Behlul Jashari/
Viti i Ri
Viti plak ka lëshue mustakë
Viti i ri – vjen gëzim i ri
Duke e pritur ç’më zgjaten veshtë
si t’mi ngrehin për ditëlindje
dymbëdhjetë muaj pres në rresht –
vetëm për një vit rrite.
Ruaji veshët më thotë dikush
se mos bëhesh lepurush!
Vjen me një balon peshqeshe
Babadimri ynë i mirë
Sikur të ishin ato pesëshe
Sa shumë, sa shumë kam dëshirë!
Mësuesja thotë – dëshirë e mirë,
e plotëson vetëm kush mëson.
S’pikë e mira vet nga qielli
as Viti i Ri vet s’e sjell
flet bab’dimri si bab’gjyshi
gjithë e korrë atë që e mbjell
Mos u bën përtac thotë prralla
se i bie fyellit si gjinkalla
Tek dëgjoi i curroi veshtë
si në orë mësimi
vjet për vjet vijnë klasët rresht
më rritë shkolla e gëzimi.
Rritu pa dro, thotë gjithkush –
njeriu s’bëhet lepurush.
(Shënim i 26 Dhjetorit 2022: Kjo është një vjershë e fëmijërisë sime, që e përshkruajta sot nga dorëshkrimi. Është një nga dorëshkrimet e mia letrare të pakëta që i shpëtuan zjarrit e zhdukjes gjatë luftës në Kosovë në vitet 1998-1999. Pas muajëve që i kalova si refugjat lufte, kur u ktheva në Kosovë shumë dorëshkrime të tjera, mes tyre dy libra poezishë, nuk i gjeta ku i kisha lënë a fshehur. Forcat serbe edhe kishin uzurpuar banesën time, ku nuk munda të shkoja kur duke raportuar si gazetar i akreditur te forca më e madhe ushtarake planetare nga kolona e tankeve të para të NATO-s që hyri në Kosovë në Ditën e Lirisë – 12 Qershor 1999 mbërrita në Prishtinë…)