Besnik Lajqi, Tregime, Amanda Edit, Bukuresht 2013/
Nga Baki Ymeri/
Nga “recetat” e mençurisë indiane dhe hebraike, kuptojmë se tri janë rrugët e pasurimit: tregtia, dituria dhe lëmosha. Shqiptari nuk e korit vetëveten duke kërkuar lëmoshë, por duke e siguruar ekzistencën me punë, mundim e djersë. Një nga ta është edhe autori i këtij libri që i lë pa brekë disa pseudokomandantë që ia nxinë fytyrën vetëvetes duke u implikuar në kurvëri politike, mashtrim, hajdutllëk, korupcion dhe vrasje. Tregimet e Besnikut strukturohen në dy kapituj: “Kujtime të paharruara” dhe “Lepujt e Kosovës në Tiranë.” Në kuadrin e kapitullit të dytë, autori shkëlqen edhe me një serë polemikash që dëshmojnë se ai ka sinqeritet, humor dhe çiltërsi mendimesh. Edhe ky libër, me një lëndë prej 100 faqesh, del në dritë në bashkëpunim me Bashkësinë Kulturore të Shqiptarëve të Rumanisë dhe redaksinë e revistës Shqiptari.
Nga biigrafia kuptojmë se Besnik Lajqi është pjestar i një familjeje me tradita të larta patriotike nga Kosova. U lind më 11 shtator 1965 në Pejë, në gjirin e një familjeje me prirje të moderuara europiane, ku mbi të gjitha zotëronte sakrifica dhe lufta që të mbijetojnë shpirti, gjuha, tradita, kultura dhe arti shqiptar nën pushtimin serb. Sipas shënimeve të tij kuptojmë se “Lagja e jonë ku ishim në qytet, e quanin Kalaja. Kala e quanin se në kohët e vjetra kishte qenë aty një kala e vjetër. Por me ardhjen e pushtusve osmanë dhe serbë, ajo ishte rrënuar që nga themeli. Brenda në kala kishte qenë garnizoni i ushtrisë turke në atë kohë. Se si u zhduk kjo kala, askush nuk tregon në ndonjë shkrim. Në vitet 60-ta fillon hapja e fabrikave në qytet. Shumë fshatarë nga rethet e Pejës i lëshuan fshatrat që të hyjnë në punë në fabrika, për një jetë më të mirë. Në mesin e tyre ishim edhe ne si familje, si dhe shumë e shumë familje tjera të rrethit të Dukagjinit e më gjerë.”
Mençuria ndërlidhet me pasurinë e vërtetë, atë shpirtërore, sepse njeriu që punon ndershmërisht, pa shije paranoike për të grumbulluar pasuri, din t’i ndihmojë edhe të tjerët. Ndihmat që ka dhënë Besnik Lajqi për zbutjen e varfërisë në Kosovë e Shqipëri, janë një subjekt tjetër që meriton një kapitull të veçantë. Çdukush prej nesh e din se pasuria vjen e shkon, ndërsa kujtimet mbeten. Kujtime nga fëmijëria ime në Kosovë, Aty ku ka rrugë, ka punë e gjallëri dhe jetë të lumtur, Kulla e Berishëve dhe morali ushtarak, Një dashuri tragjike në Rekën e Llagës, Fëmijëria ime në mesin e një familjeje katolike shqiptare, Shqipëria në sytë e mi më 1989, Diktatura më e egër në botë, Zeka i zi dhe rrezillëqet e tij, Ish/luftëtarja dhe gjenerali vagabond, Zagari i zi i diplomacisë jugosllave, Komandantët e pulave të Kosovës në Tiranë, Biografia e zezë e Komandant Faqeziut, Detaje të reja lidhur me vrasjet politike në Kosovë, Nuk është në rregull ta luani rolin e hetuesit, janë disa nga subjektet që trajton ky autor vlerash të rralla memorialistike.
Libri përmbyllet me disa komente si: „Mua më duket se Besnik Lajqi është duke i lënë pa brekë komandantët e vetëshpallur që i likuiduan kuadrot ushtarake më të afta dhe më besnike të Dr. Ibrahim Rugovës. Besnik Lajqi ka një biografi briliante për të cilin garantojnë të gjithë ata që e njohin, sepse e ka ngulur i pari pllugun në brazdë, jo vetëm për këtë subjekt të nxehtë, sepse ai ka shkruar me bindje e besnikëri, sepse shkruan e do të shkruajë edhe më tej: me sinqeritet, pa prapavijë dhe pa dorëza.”Sipas Bujkut, „Besniku e njeh shumë mirë Komandant Zezën që e ka njohur personalisht, dhe ende nuk e ka përmendur me emër e mbiemër, sepse artikujt e tij kanë vlera reale, letrare dhe artistike, dhe i vjen keq pse ka patur punë me këtë “njeri”, i cili ende nuk ka patur guxim të dalë me ndonjë koment apo reagim, sepse, siç thot njëri nga ata që e ka njohur këtë dhe disa komandantë tjerë të vetëshpallur: “Këta janë komunista dhe këta nuk kanë Atdhe, sepse këta i ka bashkuar gënjeshtra, mashtrimi, korupcioni, vjedhja, shantazhi dhe vrasja e bijve më të mirë të kombit.”
Pas shkollimit elementar, Besnik Lajqi e braktis Kosovën për të siguruar ekzistencën në Perëndim, që në moshën 15 vjeçare. Ka ndjekur disa shkolla të ndryshme daneze (http://www.ipc.dk/), Kolegjin internacional për komunikim me nacionalite të ndryshme nga gjithë bota. Një vit pastaj ndjek një shkollë të lartë (Krabbesholm Højskole. http://www.krabbesholm.dk/). Merret me art/design, arkitekturë e tjera. Ka qenë pronar i disa lokaleve gastronomike për shumë vite, duke e vazhduar edhe sot e kësaj dite këtë punë. Është koleksionar i shumë eksponateve etnografike të motshme e të rralla shqiptare. Është pronar i Kolonisë së Artit dhe Amfiteatrit në një lokacion me nivelin mbidetar më të lartë në botë. Ka dhënë nam kontributesh vullnetare për infrastrukturën e vendlindjes, për familjet e varfëra dhe çështjen kombëtare. Njihet si ish/luftëtar që nga ditët e para të UÇK-së. Dikush e ka mashtruar duke u bazuar në zemërgjerësinë e tij, por ai nuk e ka shfrytëzuar përvojën aziatike për ahmarrje fizike. Rugova është vendfrymëzimi i tij. Besnik Lajqi posedon prirje të lindur për memorialistikë, prozë, tregime dhe reportazhe të botuara në shtypin e shtypur (Bota sot) dhe massmedian elektronike (Zemra Shqiptare, Gazeta Kritika etj.). Ky është libri i tij i parë, pas të cilit pason një libër tjetër kushtuar Rugovës dhe vlerave të saj.