

Komuniteti Katolik Shqiptar në Mbretërinë e Bashkuar shpreh mirënjohjen e tij të thellë për vizitën baritore të Hirësisë së Tij, Kardinal Ernest Simoni Troshani.
Kjo vizitë përbën një moment të rëndësishëm shpirtëror dhe kishtar për komunitetin tonë, duke sjellë dëshminë e gjallë të fesë, shpresës dhe qëndrueshmërisë së krishterë.
Gjatë vizitës së tij, Kardinali mori pjesë në një sërë takimesh dhe kremtimesh liturgjike në Londër dhe Manchester. Programi i vizitës nisi me një pritje në Parlamentin e Westminsterit, ku ai u mirëprit nga dy ambasadorët shqiptarë Zr Ilir Kapiti dhe Zr Uran Ferizi, së bashku me deputetë të Partisë Konservatore të Mbretërisë së Bashkuar.
Kardinali gjithashtu kremtoi Meshën Solemne në Katedralen Westminsterit dhe mori pjesë në kremtime me komunitetin katolik shqiptar, ku u mirëprit me respekt dhe dashuri nga mëse 3000 besimtarë.
Komuniteti shpreh falënderim të veçantë për të gjithë meshtarët, rregulltarët, organizatorët, vullnetarët dhe bamirësit që mundësuan realizimin me dinjitet të kësaj vizite.
Duke përmbyllur këtë vizitë të bekuar, lutemi që frytet e saj shpirtërore të mbeten në zemrat tona dhe që bekimi i Kardinal Ernestit të qëndrojë mbi familjet tona dhe mbarë komunitetin shqiptar, me ndërmjetësimin e Zojës së Këshillit të Mirë dhe të Shën Nënë Terezës.
Copyright © Valentin Vuçaj