Nga Sokol Paja/
Patrioti Viktor Popaj një ekspert dhe i zgjedhur i pushtetit vendor në Shqipëri i bashkohet familjarisht Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA. Z.Popaj ka drejtuar Komunën Kastrat në Malësi të Madhe, ka qenë Këshilltar Bashkiak në Malësi të Madhe, Këshilltar Qarku në Shkodër, dhe Anëtar i Kryesisë së Qarkut Shkodër për disa mandate me radhë. Z.Popaj iu bashkua familjarisht familjes më të madhe patriotike në diasporë Vatrës dhe u bëri thirrje dhe patriotëve të tjerë shqiptarë që të mbështesin kauzat e Vatrës pasi janë kauza të kombit shqiptar. Z.Popaj dhe familja u prit nga Editori i Diellit Sokol Paja që i shpjegoi me detaje rrugëtimin historik të Vatrës, Diellit dhe ndihmën e jashtëzakonshme në dobi të çështjes kombëtare. Z.Popaj vjen nga një familje antikomuniste me gjysh të pushkatuar dhe familjarë të përndjekur dhe torturuar prej diktaturës komuniste shqiptare. Familja e z.Popaj është një ndër familjet më të larta e më të nderuara në Malësi. Babai i Viktorit, z.Pashko Toma(Popaj) pas rënies së komunizmit është angazhuar me pleqësinë e Malësisë për pajtimin e gjaqeve e konflikteve të trashëguara nga e kaluara. Viktor Popaj ka shërbyer me përkushtim dhe përshpirtshmëri ndaj zgjedhësve të tij dhe sidomos shtresës në nevojë. Në çdo kohë Viktorit nuk iu dhimbs djersa, mundi dhe kursimet e familjes për të ndihmuar ata që kishin nevojë. Vatra gëzohet dhe shpreh mirënjohje që patriotë dhe humaniste të tillë i bashkohen asaj.Mirë se erdhe në Vatër familjarisht Viktor.