Nga: Prof.Murat Gecaj/
1.Kam lexuar në jetëshkrimin tënd, se je marrë me poezi e shkrime, që në bankat e shkollës…Çfarë kujton nga ajo kohë “e artë”?
-Fillimisht, ju falënderoj, prof. Murat Gecaj për bisedën. Njëherësh, përshëndes dhe gjithë lexuesit e portaleve dhe gazetave, ku publikohet kjo bisedë e jona!
Duke u ndërlidhur me pyetjen tuaj, e shikoj të arsyeshme, paraprakisht, të flas pak për vendlindjen time. Jam lindur në një fshat të vogël të zonës së Skraparit, ku veç zërit të ëmbël të nënës për ninullë, dëgjoja dhe këngët e bilbilit e të shtojzavalleve, netëve melodinë e bukur të bulkthit, deri në orët e vona. Ky fshat është përballë malit shtatlartë të Tomorrit, nga ku puhizën e pata përkëdhelje freskuese, ushqim aromën e luleve shumëngjyrëshe, aty ku zanat kanë foletë e rritin emra të mëdhenjë, për Atdheun, shkencën e kulturën tonë mbarëkombëtare. Pra, ky fshat quhet Grevë.
Dëshira e frymëzmi im për të shkruar poezi lindi qysh në bankat e shkollës fillore. Dhe, kur flas për ato fillime, ndjehem sikur jam kthyer në ato vite, sikur jam ajo vajza e vogël dhe e ndruajtur, nga ku fshihja vargjet prej secilit e shpesh herë i digjia në oxhak. Nga ajo kohë “e artë”, mbaj mend një katërvargësh, që po e sjell për ju dhe lexuesin:
Kur Hëna në livadhe sot të harliset,
do të dal unë si xixëllonjë,
të shkoj dy vargje manaferra,
sikur dhe gishtat gjak të kullojnë!…
Këto vargje më kujtohen nga ajo kohë fëmijërie dhe më zhytin shpesh në nostalgjinë e atyre viteve, të bukura dhe të paharruara. Shoqja ime e fëminisë, që tani është një kirurge e zonja, E.Sh. ma grisi letrën, duke thënë: “Pusho, se dhe gurët kanë veshë!” Ajo, e trembur nga ai regjim, sigurisht që donte të më ruante mua.
2.Deri tani, ke botuar tre vëllime me poezi…Çfarë ndiesishë ke përjetuar dhe me cilin ke bashkëpunuar, në përgatitjen e tyre?
-Faleminderit për pyetjen dhe mundësinë e rrëfimit tim poetik. Pas një përkujdesjeje të gjatë në kohë, duke ruajtur, mbledhur e krijuar vargjet e mia, në vitin 2013, me ndihmesën dhe redaktimin e prof. Viktor Bakillarit, botova përmbledhjen time të parë, të cilën e titullova “Bio”. Nëse dikush do më pyeste, pse me këtë emërtim, me siguri, përgjigjen e gjen dhe te pyetja e parë. Emocionet e botimit të një libri janë të ndjeshme, si pas çdo lindjeje. Dhe këtë gjë, më së miri, mund ta kuptojnë poetët, të cilët kanë botuar.
Duke parë numrin e poezive të papërfshira në këtë vëllim, por dhe krijimet e reja, vendosa që, në vitin 2014, të botoja vëllimin e dytë. të titulluar “Poseidon, ky malli im”. Emërtimin mitologjik, të gërshetuar me mallin, e shprehur përmes poezive të përfshira brenda këtij vellimi, e realizova sërish nëpërmjet bashkëpunimit me redaktorin, prof. Viktor Bakillari. Me këtë rast, atë e falënderoj përzemërsisht, për angazhimin dhe përkujdesjen e treguar!
3.Po, vlerësimet për librat e botuar, si kanë qenë, sidomos për vëllimin e tretë poetik?
-Në përgjithësi, janë bërë vlerësime pozitive për dy librat e parë poetikë. Ndërsa i treti ka gati një muaj, që është publikuar. Ai ka tematikë kryesore mallin për vendlindjen, lirikën, por pa përjashtur dhe problematikën shoqërore. Libri titullohet “Ti, Qindvjetësh” dhe përmbledh 102 poezi. Në përgatitjen e këtij vëllimi kemi qenë të përfshirë në grup: Redaktor, Agron Shele, poet e shkrimtar; lektor, Mr.Sadik Bicaj, gjuhëtar; recenzet, Hysen Grajçevci, poet; ballina dhe përgatitja, Fatmir Grajçevci, disajner grafik. Botimi i librit u bë në Prishtinë, që ishte dhe dëshira ime.
Kur libri “Ti, Qindvjetësh” pa dritën e botimit, si autore e tij, u befasova nga tërheqja e menjëhershme e vëmendjes së kritikës, por dhe pasqyrimet, që pati në gazeta ose portalet letrare të kohës. Duke marrë vlerësimet nga vështrimet kritike, analizat dhe komentet, ndjehem e kënaqur dhe pse librit nuk i kam bërë ende një përurim ose paraqitje në një tubim ose veprimtari letrare.
4.A ke marrë pjesë në veprimtari në ndryshme letrare, në cilët vende dhe çfarë vlerësimesh të kanë bërë atje?
-Mundësia e mërgimtarit është e kufizuar, por dhe pamundësi e hapësirave të njohjes me kulturat letrare të vendit, ku jeton e më gjerë. Para dy a tre vitesh bëra një shkrim, në formë proze, ku në një mënyrë shpreha mendimin tim kritik. Shkrimin e titullova “Të huaj këtu e të huaj atje?!”. Dua të them, largimi nga Atdheu është largim nga çdo gjë e bukur dhe nuk do dëshiroja të numëroja tani ndiesitë përjetuese-emocionale. Po, do të thoja, se është largim nga ëndrrat. Është largim nga ata, që dikur i ke dashur e të kanë dashur dhe kjo mbart shumë mall e dhimbje. Por, fatkeqësisht, gradualisht na shndërron në të huaj këtu, por dhe të huaj atje, pra në vendin tone?! Megjithatë, dashuria ndaj fjalës së shkruar dhe dëshira për të qenë pjesë e këtyre organizimeve, shumë herë, i tejkalojn mundësitë. Kështu që marr pjesë aktive në veprimtari letrare, që organizon Shoqata jonë “Aleksandër Moisiu”, këtu në Vjenë të Austrisë. Jam përfshirë në disa publikime antologjike, në gjuhën shqipe, por dhe të huaj. Këto ditë isha pjesmarrëse në manifestimin letrar “Malli Poetik i Kosovës”, organizuar nga Shoqata e Shkrimtareve të Fushë- Kosovës.
5.Je zv.kryetare e Shoqatës së Shkrimtarëve “A.Moisiu”, në Vjenë të Austrisë…A mund të na tregosh diçka për veprimtaritë kryesore, që janë zhvilluar?
-Po, falënderoj koleget e kolegët, poetë e shkrimtarë, që këtë vit më përzgjodhën në këtë detyrë shoqërore. Artisti i vërtetë është dhe mbetet artist, kudo që të jetë. Domosdoshmëria për organizim kulturor u bë nevojë e kohës, që të mblidhemi rreth bashkësisë sonë shqipfolëse, pa dallim treve e rajon. Shprehem me krenari se, në Shoqatën tonë “A.Moisiu”, e kemi Shqipërinë Etnike pa kufinj, punojmë dhe veprojmë si një trup i vetëm. Është fjala poetike ajo, që na mban e na bashkon.
6.Sikur i “harruam” (ha,ha)familjen, punën, jetën shoqërore etj.Çfarë është e veçantë për ty, në këtë drejtim?
-Këtë, që do të them, nuk dua asesi që të kuptohet si “propagandë”, por si natyrë e një artisti, në oponencë me dukuritë negative të shoqërisë. Jam kritike edhe ndaj zhvillimve ekonomike e politike në Shqipëri. Sepse dëshiroj që Atdheu im të krijojë mundësi progresi, në të gjitha instancat shtetërore. Dhe diçka tjetër. Nëse mërgimi ka qenë i vështirë për mua, nga ana tjetër, ka qenë një mundësi e madhe për shkollimin e vajzës dhe dy djemëve të mi. Ata sot janë të integruar plotësisht në jetën shoqërore dhe kulturore të vendit, ku jetojmë.
7.Besoj, mendove që mbaruam me kaq, por jo… Pra, përveç poezive, a ke provuar të shkruash në prozë? Gjithashtu, a ke plan ti, që të dalësh para lexuesve me një libër të ri dhe kur, afërsisht?
-Do dëshiroja të citoja këtu, një thënie të një mikut tim edhe ai profesor. Ndër të tjera, ai shprehet: “Të gjithë poetët, të cilët nuk e gjejnë veten në poezi, i kthehen prozës” . Ju, si një mjek, që diagnistifikon diçka të fshehur, dini të nxirrni në pah edhe të pathënat nga një poet. Por më ndodh që të ndihem mirë edhe te proza e shkurtër. Dua të përmendi këtu Akademikun Kopi Kyçuku, që kur lexoj poezitė e tij, më duket sikur lexoj Lasgushin. E falenderoj nga zemra ime dhe i jam mirënjohëse, për shtysën, që më ka dhënë në krijimtarinë time letrare! Konkretisht, ai më është shprehur: “Je mjeshtre në prozë, por mos e lër poezinë”. Disa proza të mijat, të redaktuara nga ai, janë sinqerisht të mrekullueshme. Prandaj do ta shikojnë, në një kohë të arsyeshme, edhe dritën e botimit.
…Në mbyllje desha t’u falënderoj, profesor Murati, për zhvillimin e kësaj bisede, e cila më dha mundësi që të shprehem, lirisht e sinqerisht dhe të shpalosi tërë veprimtarinë time, letrare e poetike. Respekt të veçantë për lexuesit e mi!
Më 10 gusht 2016