SHKRUAN:PËLLUMB GORICA/
Gjithmonë i pres me dëshirë udhëtimet eksploruese në gjirin e natyrës aq më shumë, në ato vende që lidhen me histori misteresh. Kur udhëton nëpër peizazhet piktoreske të trevës së Elbasanit, sikur heq nga supet rutinën e përditshmërisë dhe me gëzim lëshohesh në monumentet e natyrës piktoreske. Udhëtimi drej natyrës piktoreske të Byshekut është vërtet kënaqësi.
Bysheku ndodhet, 7 km nga qyteti i Elbasanit, në një zone disi të pyllëzuar, pjesë e krahinës së Shpatit. Vend i bukur me histori e legjenda mbresëlenëse, me njerëz të mençur, krenarë e shumë bujarë.
Rruga për atje ndjek rrjedhën e kundërt të lumit Shkumbin, ku natyra ka krijuar një luginë piktoreske. Kushdo që vjen këtu ndihet i mrekulluar nga larmia e koloritit të natyrës, që harmonizohet me ndërtimet, të cilat shndrisin nën rrezet e diellit. Kjo larmi e peizazhit e bënë më interesant udhëtimin tonë e të shoqëron këndshëm. Fshatrat janë të sistemuara me shtëpi të reja, toka të mbjella me bimë bujqësore e pemë frutore. Përtej luginës, përfund një pylli me plepa, shelgje e rrepe si një shirit ngjyrash, rrjedh lumi Shkumbin, ndërsa tutje nga lindja mali Bukanik të shfaqet madhështor, dhe të afron pamje të tjera të mrekullueshme e të papërsëritshme. Ai këtu është i menjëhershëm në ngjitje dhe i rri si mburojë kësaj lugine. Ecim rrugës dredha – dredha, duke soditur peizazhet. Një flladi i lehtë me aromë frutash të përkëdhel fytyrën. Ndërsa qiell i kaltër dhe dielli të përshëndet, sikur natyra ka vendosur të na e bëj dhuratë këtë ditë. Përpara të shpaloset me tërë bukurinë e saj të rrallë panorama e Byshekut: një mrekulli e natyrës me një sharm mahnitës. Rrepet janë një tipar i veçantë dhe pasuri drusore monumentale, ashtu siç është një tjetër karakteristikë e këtij vendi freskia. Është ajo çka përbën mbresën e parë sapo shkel këtu.
– Është një kënd vërtet shumë i veçantë, – të thotë Ahmet Mehmeti, miku ynë poet, por edhe specialist i njohur i pylltarisë. Bysheku është një kontrast jetsor përballë ajrit të ndotur dhe betonizimit pa kriter. Ndaj, peizazhi i tij në çdo stinë të mrekullon me çlodhjen, qetësinë, argëtimin.
Dora e “piktores” së paarritshme, Vjeshtë në këtë peizazh të bën ta përjetosh të
bukurën emocionalisht. Pranë drurëve të moçëm, i sistemuar në vija e kanale gurgullon uji i pastër, e i ftohtë, që rrjedh nga shumë burime, ndërmjet të çarave
të shkëmbit të hirtë, duke shpërndarë currila të arta nëpër bimësinë ujore. Më tej, uji pasi merr me vete gjethet e zverdhura, si një telajo e pikturuar me ngjyra të djellta, të rëna aty, krijon turbulenca, e pastaj tretet ngadalë nëpër zall drejt lumit Shkumbin. Lumi Shkumbin, që rrjedh pak metra më poshtë, dhe që është ca i fryrë nga shirat e këtyre ditëve, rrjedh me mërmërimën e tij të këndshme në shtratin e stërlashtë drejt detit Adriatik. Bashkë me fëshfërimën e rrepeve ai të freskon akoma më shumë. I ngjan një simfonie kjo mërmërimë, duke të relaksuar skajshmërisht e të rrëmben befasishëm, dhe patjetër duke të bërë për vete.
Mundohem ato t’i fiksojmë në celuloid, që të mbeten në memorien dixhitale për brezat.
Të befason dhe të magjeps pamja e drurëve shekullorë, të zgavruar nga koha dhe zjarri, që mezi i pushtojnë 5 burra. I prek me sy tej e tej këto monumente të gjelbra të natyrës, që kanë vlera historike. Ato kanë histori interesante, që ende
tregohet edhe sot. Ajo zë fill tek e ashtuquajtura mbjellje e rrepeve si hunj. Këtu dikur në këtë vend mendohet se ka egzistuar një stacion udhëtarësh ku pushonin karvanet dhe këto drurë rrepesh janë hujtë e ngulur, për të lidhur kuajt. Madje tregohet se garnizonet turke e kishin vend pushimi për t’u çlodhur e përtërirë energjitë nga rruga e gjatë. Bysheku është një vendbanim i vjetër. Aty ka kaluar via Egnatia, fragmente të së cilës gjenden në afërsi të tij. Në shekujt e parë të pushtimit turk është njohur me emrin Bozursek. Me ndryshimet e mëvonshme
etimologjike ai mori emrin Byshek. Sipas hulumtimeve të historianëve të krahinës, Bysheku, në mesjetë ishte një vendbanim i madh me shtëpi afër njëra – tjetrës, ku macja hidhej aq lehtë nga njëra çati te tjetra në të gjithë territorin kushtrihej. Është vendi ku janë shpalosur ngjarje të rëndësishme historike të trevës së Elbasanit. Këtu janë zhvilluar dy beteja të përgjakshme në shekullin e XV.
Ndërsa në fillim të shekullit të kaluar ishte bazë e çetave patriotike që vepronin
në Shpat. Historia dhe lumi rrjedhin pranë njëri tjetrit. Bysheku është i pëlqyer jo vetëm nga banorët e rrethinave, por sidomos nga ata të qyteteve: Elbasan, Tiranë, Peqin,Cërrik. Mbase në vitet e periudhës komuniste nuk ishte dhe kaq i mirëmbajtur, por gjithsesi frekuentohej kryesisht nga banorë të Elbasanit. Në stinën e dasmave, ata, që lidhin kurorë, vijnë këtu e vazhdojnë të shpalosin mrekullisht traditën pagane të pagëzimit të çifteve me ujin e këtij burimi për t’i patur si kujtime të ditës më të bukur të jetës së tyre, e natyrisht edhe pamjet piktoreske të rrepeve madhështore të Byrshekut. Por më i gjallërueshëm, Bysheku shfaqet në Ditën e Verës, festës më tradicionale të trevës së Elbasanit, nga moshat të ndryshme. Vendasit sigurisht janë krenar me këto bukuri, që u ka falur natyra, me koloritin dhe ndërthurjen e objekteve, por u duhet ta mirëmbajnë këtë perlë.
Fryn era e Krastës dhe uturima e rrjedhës të krijon në shpirt një ndjesi gati hyjnore me emocione të veçanta. Të frymëzon peizazhi mbresëlënës me çastet e mrekullueshme miqësore. Në këtë natyrë piktoreske orët kalojnë të mbushura me çaste mbresëlënëse dhe bisedat për poezinë, historinë, pasionet, udhëtimet, miqtë, por edhe me me gatimet tradicionale të krahinës. Gjen edhe humor të çiltër me dëshirën për të ardhur sërish këtu në këtë natyrë të paqtë vjeshte.
Bysheku është atje i mbuluar me një mjegull të përpurt enigmash historie dhe
kolorit vjeshte. Në horizont mali i Bukanikut këmben ende me qiellin këngë dhe
balada madhështore.Ç’mrekulli!