


Rafaela Prifti/
Nga datat 12 deri në 15 korrik, F’Oda mbajti takimin e dytë vjetor në UBT – University of Business and Technology, Lipjan, Kosovë. E krijuar nga një grup vajzash në diasporë, të cilat janë diplomuar në profile të ndryshme akademike, F’Oda është një koncept dhe hapësirë “për çika, nga çika” që sfidon normat patriarkale të shoqërisë shqiptare, siç është Oda e Burrave.
Tema qendrore e takimit treditor ishin të drejtat riprodhuese, të fokusuara në edukimin seksual dhe perceptimin e trupit të grave dhe vajzave. Fokusi i këtij takimi ishte autonomia fizike, mendore e shpirtërore e femrës. F’Oda ju jep një platformë femrave nga gjithë hapësira shqiptare të flasin për veten, për përvojat dhe sfidat e tyre. Samiti i këtij viti vjen pas disa tubimeve dhe protestave solidarizuese të F’Odës të mbajtura në Nju Jork për rastet tragjike të abuzimeve apo dhunës seksuale në shoqërinë shqiptare, si edhe një dukuri e rrezikshme globale.
Djellza Pulatani, Presidentja e F’Odës, në ceremoninë e hapjes tha se “Në këtë hapësirë, si fizikisht ashtu edhe simbolikisht, vajzat shihen, dëgjohen dhe vlerësohen.”
Pse ka rëndësi takimi vjetor i F’Odës?
F’Oda trajton natyrën e shumanshme të të drejtave riprodhuese, të cilat “nuk janë më probleme të grave,” por një nocion kyç për gjithë shoqërinë dhe për më tepër i lidhur ngushtë me të ardhmen e njerëzimit. Nisur nga ky këndvështrim i kristalizuar në samitin e parë vitin e kaluar, grupi themelues i F’Odës ka tashmë gjashtë studente të cilat janë ambasadore të F’Odës: Kosovare Hamiti, Fjolla Shala, Shkëndije Krasniqi, Klea Vezaj, Alketa Berisha dhe Shqipe Shala.
Ndryshimi është një proces shumë i gjatë dhe për të arritur aty “duhet të jemi të gjithë së bashku kundër pabarazisë gjinore,” vërejti Djellza.
Fjalën kryesore e mbajti Zëvendës Kryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla Schwarz, përkrahëse e F’Odës dhe zë i fuqishëm për të drejtat e grave. Ministrja Gërvalla paraqiti panoramën e kontrasteve që tregojnë ecurinë në kontekstin e pozitës së gruas në shoqëri dhe sa shumë duhet bërë jo vetëm për efekte numerike në këtë aspekt, por për të pasur një mendësi dhe botëkuptim të qytetëruar.
F’Oda 2024 – 2025
Pjesëmarrësit ishin mbledhur përpara hyrjes së UBT-së, Lipjan, rreth dhjetë kilometra nga Prishtina. Disa prej të pranishmëve ishin ulur në një ‘odë’ të hapur natyrore, ku ishin shtruar “tepitë” dhe minderët si edhe sofra me ushqime tradiocionale. Prezantimi ishte bashkëkohor dhe kundrëvënia vizuale ishte e qëlluar. Në sheshin e oborrit të UBT-së binte në sy aneksi i sapopërfunduar “i pagëzuar” me emrin e bamirësit dhe aktivistit të njohur shqiptar-amerikan, Jim Xhema.
Organizatoret shprehën mirënjohje për bashkëpunëtorët si edhe “për ata që e kanë sfiduar dhe nuk e kanë kuptuar punën e shoqatës.” Kryetarja e F’Odës, e sapodiplomuar nga Fordham University, Nju Jork, në degën e marrëdhënieve ndërkombëtare, premtoi se “puna jonë do të vazhdojë sado e vështirë të jetë.” Si hapësirë mikpritëse e takimit të F’Odës, “UBT me misionin e nxitjes se inovacionit dhe fuqizimin e komuniteteve përputhet në mënyrë të përkryer me misionin tonë,” tha Djellza Pulatani, e cila prezantoi me radhë folëset dhe bashkëpunëtoret e F’Odës për takimin vjetor 2024: Rina Demiri Spahija, Drejtoreshë Ekzekutive e AMC Kosova, Sihana Bejtullahu, Drejtoreshë Ekzekutive e Germin, platformë vendimtare për mbledhjen e fondeve për F’Odën së bashku me Global Albanian Foundation, Erisa Jakupi dhe Janine Mehmeti, Bashkë-Kryetare Ekzekutive të Agjencisë Think B. Në fund, organizatoret falenderuan kontributorët e takimit: Dr.Elizabeta Peraj, Marku Law & Associates Gjonbalaj Family, Farida Studio, Mp Construction D Inc., Hajde Foundation, Los Noventas, Coca Cola, Radenska, Ujë Rugove, QIKA Org., Kosovo Women’s Network, Theranda Wine. Gazeta Dielli ishte e ftuar speciale në takim.