Nga Faik KRASNIQI/
Një nga ngjarjet më të rëndësishme që ia vlen të përmendet gjatë vitit 2013, ishin zgjedhjet lokale të mbajtura në Kosovë! Zgjedhjet lokale të 3 nëntorit, ishin zgjedhjet më të mira të organizuara ndonjëherë në Kosovë, që prej përfundimit të luftës. Votuesit në Kosovë kësaj radhe votuan në mënyrën më të mençur, duke i ndëshkuar shumicën e kandidatëve për keqqeverisje. Partitë politike edhe pse pësuan debakël të vërtetë në këto zgjedhje lokale, secila prej tyre në mënyrën e vetë humbjen e interpretuan si ‘’fitore’’. Pothuajse të gjitha partitë u deklaruan të kënaqura me zgjedhje.
Vit i bashkimit kombëtar!
Ka ardhur koha e duhur që të reflektojmë dhe t’i tregojmë Evropës dhe gjithë Botës se Bashkimi Kombëtar nuk bëhet në dëm të ndokujt, bashkimi bëhet për interes të shqiptarëve dhe është punë që duhet të përkrahet… Bashkimi është çështje natyrale, shoqërore, fisnike, e mirë, pozitive dhe është në favor të Ballkanit dhe Evropës. Bashkimi i shqiptarëve si e drejtë natyrale do të ndodhë dhe duhet të ndodhë sa më parë… Kemi një gjuhë, një flamur, një gjak dhe një emër, jemi një! Shqiptarët e të gjitha trojeve etnike shqiptare duhet të bashkohen dhe të kenë një shtet, një qeveri, një parlament, një president, një kryeministër, një ushtri, një ligë, një kombëtare, dhe si përfundim, shqiptarët do të quhen shqiptarë, Albania, dhe jo më Kosova e ‘’kosovarë’’, ‘’maqedonas’’ e tetovarë, ‘’çamë’’, ‘’malazezë’’ etj, pra të gjithë do të prezantohen në botë si ‘’albanian people’’ (komb shqiptar)… Bashkimi është një gjë e cila do të ndodhë patjetër… është vetëm pyetje kohe, edhe pse mendoj se do të kaloj një kohë pak si e gjatë…! Shqipëria duhet të kthehet në formën e saj natyrale, prandaj edhe është natyrale që do të vijë bashkimi…! Ri-Bashkimi i trojeve etnike shqiptare duhet të arrihet edhe me diplomaci, që për fat të keq na mungon si shtet dhe qeveri… Po nuk u ribashkuan Shqipëria, Kosova, Kosova Lindore, Arbëria (Maqedonia), Malësia (Mali i Zi) dhe Çamëria, shqiptarët në Ballkan s’kanë për të përparuar… Ri-Bashkimi i Shqipërisë është e vetmja alternativ.
Vit i punës, shpresës dhe reflektimit!
Kosova ka nevojë për udhëheqës të ndërgjegjshëm. Lufta kundër korrupsionit, kriminalitetit, drogës, tregtisë me qeniet njerëzore, prostitucionit duhet të jetë një nga detyrat kryesore. Hapja e vendeve të reja të punës, zhvillimi i bujqësisë ndihma që duhet dhënë për t’ju kthyer njerëzit tokës, krijimi i kushteve për tërheqjen e investimeve nga jashtë, rregullimi i sistemit shëndetësor të pastruar prej korrupsionit për të ofruar shërbim të gjithë qytetarëve. Sistemi i shkollimit, në të duhet të bëhen investimet më të mëdha ngase aty është zhvillimi, duhet krijuar kushte që studenti që kryen fakultetin të ketë mundësi punësimi, e shumë e shumë të tjera që duhet bërë për të dërguar vendin përpara.Të bëjmë që ky vit që po vjen të jetë vit i fillimit të veprimeve konkrete të mëdha, vit i kthesës së madhe, vit që do i jep fund një periudhë të errët e do kthejë shpresën për një ardhmëri më të mirë, të shikojmë përpara të marrim guximin të vejmë në lëvizje të gjithë potencialin që posedojmë e të bashkohemi në një të vetmin qëllim ta bëjmë Shqipërinë Natyrale, atdheun tonë, vend ku do mund të jetojmë me dinjitet! Le të jetë ky vit një vit i realizimit të dëshirave dhe aspiratave tona! Gëzuar Viti i Ri!