Nga Eugjen Merlika /
Çdo 31 dhjetor, që i përgjigjet një rrotullimi të planetit tonë rreth diellit, është një kufi kohor, që njerëzit e kanë caktuar në vetëdijen e tyre për të bërë një shqyrtim të bëmave të 365 ditëve dhe një parashikim apo planifikim të atyre pasuese. Jo rastësisht, kjo ditë karakterizohet nga urimet e shumta mes individëve, familjeve, bashkësive, deri në nivelet e larta të organizimeve të këtyre të fundit që quhen shtete apo bashkime shtetesh.
Në këta urime shprehet shpresa për një vit më të mirë që, me fjalë të tjera, do të thotë më shumë begati lëndore e më pak probleme të llojeve të ndryshme, që nga shëndeti, puna, siguria, harmonia familjare në rrafshin individual e deri në konfliktet apo krizat e natyrave të ndryshme në sistemin botëror. Në bilancin e zakonshëm të këtij kufiri kohor të fundit të atij viti që shkoi apo fillimit në të cilin jemi futur, hasim në dukuritë reja apo të përsëritura. Në Vendin tonë këto të fundit duket se janë më shumë të pranishme.
Përballimi në çdo vit me të njëjtën problematikë është një tregues i paaftësisë sonë, si sistem Vend, për t’i zgjidhur çështjet që kanë të bëjnë me ecjen tonë përpara, për pasojë tregojnë një qëndrim në vënd, për vështirësi, shpesh të pakapërcyeshme, që frenojnë, në mënyrë të përsëritur, lëvizjen tonë drejt synimeve të paracaktuara.
Viti 2012 qe një vit i veçantë, që u përcaktua nga përkatësia historike e një shekulli të qënies sonë si shtet. Festimet e këtij njëqindvjetori qenë një shfaqje pozitive e shoqërisë shqiptare dhe klasës së saj drejtuese, në drejtim të pohimit të vlerave historike të kombit që, megjithëse i ndarë në përvoja të ndryshme shtetërore, tregoi se, në pjesën më të madhe të tij, mbetet i lidhur shpirtërisht me to. Pamjet e ndryshme të festimeve, që do të ngelin për një kohë të gjatë në kujtesën tonë, jo vetëm në truallin e Shqipërisë zyrtare, por dhe në atë të asaj virtuale, tregojnë se çështja kombëtare, e traumatizuar deri në asgjësim në gjysëm shekullin komunist, po përtërihet e fuqizohet, jo aq për meritë të koniukturave të politikës, se sa për një shtysë të brëndëshme të faktorit psikologjik e mendor të bashkësisë shqipfolëse kudo. Ai entuziazëm i njëqind vjetorit të Pavarësisë, me të gjitha këndvështrimet e tij politike, kulturore e rivlerësuese të trashëgimisë historike nën një prizëm respektues të së vërtetës së saj, për herë të parë mbas afër 70 vjetësh, qe një motiv i veçantë kënaqësie për këdo që, në botën e sotme, vazhdon të ruajë e të pasurojë identitetin kombëtar.
Si në çdo veprimtari të zgjeruar shtetërore, për të cilën mund të ketë gjithmonë vërejtje, edhe në organizimin e saj mund të shmangej ndonjë shfaqje folklorike e pavend si ajo e tortës në kryeqytet, por në përgjithësi, mendoj se organizimi i festës së madhe nuk çaloi e organizatorët duhen përgëzuar.
Lë për të dëshëruar, simbas mendimit tim, kundërveprimi i një pjese të politikës, asaj të majtë pas komuniste që, para pohimit të guximshëm të problemit kombëtar nga ana e kryeministrit në raste të ndryshme, doli me kritika të hapura që i u bashkëngjitën atyre të qarqeve qeveritare të Vendeve fqinjë. Qeveria dhe kryeministri në vitet e fundit, si pasojë e real-politikës dhe “porosive” të ndërkombëtarëve, patën luhatjet e tyre në pohimin dhe përballimin e atij problemi, që me gjithë ndryshimin e kohëve, mbetet më thelbësori i shoqërisë shqipfolëse. Një klasë politike përgjegjëse dhe e vetëdijshme për rolin e saj, para çështjesh madhore, siç është ajo e bashkimit kombëtar të shqiptarëve, ulet në tryezë dhe harton një strategji synimesh që mbeten si program veprimi për këdo që merr pushtetin. Çështja kombëtare, që prej një shekulli ka kushtëzuar të gjithë jetën politike e kulturore të shqiptarëve pa gjetur zgjidhje, duhet të jetë edhe sot një gur prove për klasën politike shqiptare. Termi “nacionalizëm primitiv” nuk tregon modernizim konceptesh, mbasi nacionalizmi si shprehje e dëshirës për të jetuar në një atdhe të përbashkët për të gjithë shqiptarët, mbetet gjithmonë një synim që, sigurisht, do t’i përshtatet ndryshimeve të botës, përsa i përket sendërtimit, që do të bëjë kompromiset e domosdoshme, por që nuk ka nevojë për epitete denigruese që nuk i bëjnë nder atyre që i shqiptojnë.
Fryma e bashkëpunimit për çështjet e mëdha të kombit duhet të jetë një detyrë, zbatimi i së cilës duhet të jetë mbi kundërshtitë, mëritë, programet e ndryshme politike, formimet e ndryshme kulturore, interesat e ndryshme të grupeve, partive apo individëve. Fundi i 2012-ës na solli dhe një lajm të keq, që më duket se nuk gjeti sa duhet shqetësim në shoqërinë shqiptare dhe mjetet e saj të shprehjes së opinioneve. Qe refuzimi për të tretin vit rradhazi i kërkesës për statusin e Vendit kandidat për t’u integruar në Bashkimin Evropian. Sa i takon politikës sonë, mangësia e saj në përcaktimin e atij vendimi negativ apo shqetësimeve të vetë Evropës së Bashkuar në pështjellimin e një krize financiare dhe ekonomike të pashëmbullt në historinë e saj, është një çështje e diskutueshme. Ne nuk mund të ndikojmë në faktorët përcaktues të fateve të kontinentit, por duhet të jemi të ndërgjegjshëm se duhet të kryejmë deri në një detyrat tona për të “kaluar klasën”.
Fakti që për herë të tretë “mbesim në klasë” duhet të na bëjë të thellohemi në përsiatjet tona, si qytetarë të këtij Vendi që në vetëdijën e tij ka bërë një zgjedhje të qartë : të jetë pjesë e Evropës së Bashkuar, të bashkojë fatin e tij me atë të kontinentit të cilit i përket gjeografikisht, historikisht, kulturalisht e shpirtërisht. Fakti që edhe në këtë proçes kontinental ne rrezikojmë të mbetemi të fundit, madje edhe mbrapa Serbisë që, jo më shumë se 13 vjet më parë, ishte në luftë me pjesën më të madhe t’Evropës, duhet të na bëjë t’a shohim me një sy tepër të mprehtë e kritik të gjithë punën tonë n’atë drejtim. Roli i politikës në këtë proçes vendimtar për fatet e Shqipërisë mbetet i dorës së parë, veprimtaria e saj mjaft e diskutueshme. Premtimet se çdo fund viti do t’i a arrijmë synimit nanurisin shpresat e shqiptarëve gjatë gjithë vitit, për të përfunduar në një shkëmbim akuzash të ndërsjellta mes dy forcave kryesore politike, mbas çdo dështimi janë kthyer në një dukuri sa të dhimbshme aq dhe qesharake. Opinioni publik vazhdon të zhvillojë këtë shkëmbim padish, pa u thelluar në analizën për të zbuluar një të vërtetë të hidhur : klasa politike, në tërësinë e saj, krijon përshtypjen se nuk e dëshiron bashkimin me Evropën dhe bën çmos të mos arrijë në të.
Nuk e dëshiron mbasi prania n’Evropë ka detyrime të cilat do të cënonin “pavarësinë” e veprimeve të saj. Ndryshe nuk ka si shpjegohet fakti që parametrat e kërkuara nuk “plotësohen” kurrë. Me gjithë ndërhyrjen këmbëngulëse të institucioneve të Evropës për të gjetur një marrëveshje mes përbërësve të klasës politike që do të bënte të mundur plotësimin e atyre parametrave, duket se synimi i përgjithshëm është e kundërta. Problemi dhe pengesa kryesore e mos plotësimit të tyre qëndron në korrupsionin e gjërë që karakterizon një pjesë të mirë të jetës politike shqiptare me ndonjë përjashtim të rrallë. Ka njëzet vjet që politikanët padisin publikisht njëri tjetrin, apo më saktë kundërshtarin për korrupsion. Është në sytë e të gjithëve pasurimi i mjaft prej politikanëve të të gjitha niveleve, standarti i tyre i jetesës që nuk përligjet nga shpërblimi zyrtar i punës së tyre. Në bazë të këtij pasurimi, nuk mund të jetë tjetër veç mitmarrjes në forma e mënyra të ndryshme. Nuk është i vetëm Vendi ynë në këtë rrugë, në Lindje e në Perëndim. Por paraqet një veçanti të rrezikëshme, nuk e lufton seriozisht korrupsionin në fushën e administratës publike, madje jep përshtypjen se sa më lart ngjiten shkallët e saj, në mbrojtje të keqbërësve vihen dhe organet e ligjëshmërisë, gjykatat. Kjo është dukuria më shqetësuese sepse aty ku nuk funksionojnë organet e Drejtësisë nuk kuptohet se ku mund të varen shpresat e qytetarit të ndershëm për të jetuar në një Vend normal.
Para se të hynte në Evropë Rumania, që përballohej me të njëjtat probleme të korrupsionit pas komunist si ne, ose ndoshta më keq, gjeti forcën të kalojë në proçese penale më shumë se 1400 vetë, të paditur për krime e shkelje të formave të ndryshme, njerëz që vinin nga funksione shtetërore të rëndësishme, duke filluar nga maja e piramidës qeveritare. Tek ne një dukuri e tillë është e pakonceptueshme. Edhe një rast, që u duk se mund të ishte një fillim i mirë i një kursi të ri, siç ishte ai i ish ministrit Meta, fajësia e të cilit provohej nga filmime të quajtura të sakta nga ekspertët e FBI-së amerikane, u mbyll me një vendim gjyqi për pafajsinë e t’akuzuarit! Në Tiranë një gjyqtare, “ish e përndjekur politike”, jep një vendim “paligjëshmërie” për grevën e urisë të disa ish të burgosurve politikë! Ndërsa në Fier gjykata merr në shqyrtim e jep vendime në kundërshtim me një të tillë të Gjykatës së lartë, që e përjashton me të drejtë si materie të punës së saj shqyrtimin e ndryshimit të barazpeshave politike të organeve të zgjedhura, si pasojë e kalimit nga një formacion në një tjetër të “tregtarve të flamujve”
Ky është një nga arsyet e dështimit të sipërmarrjes shqiptare në Evropë e dëmi që pëson Vendi është tepër i madh. Një Vend ku sistemi i Drejtësisë ka këto rezultate nuk mund të jetë pjesë e Bashkimit Evropian. Një klasë politike që shpreh institucione të këtilla nuk ka asnjë interes të bëhet pjestare e një bashkësie, në të cilën do të ishte nën një mbikqyrje të vazhdueshme që mund të vinte në pikëpyetje vetë qënien e saj.
Mesazhi i Evropës për shqiptarët është i qartë. U takon atyre të nxjerrin prej tij mësimin e duhur e të mos njëjtësohen me të keqen. Në çdo demokraci ka mjete e mënyra të larmishme për të kërkuar ndryshimet e një opinion publik i shëndoshë duhet të gjejë kurajën dhe fuqinë për të gjetur rrugën e drejtë të sendërtimit të tyre.
Janar 2013