Bledi Filipi/
Lajmi u përhap me shpejtësinë e dritës, a thua se dëgjohej e lexohej për të parën herë. Si fillim do të përpiqem shkurt të përmbledh se ç’kanë thënë për shqipen. J. Hahn, në veprën “Studime shqiptare” (1854), me të cilën shënoi një etapë të re në më shumë se një fushë të albanologjisë, shtroi pyetjen se a janë shqiptarët autoktonë në vendbanimet e sotme të tyre, pyetje së cilës ai iu përgjigj në mënyrë pohuese. Ai i shihte shqiptarët si pasardhës të ilirëve, me të cilët afroi epirotët e maqedonasit, duke e lidhur gjithë këtë me pellazgët parahistorikë. Për të argumentuar tezën e tij të prejardhjes ilire të shqiptarëve e të gjuhës së tyre, Hahni përdori edhe materialet gjuhësore. Teoria e prejardhjes së shqipes, nëpërmjet ilirishtes, nga pellazgjishtja, u përkrah përpara Hahnit e për një periudhë edhe pas tij nga një radhë autorësh arbëreshë, duke filluar nga Nikollë Keta i shek. XVIII gjer te poeti i madh arbëresh Jeronim De Rada, që e mbrojti atë me zjarr gjer në fund të jetës së tij. Ajo u bë teza e përgjithshme e rilindësve tanë, që, duke theksuar me të lashtësinë e popullit shqiptar, kërkonin të vinin në dukje të drejtat e tij për të qenë zot i vetvetes e për të marrë vendin që i takonte në mes të popujve të lirë e të pavarur të Evropës. (Buda, 1987:25)
G. Mayeri më pas e pati caktuar vendin e shqipes, duke theksuar sidomos lidhjet e saj me arealin indoevropian. H. Pederseni solli disa përkime me armenishten. N. Jokli përforcoi qëndrimin e Mayer-it. Pas Joklit përkimet speciale leksikore midis shqipes dhe gjuhëve indoevropiane flasin për raportet e lashta të paraardhësve të shqiptarëve me paraardhësit e baltëve, gjermanikëve etj.
Këto janë thënë shekuj më parë nga albanologë të huaj dhe gjuhëtarë shqiptarë. Por para disa ditësh një lajm bëri bujë, sa kaloi në kryelajm në gazeta dhe televizione. Ishte për “zbulimin” e madh se shqipja është një ndër tri gjuhët më të vjetra në botë. Por kur e lexova këtë lajm edhe në faqen e AShSh-së, mendova: deri këtu arritëm?
Dikush mund të thotë me të drejtë, u bëre ti të dalësh kundër tyre. Nuk është çështja se po kundërshtoj punën e dikujt. Jo! Përkundrazi, më bëhet qejfi që në një revistë me prestigj dhe që lexohet gjerësisht ripohohet, se shqipja bashkë me dy gjuhë të tjera është ndër më të lashtat gjuhë indoeuropiane (jo më të vjetrat në botë). Këtë gjë shumë vite më parë e kanë vërtetuar arkitektët e gjuhësisë dhe të historisë shqiptare, si: Çabej, Domi, Buda, Ajeti etj., dhe nga albanologët e huaj pëfrmenda Pedersenin, Joklin, Majerin etj. dhe do ishte e udhës të citoheshin këta dijetarë të mëdhenj. Një e ftuar e një TV deklaronte se ajo e kishte thënë vite më parë këtë dhe akademikët tanë nuk ia kishin vënë veshin. E më pas zuri të fliste me pasion e ta shpallte veten etimologe bashkë me disa kolegë të saj. Ajo filloi si gjithmonë të shante gjuhëtarët e vërtetë e të hidhte baltë mbi veprën e tyre. Kësaj iu bashkëngjitën edhe allosoj “gjuhëtarësh”, që lanë mënjanë profesionin për të cilin ishin thirrur dhe i thanë vetes gjuhëtarë.
U bë temë dite sa u përfshinë në debat juristë, mjekë, sociologë, klerikë dhe lanë mënjanë profesionin e tyre e i thanë vetes mashalla gjuhëtarë.
Por a kemi kësaj here një zbulim të ri?
Këtu nuk kemi të bëjmë me një zbulim të ri, por me një saktësim të asaj që albanologët e kanë vërtetuar herët
Siç e theksova, ditët e fundit këtij lajmi iu bashkëngjitën jo gjuhëtarët e vërtetë, por sharlatanët që s’lanë fjalë të rruzullit pa e nxjerrë shqip. Të gjithë do të donim që shqipja të ishte nëna e gjuhëve indoeuropiane, por s’të lë historia e gjuhës dhe më saktë fonetika historike, etimologjia dhe mbi të gjitha gjuhësia krahasuese.
Do të ishte një lajm i ri nëse do të ishte zbuluar ndonjë shkrim i vjetër i parashqipes, pra ilirishtes dhe rregulli e do që të flasin të parët specialistët e fushës e jo ata që nuk kanë asnjë lidhje me gjuhësinë. Mjafton të citoj prof. Xh. Lloshin, i cili në librin “Periudhat historike të gjuhës shqipe”, botuar më 2013, domethënë dhjetë vjet më parë, ka shkruar: “Shqipja bën pjesë në gjuhët indoeuropiane, por zë një vend të veçantë, ashtu si greqishtja ose armenishtja, sepse qëndron më vete, nuk është brenda një grupi, si gjuhët romane, gjermanike ose sllave”. Sipas shpjegimeve të tij, arsyeja është se këto tri gjuhë nuk janë degëzuar në pasardhëset e sotme për shkakun se popullsitë bartëse të tyre janë pasojë e rrudhjes, e zvogëlimit të hapësirës së tyre për shkaqe historike. Mjafton të përmendet Magna Grecia dy mijë e ca vjet më parë, ndërsa edhe ilirët shtriheshin në veri deri në Trieste dhe në jug deri në Pargë, kure përfundimisht shqipja është pasardhëse e një grupi dialektesh ilire jug-perëndimore. Madje prof. Xh. Lloshi ka shkruar jo për një ilirishte, por për disa gjuhë ilire dhe prandaj shqipja është me vlera të veçanta, sepse vetëm ajo ka qenë e aftë të mbijetojë deri në ditët tona e të jetë si shoqet e saj një gjuhë e lëvruar europiane. Sa për datën 6 mijë vjet, është e vërtetë që sipaa dijes gjuhësore, gjuhët indoeuropiane mund të quhet se përcaktohen në një periudhë paraindoeuropiane dhe rreth 3700 vjet para erës së re mund të flitet për një gjuhë indoeuropiane si bashkësi dialektesh.
Do të ishte mirë që edhe televizionet të ndërgjegjësoheshin dhe të thërrasin në emisione ata gjuhëtarë që kanë dhënë kontribut të çmuar në gjuhësinë shqiptare e jo ata që po bëhen qesharakë me budallallëqet e tyre.
Kombi ynë është një komb me histori të lashtë në trojet e tij dhe këtë e dinë të gjithë. Jemi komb i copëtuar në gjashtë pjesë dhe në Evropë dhe botë ne duhet të përfaqësohemi denjësisht dhe jo me përralla.
Ajo që na bën një kudo jemi është gjuha, por kur vjen puna te vjetërsia e gjuhës sonë amtare duhet të flasin specialistët. Gjuhësia, historia flasin me shkrime, dokumente dhe shkenca me prova a eksperimente.
Historia e gjuhës ka rregullat e saj, dhe për të dëshmuar vjetërsinë e një gjuhe duhen shkrime të vjetra që ne deri më sot nuk i kemi dhe për të shkuar te gjuha-nënë niset nga e reja tek e vjetra, jo nga e vjetra tek e reja.