Luan Topçiu/
Festivali Botëror i Poezisë Mihai Eminescu, i cili zhvillohet në qytetin e Craiova-s të Rumanisë, u mbajt nga data 17 deri më 22 qershor të këtij viti. Ai u organizua nga Akademia Ndërkombëtare “Mihai Eminescu”, Biblioteka Qendrore e Qarkut Dolj “Alexandru dhe Aristia Aman “, Këshilli i Qarkut Dolj dhe Bashkia e qytetit Craiova. Poetë nga të gjitha kontinentet morën pjesë në edicionin e 9-të të këtij festivali: SHBA, Itali, Francë, Turqi, Francë, Suedi, Shqipëri, Kosovë, Marok, Rumani, Meksikë, Bullgari, Greqi, Ukrainë, Senegal, Kongo, Serbi, Maqedoni, Kazakistan, Azerbaxhian, Iran etj.
Në këtë edicion morën pjesë dy autorë shqiptarë, Visar Zhiti – një nga poetët më të mëdhenj të gjuhës shqipe – si dhe poeti i mirënjohur kosovar – Jeton Kelmendi.
Në ditën e dytë të Festivalit Botëror të Poezisë “Mihai Eminescu”, u promovua vëllimi “Kodi im për të nesërmen”, i cili përmbledh poezitë e shkrimtarit dhe profesorit kosovar Jeton Kelmendi. Vëllimi është botuar nga Shtëpia Botuese Revers dhe paraprihet nga një parathënie e akademikut rumun, Constantin Barbu. Ai është pjesë e kolanës “Planeti i Poezisë”, përzgjedhur nga Constantin Barbu dhe Ion Deaconescu.
Jeton Kelmendi (lindur më 1978), anëtar i Akademisë Evropiane të Shkencave dhe Arteve në Salzburg (Austri) dhe profesor në Universitetin AAB në Prishtinë, është një poet i rëndësishëm modern në gjuhën shqipe, poezitë e të cilit janë përkthyer në dhjetëra gjuhë të huaja, në të gjithë globin, duke përfshirë edhe rumanishten.
Visar Zhiti fitues i çmimit të madh të festivalit
Më 21 qershor në Muzeun e Artit të qytetit Craiova u zhvillua ceremonia vjetore e ndarjes së çmimeve, siç janë Çmimi i Madh i festivalit si dhe Çmimi Special, ofruar nga Akademia Ndërkombëtare “Mihai Eminescu”. Ishin të pranishëm personalitete të kulturës rumune dhe të jetës kulturore, por jo vetëm. Presidenti i Akademisë “Mihai Eminescu”, profesori universitar Ion Deaconescu, në ceremoninë e organizuar me këtë rast, përpos çmimeve speciale, shpalli dy fitues, i pari ishte poeti amerikan William Wolak, (për edicionin e tetë të vitit të kaluar, çmim i vonuar për shkak të pandemisë) dhe si Fituesi i Çmimit të Madh për vitin 2022 u shpall një nga poetët më të mëdhenj të gjuhës shqipe, i vlerësuar dhe i dashur nga lëçitësit e poezisë, Visar Zhiti. Vepra e Visar Zhitit është bërë e njohur në Rumani përmes botimit të 4 librave në gjuhën rumune, në poezi dhe në prozë (Të përkthyera nga autor i këtyre radhëve). Shtypi letrar dhe kritika letrare rumune, së bashku me kritikë të njohur të huaj kanë vlerësuar Visar Zhitin si një autor të shquar të letërsisë bashkëkohore botërore, si një zë të veçantë të shoqërisë së sotme, si një model letrar dhe njerëzor të veçantë, si një timbër i fuqishëm i dhimbjes njerëzore nën diktaturë, si një poet lirik dhe lëvrues i poezisë menditative.
Çmimi i Madh që mban emrin e poetit më të madh të gjuhës rumune, Mihai Eminescu, i dhënë nga juria ndërkombëtare e përbërë nga kritikë të shquar si dhe poetë me famë ndërkombëtare, përbën, padyshim, nivelin më të lartë të vlerësimit të një poeti. Poeti Mihai Eminescu, konsiderohet një pikë referimi për kulturën rumune dhe atë botërore, një modelues i madh për shumë shkrimtarë dhe artistë rumunë dhe jo vetëm. Eminescu është arketipi i supozuar i çdo rumunfolësi, i çdo personaliteti që është identifikuar me gjuhën dhe kulturën rumune. Eminescu mbetet edhe sot një model kulturor dhe një model estetik.Ky model u asimilua edhe nga shkrimtarët shqiptarë që jetuan dhe u formuan në hapësirën kulturore rumune (Asdreni, L. Poradeci, M. Kuteli etj).
Ekspozita fotografike “Poetika e hapësirës shqiptare” e autorëve: Ahmet Axhushi dhe Ardian Fezollari
I ndodhur në qytetin Craiova, shkrimtari Visar Zhiti pati rastin të merrte pjesë në hapjen e ekspozitës fotografike “Poetika e hapësirës shqiptare”, organizuar nga Shoqata e Lidhjes së Shqiptarëve të Rumanisë (ALAR) në hollin qendror të UniversitetittëCraiova-s. Ekspozita përfshiu 40 vepra të artistëve Ahmet Axhushi dhe Ardian Fezollari, të cilat sugjeruan një udhëtim nëpër peizazhet e hapësirës shqiptare: brigjet e Adriatikut dhe Jonit, Liqeni i Ohrit, Alpet veriore të Shqipërisë, qytetet, fortesat dhe vendet arkeologjike në qendër dhe në jug të vendit.
Në hapjen e ekspozitës, shkrimtari Visar Zhiti shprehu vlerësimin e tij për artistët, për veprat e ekspozuara, si dhe për të gjithë aktivitetin kulturor që kryen Shoqata e Lidhjes së Shqiptarëve të Rumanisë. Kjo ekspozitë u kurua nga Dr.Luan Topçiu, koordinator i Qendrës Kulturore Shqiptare pranë ALAR, dhe u realizua me mbështetjen e Konventës së Organizatave Studentore të Universitetit të Craiova-s.
Botohet vepra madhore “Fjalori historik i Shqipërisë”i Robert Elsie në rumanisht
Të mërkurën, më 22 qershor, në Bibliotekën e Qarkut Dolj, “Alexandru dhe Aristia Aman” në Craiova, u bë prezantimi i vëllimit “Fjalori historik i Shqipërisë” i Robert Elsie, përkthyer nga anglishtja në rumanisht nga Dr. Radu-Cosmin Săvulescu. Kjo vepër mbresëlënëse prej 648 faqesh, u botua nga Shtëpinë Botuese Asdrenie Shoqatës Lidhja e Shqiptarëve të Rumanisë dhe është pjesë e një serie prej tre fjalorësh kushtuar Shqipërisë të albanologut të ndjerë kanadez, Robert Elsie (1950-2017). I pranishëm ishte dhe deputeti Bogdan-Alin Stoica dhe kritiku letrar Marius Chelaru.
Akordimi i Çmimit të Madh të Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë “Mihai Eminescu” Visar Zhitit, solli në vëmendje të publikut të huaj kulturën dhe letërsinë shqiptare, vlerësimin ndaj përfaqësuesve emblematikë të saj. Shtypi dhe mediat vendase pasqyruan këtë eveniment, shoqëruar me një material mbi Visar Zhitin. Komuniteti i shqiptarëve me rastin e vlerësimit të poetit shqiptar ndihet në mënyrë të ligjshme krenar. Nga ana tjetër, ekspozita fotografike “Poetika e hapësirës shqiptare”e artistëve Ahmet Axhushi dhe Ardian Fezollari si dhe promovimi i vëllimit voluminoz prej 645 faqesh“Fjalori historik i Shqipërisë”, i Robert Elsie-së, sollën gjatë këtyre ditëve të qershorit në vëmendje të publikut rumun kulturën dhe vlerat shqiptare.