

Arber Kapllani – Dallas,Texas/
Vizita e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, në Dallas u shndërrua në një nga momentet më të rëndësishme për komunitetin shqiptar në Teksas. Gjatë një qëndrimi dyditor në rajonin Dallas–Fort Worth, Presidenti, i shoqëruar nga Ambasadori i Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara, Ervin Bushati, dhe delegacioni zyrtar, zhvilloi një sërë takimesh me komunitetin shqiptar dhe përfaqësues të institucioneve lokale.
Vizita u organizua në ambientet e Albanian American Cultural Center of Texas (Qendra Kulturore Shqiptaro-Amerikane në Teksas), një institucion që prej vitesh është kthyer në një pikë referimi për jetën kulturore, arsimore dhe shoqërore të shqiptarëve në këtë rajon.
Vizita u përjetua si një moment krenarie dhe bashkimi për diasporën shqiptare në Teksas, duke riafirmuar lidhjet e forta midis komunitetit shqiptar dhe institucioneve të Republikës së Shqipërisë.
Dita e parë – Takimi me komunitetin shqiptar
Presidenti Begaj dhe delegacioni zyrtar u pritën nga drejtuesit e AACC Texas – Qendrës Kulturore Shqiptaro-Amerikane në Teksas. Që në momentet e para u vendos fryma e kësaj vizite: një atmosferë e hapur, e ngrohtë dhe shumë e afërt me komunitetin.
Delegacioni preferoi të lëvizte në këmbë në zonën përreth qendrës, duke ndaluar për të përshëndetur dhe për të biseduar me familje shqiptare që jetojnë në këtë zonë. Ky kontakt i drejtpërdrejtë krijoi një atmosferë të çlirët dhe shumë miqësore, duke e kthyer vizitën në një takim të natyrshëm mes bashkëkombasve.
Në ambientet e qendrës komunitare, qindra shqiptarë ishin mbledhur për të nderuar vizitën e kreut të shtetit shqiptar. Organizatorët nga AACC Texas kishin përgatitur një ambient ceremonial ku simbolet kombëtare shqiptare ndërthureshin në mënyrë harmonike me protokollin që i përshtatej një vizite të nivelit më të lartë shtetëror.
Gjatë vizitës në qendër, Presidenti dhe Zonja e Parë i dhuruan bibliotekës së qendrës një libër-album të shkrimtarit të madh shqiptar Ismail Kadare, një dhuratë simbolike që pasuron fondin kulturor të institucionit dhe që përfaqëson një lidhje të bukur midis kulturës shqiptare dhe brezave të rinj të diasporës.
Delegacioni vijoi më pas në zyrën e Kryetarit të Bordit të AACC Texas, ku iu prezantua aktiviteti shumëvjeçar i qendrës në shërbim të komunitetit shqiptar në Teksas. Presidenti pati mundësinë të shohë nga afër edhe një hapësirë të veçantë të mbushur me simbolet kryesore kombëtare shqiptare, një ndalesë që reflekton krenarinë dhe përkushtimin e komunitetit për të ruajtur identitetin e tij.
Vizita vijoi në klasat e Shkollës Shqipe DFW, ku Presidenti dhe delegacioni u njohën nga afër me mësueset dhe nxënësit e shkollës. Në një atmosferë shumë familjare, Presidenti bisedoi me fëmijët dhe u interesua për mësimin e gjuhës shqipe dhe për aktivitetet e tyre.
Ceremonia me komunitetin
Pas vizitës në shkollë, delegacioni iu drejtua sallës kryesore të qendrës, ku qindra bashkëkombas ishin mbledhur për të qenë pjesë e këtij momenti të rëndësishëm për komunitetin shqiptar në Dallas–Fort Worth.
Ceremonia u moderua nga Eva Alushaj, njëkohësisht anëtare e Këshillit të Prindërve të Shkollës Shqipe. Aktiviteti u hap me interpretimin e Himnit Kombëtar të Republikës së Shqipërisë dhe të Himnit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Fjalimet zyrtare
Fjalën e mirëseardhjes e mbajti Kryetari i AACC Texas, i cili në emër të Bordit Drejtues dhe të komunitetit shqiptar në rajonin Dallas–Fort Worth falënderoi Presidentin për vizitën dhe për vëmendjen e treguar ndaj diasporës shqiptare në Shtetet e Bashkuara. Ai theksoi rëndësinë e institucioneve komunitare në ruajtjen e gjuhës dhe kulturës shqiptare.
Më pas fjalën e mori gjyqtari i Collin County, Christopher Hill, i cili përshëndeti komunitetin shqiptar dhe vlerësoi kontributin që shqiptarët japin në jetën ekonomike dhe shoqërore të rajonit.
Momenti kulmor i ceremonisë ishte fjala e Presidentit të Republikës së Shqipërisë. Në fjalën e tij drejtuar bashkëkombasve, Presidenti Begaj shprehu mirënjohjen dhe respektin për shqiptarët që jetojnë dhe veprojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ai vlerësoi veçanërisht komunitetin shqiptar në Dallas dhe në gjithë rajonin Dallas–Fort Worth, duke e cilësuar atë si një nga komunitetet më dinamike dhe më të organizuara të diasporës shqiptare. Presidenti theksoi se ishte një emocion dhe kënaqësi e veçantë për të që të ndodhej mes kaq shumë shqiptarëve në Dallas, në atë që ai e përshkroi me krenari si një “Shqiptari në zemër të Teksasit.”
Të pranishmit në sallë e ndoqën fjalën e Presidentit me kuriozitet dhe emocion të veçantë, duke reaguar me duartrokitje të shpeshta gjatë fjalimit.
Një moment simbolik i ceremonisë ishte dorëzimi i një mirënjohjeje zyrtare nga AACC Texas për Presidentin e Republikës së Shqipërisë.
Programi artistik u pasurua me interpretimin e nxënëses së Shkollës Shqipe DFW, Joel Prozllomi.
Në përfundim të ceremonisë u realizuan fotografitë zyrtare me Bordin Drejtues të AACC Texas, me nxënësit dhe mësuesit e shkollës dhe me familjet e komunitetit. Presidenti dhe delegacioni patën mundësinë të takohen nga afër me shumë prej të pranishmëve në sallë, duke shkëmbyer biseda të shkurtra dhe duke realizuar fotografi familjare me bashkëkombasit.
E gjithë ceremonia u karakterizua nga një frymë e lartë respekti, qytetarie dhe krenarie kombëtare.
Një rol të rëndësishëm në mbarëvajtjen e ceremonisë patën edhe prindërit e nxënësve të Shkollës Shqipe, veçanërisht anëtarët e Këshillit të Prindërve, të cilët në mënyrë vullnetare kontribuan në organizimin dhe koordinimin e shumë nevojave praktike të aktivitetit.
Dita e dytë e vizitës
Në ditën e dytë të qëndrimit në Dallas, Presidenti zhvilloi një takim privat me kongresmenin amerikan Keith Self.
Pas këtij takimi, Presidenti vizitoi një nga partnerët kryesorë të rrjetit të bizneseve shqiptare dhe të AACC Texas.
Presidenti zhvilloi gjithashtu një takim me drejtuesit e Bordit të AACC Texas, ku u vlerësua organizimi i vizitës dhe u diskutuan ide mbi zhvillimin dhe vizionin e komunitetit shqiptar në këtë rajon.
Një moment shumë domethënës dhe prekës i vizitës ishte kërkesa e veçantë e Presidentit për të vizituar vendin e prehjes së dëshmorit shqiptaro-amerikan Ervin Dervishi, ku ai pati edhe një takim personal me familjarët e tij.
Falënderim për Bordin Drejtues të Qendrës
Një falënderim i veçantë i drejtohet Bordit Drejtues të Albanian American Cultural Center of Texas për përkushtimin dhe punën e palodhur në organizimin dhe realizimin e kësaj vizite.
Bordi Drejtues përbëhet nga:
Visar Visoka – President
Bekim Ademi – Zëvendës President
Petrit Krasniqi – Financier
Mërgim Neziraj – Sekretar
Arber Kapllani – Drejtues Ekzekutiv
Resmije Kaba – Zëvendës Sekretare
Mida Derguti – Programet Artistike dhe Social-Kulturore
Florenc Leshnja – Partneriteti me Biznesin
Meti Dibra – Çështjet Ligjore dhe Organizative
Falë përkushtimit dhe bashkëpunimit të tyre, si dhe angazhimit të shumë vullnetarëve dhe anëtarëve të komunitetit, kjo vizitë u organizua me sukses dhe u shndërrua në një moment të veçantë bashkimi për shqiptarët e Teksasit.
Impakti i vizitës
Vizita e Presidentit të Republikës së Shqipërisë në Dallas la një mbresë të veçantë tek komuniteti shqiptar dhe më gjerë.
Me thjeshtësinë dhe qasjen e tij të afërt, Presidenti Begaj dhe delegacioni arritën të krijonin një frymë të lartë respekti dhe emocioni tek bashkëkombasit që morën pjesë në ceremoni. Atmosfera e ngrohtë e aktivitetit u reflektua edhe tek komuniteti lokal, përfshirë banorët përreth qendrës dhe qytetarë të shumtë që ndoqën me interes vizitën.
Forcat e sigurisë të angazhuara gjatë vizitës, si dhe personeli i hotelit ku u akomodua delegacioni, shprehën respektin dhe falënderimet e tyre për bashkëpunimin dhe për atmosferën miqësore që karakterizoi gjithë qëndrimin e delegacionit. Në përfundim të vizitës u realizuan edhe fotografi miqësore në grup, në një moment spontan që pasqyroi frymën e respektit dhe mirëkuptimit që shoqëroi këtë ngjarje.
Vizita e Presidentit në Dallas u përjetua nga komuniteti shqiptar si një moment krenarie dhe bashkimi, duke riafirmuar lidhjen e fortë të diasporës me Shqipërinë dhe duke dëshmuar se shqiptarët, kudo që jetojnë, vazhdojnë të mbajnë gjallë gjuhën, kulturën dhe traditat e tyre.