjatë duke e soditur. Kur u nisëm për të ikur, takuam një djalë të parruar. Gabimisht e vlerësova si ca të metë që vinë rrotull fshatit dhe mezi presin të takojnë ndonjë të ardhur nga qyteti. Jo; ai ishte fare në rregull dhe kur e pyeta se nga e merrni ujin, m`u përgjigj se ujë nuk kemi fare, vuajmë shumë nga mungesa e tij dhe askush nuk interesohet. Harrojnë që edhe ne njerëz jemi dhe nuk po kërkojmë ndonjë gjë të madhe. Na u dhimbs ai dhe gjithë banorët e atij fshati që kishin aq besim te mirëbërjet e Krishtit. Kur kaluam Tamarën, tani që qe kthyer dhe i nxehti, nisën celularët që kishin heshtur gjatë nga mungesa e valëve. Morëm ato dredhat e këndshme të Leqeve të Hotit dhe duke zbritur pamë se lokalet ishin plot e përplot me klientë dhe shumica qenë dasmorë. U kujtuam se ishte e dielë dhe kishin ardhur refugjatët. Si anashkaluam sërish Shkodrën, kthyem te ura e re për Shirokë për të drekuar, por aha.., nuk gjetëm asnjë vend të lirë deri afër Zogajt në ndonjë nga restorantet e shumtë buzë liqenit. Vetura pa hesap, të reja flakë dhe o zot, sa të kushtueshme. Dikur, pas një vizite, kisha shkruar se Shkodrës i qe kthyer buzëqeshja, po tani, ç`më mbetej të thoja? E vërteta ishte se po bëhej më mirë. Dhe besoja se edhe në rrafshin kombëtar, kohë më të mira do të vinin.