Nga Shefqet KERCELLI/
Me rastin e 85 vjetorit të lindjes së ishpresidentit Alfred Moisiu, paraditen e datës 1 Dhjetor 2014, në auditoriumin e Ministrisë së Mbrojtjes, u organizua një ceremoni simbolike për të nderuar kontributin e vecantë të zotit Moisiu si ushtarak dhe burrë shteti. Në këtë ceremoni morën pjesë Ministrja e Mbrojtjes zonja Mimi Kodheli, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, Gjeneral-major Jeronim Bazo, deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, ushtarakë të rangjeve të ndryshme, bashkëpunëtorë dhe kolegë të zotit Moisiu, familjarë, etj. Fillimisht Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, Gjeneral Bazo e uroi zotin Moisiu për 85 vjetorin e ditlindjes. .Është kënaqësi për ne, që organizojmë ditlindjen tuaj në këtë ambient ushtarak dhe nuk ka kuptim të ishte ndryshe, pasi Forcat e Armatosura janë shtëpia juaj e dytë, theksoi Gjeneral Bazo. Zoti Alfred Moisiu, një pinjoll i denjë i familjes Moisiu, është një personalitet i rëndësishëm i jetës politiko-ushtarake në Shqipëri, pasi i ka shërbyer mbi 70 vjet me përkushtim, ndershmëri e krenari vendit të tij. Së pari spikat kontributi i tij si ushtarak, duke ecur në gjurmët e babait të tij, Gjeneral Spiro Moisiut, një nga drejtuesit kryesorë të luftës kundër pushtuesve nazifashistë. Gjatë karrierës ushtarake zoti Alfred Moisiu kreu detyra të ndryshme, herë me ulje, herë me ngritje, ashtu si dallgët e detit, për shkak të konjukturave të ndryshme politiko-ushtarake, por dhe karakterit të tij antikonformist dhe respektit për profesionin e ushtarakut. Ai është dëshmimtar dhe pjesmarrës i të gjithë periudhave e reformave të rëndësishme që ka pësuar ushtria shqiptare të paktën për 5 dekada. Një karrierë dhe eksperiencë të admirueshme dhe brilante që kulmoi me atë të Komandantit të Përgjithshëm të FA Shqiptare, gjatë funksionit të Tij si President i Republikës së Shqipërisë. Në këtë detyrë të rëndësishme zoti Moisiu ka mbështetur fuqishëm cdo program që synonte reformimin dhe modernizimin e FA, përpjekjet për arritjet e standarteve të NATO-s dhe integrimin e vendit në strukturat EuroAtlantike. Në fakt Zoti Moisiu ka qenë një nga pionierët e parë të transformimit të FA shqiptare dhe integrimit në NATO. Mbas ndryshimeve politike të viteve ’90, në pozicionin e Ministrit dhe zv/Ministrit të Mbrojtjes, bashkë me të ndjerin zotin Zhulali, Zoti Moisiu hartoi programet e para të bashkëpunimit me aleancën e NATO-s në kuadrin e Pfp. Si ishushtarak më kujtohet dashamirësia e tij për të inkurajuar cdo ushtarak shqiptar në përvetsimin e programeve të përbashkëta me ushtarakët e aleancës, të përfitimit maksimal në këto programe, njohjes me gjuhën angleze, etj. Kështu, në një seminar të parë të zhvilluar për mediat, nivel tepër i lartë, në maj të 1994-ës, nën drejtimin e zotit Geoge Piterson, ishdrejtor i medias së Korpusit të SHBA në Evropë, kur erdhi puna që duhet të diskutonim, si përfaqsues të medias për palën shqiptare, ne kishim ndrojtje dhe merak, por zoti Alfred me atë “babaxhanllëkun” e fisnikërinë karakteristike, më vuri dorën në shpatulla dhe më tha, Hë, Shefqet, mos ki asnjë emocion, folë, do e shohësh se ka për të dalë mirë! Kështu i lehtësonte Ai ushtarakët shqiptarë. Kështu e mbaj mend unë ushtarakun madhështor Alfred Moisiu qysh atëhere. Sa më shumë kalojnë vitet aq më shumë më lartësohet para syve figura e këtij njeriu me vlera të vecanta për ushtrinë dhe popullin shqiptar. Jo vetëm kaq, por Ai pamvarësisht funksionit si zv/Ministër Mbrojtje, në Qershor të vitit 1994, bashkë me një grup intelektualësh dhe ushtarakësh shqiptarë krijuan Shoqatën Shqiptare të Atlantikut, e para e këtij lloji në Ballkan. Shoqata dhe më pas Këshilli i Atlantikut, nëpërmjet programeve, iniciativave, konferencave, takimeve të zhvilluara, publikimeve dhe mendimeve të shprehura, ka qenë një faktor determinant dhe i parapriu integrimit të vendit tonë në NATO. Mbasi evidentoi karrierën e zotit Moisiu dhe kontributet si ushtarak e burrë shteti, Gjeneralmajor Bazo u shpreh: “Duke vlerësuar këto kontribute tepër të rëndësishme, do të dëshiroja të shtoja se ju zoti Moisiu jeni modeli i një ushtaraku karriere, i një njeriu që me vlerat dhe etikën që posedoni, jeni pa diskutim një shembull për t’u ndjekur”. Në vijim të aktivitetit, Ministrja e Mbrojtjes zonja Kodheli, theksoi vlerat e padiskutueshme të zotit Alfred Moisiu, ato familjare, ushtarake dhe si shtetar. Pikërisht në emër të këtyre vlerave, duke i uruar jetë të gjatë dhe aktive, zonja Kodheli i dorëzoi z.Alfred Moisiu “Medaljen e Mirënjohjes” me këtë motivacion: “Për kontributin e dhënë si pjesëmarrës në mbrojtjen e vendit”, ndërsa Gjeneralmajor Bazo i dhuroi një pamje me flamurin kombëtar dhe hymnin e shkruar në të, të cilat kanë qenë udhërëfyes në jetën e këtij ushtaraku të paepur. Dhe aktualisht, pamvarësisht pozicionit jetësor si pensionist, Alfredi ndjek nga afër cdo zhvillim të Forcave tona të Armatosura, dhe mbështet cdo reformë që i shërben modernizimit, rritjes së kapaciteteve operacionale dhe pjesmarrjes së forcave tona në operacionet paqëruajtëse të NATO-s. Ai është ndër ato personalitete që asnjëherë se ka ulur zërin për të mbrojtur interesat e FA, por dhe ngjarje që janë anashkaluar nga studjuesit, historianët dhe politikanët tanë. Psh. Zoti Moisiu, ka mbështetur fuqishëm me fakte dhe argumente ngritjen e memorialit kushtuar ushtarakëve amerikanë që kontribuan për clirimin e Shqipërisë në Luftën e II-të Botërore. Lidhur me ceremoninë e ngritjes së këtij memoriali, Gazeta “Dielli” shkruan se, Ishpresidenti Alfred Moisiu, pjesmarrës në përurimin e memorialit në Korcë, më 8 maj 2014, kërkoi nderimin e kontributit të këtyre ushtarëve, kontribut që pak njihet në Shqipëri, sepse regjimi komunist e fshehu qëllimisht.. Gjatë kohës së monizmit, psh. vihej në dukje kontributi i sovjetikëve, të cilët përfaqësoheshin vetëm nga dy persona në Helmës, në mesin e 1944-të, dhe nuk dhanë asnjë kontribut në luftë. Roli i tyre ishte zbulimi në interes të Ushtrisë së Kuqe dhe mbështetës për marrjen e pushtetit nga Partia Komuniste, pas luftës. Këto janë faktet, tha Moisiu. Në vijim Ai theksoi se pa SHBA, kombi shqiptar nuk do të ishte sot në këto pozita. Ndoshta ne nuk do të ishim sot këtu, nëse më 1919 presidenti Uillson nuk do t’iu vinte fre kryqëzatës për copëtimin e Shqipërisë, ashtu si 90 vjet më vonë, në vitin 1999 presidenti Klinton, do të udhëhiqte përpjekjet e NATO-s për t’i dhënë lirinë gjysmës tjetër të këtij kombi. Dhe në këto 23 vite të tranzicionit, kanë qenë amerikanët që kanë qenë më pranë kombit shqiptar. Prandaj shqiptarët thonë se e kemi për zemër Amerikën”, u shpreh ish-presidenti Moisiu. Ai ka mbështetur projektin e ngritjes së një memoriali të tillë në Tiranë. Një njëri energjik, me vullnet e shpirt sakrifice, Ai mbetet një ushtarak i përjetshëm i vendit tonë. Një vlerë e shtuar e zotit Moisiu është kujdesi që tregonte ai për kushtet e jetësën e ushtarakëve të cdo niveli, të cilën kam pasur rastin ta shoh kur shërbeja në shtabin e Divizionit të Shijakut. Interesi i Tij për zgjidhjen e problemeve social-ekonomike të ushtarakëve ishte në maksimum, madje gjatë takimeve që organizonte me shtabet e asaj kohe në njësitë kryesore të FA, këshëllonte dhe jepte porosi deri tek organizimi i aktiviteteve e sistemit të rekracionit në ushtri. Si ishushtarak dhe studjues kam lexuar shumë për figura të shquara ushtarakësh në SHBA, Angli e kudo, por me bindje them se zoti Alfred Moisiu, është i ngjashëm me këto figura, nga niveli, thjeshtësia, erudicioni, aftësitë drejtuese dhe organizuese, ndaj shpesh them me vete, jam me fat që kam qenë pjesmarrës në mjaft aktivitete që ka drejtuar ky lider i shquar i kombit tonë! Në fund të kësaj ceremonie të organizuar në MM, ish-presidenti Moisiu, falënderoi Ministren e Mbrojtjes Kodheli, Gjeneralmajor Bazon dhe ushtarakët e tjerë për vlerësimin e lartë që i bëjnë figurës së tij me rastin e 85-vjetorit të lindjes. “Unë kam punuar dhe do të punoj për vendin tim derisa të kem frymë, sepse kështu jemi edukuar ne ushtarakët, sepse kështu na do atdheu, sepse kështu na do Shqipëria dhe populli”, u shpreh Ai. Por z.Alfred nuk ishte thjesht një ushtarak bashkëkohor i kalibrit botëror, Ai mbi të gjitha ishte njeri si gjithë të tjerët, që ka provuar genocidin e sistemit komunist, por kurrë nuk ju nënshtrua atij. Ka jetuar e vuajtur halle personale e familjare njëlloj si qytetarët e këtij vendi. Këtë Zoti Moisiu e ka shprehur dhe në mjaft intervista në media apo biseda me kolegët. Por Ai dhe familja e Tij kanë qenë të nderuar dhe respektuar nga të gjithë qytetarët shqiptarë. Kështu unë mund të them një rast, kur isha oficer i ri në vitet 1983, në Kavajë, po pija kafe në lokalin në qendër të qytetit, nga të paktët e asaj kohe. Befas shokët e mi të tavolinës u ngritën në këmbë. Unë i them c’patët? O mik, po kalon Alfred Moisiu, më thanë! E kisha dëgjuar si emër, por, po e shihja si portret. Alfredi kaloi serbes në trotuarin përbri xhamisë së qytetit, me kapele republike në kokë, dhe qysh atëherë portreti i tij fizik nuk ka asnjë ndryshim. Me atë fakt të thjeshtë kuptova që familja Moisiu dhe Alfredi kishin rënjë të thella në popull dhe respekt të jashtëzakonshëm, pamvarësisht detyrave që kreu në atë kohë. Theksoj se, krahas dimesionit ushtarak, zoti Alfred ka dhe një dimesion tjetër, atë të një burrështetasi civil. Me sa duket gjeneza familjare, studimi i vazhdueshëm, profesioni i ushtarakut, hallet e sakrificat familjare, eksperienca jetësore, e përgatitën Alfredin si burrë shteti, vlera që Ai i tregoi, në vitet 2002-2007, si President i Republikës së Shqipërisë. Është Ai që vuri në vend figurën e presidentit, i dha dimesionin e merituar e respketuar për shtetin shqiptar dhe mbarë kombin. Me thjeshtësinë, gjakftohtësinë, sinqeritetin që e karakterizon, futi në hullinë e duhur dhe zgjidhi mjaft probleme jetike të shtetit shqiptar. Ai diti të verë frymën e bashkëpunimit e debatit konstruktiv, para konfliktualitetit të ashpër politiko-partiak, futi urtësinë popullore në zgjidhjen e cështjeve të rëndësishme të kombit shqiptar, vecmas ato të sigurisë. Zgjodhi stafin më të mirë të këshilltarëve të vet në cdo fushë, i parapriu mjaft sfidave të rëndësishme të shtetit shqiptar, të cilat dhanë rezultatet e veta në 2008. E pra, këtë mund ta bënte vetëm Alfredi! Një njëri fisnik, shpirtmadh, këmbëngulës, i lidhur fort me fatet e Shqipërisë. Ai i dha vendin e vet dhe autoritetin e duhur pozicionit të Presidentit të RSH, që do shkruhet me gërma të arta në historinë e popullit shqiptar. Pikërisht evidentimit të këtyre vlerave të spikatura si burrë shteti i shërbeu aktiviteti i organizuar pasditen e datës 1 Dhjetor më mjediset e Muzeut Historik Kombëtar. Në këtë ceremoni morrën pjesë ishpresidentë të RSH, personalitete të larta civile e ushtarake, të kulturës, historisë, miq e kolegë, etj. Me këtë rast për të pranishmit u shfaq një dokumentar kushtuar familjes Moisiu. Ndërkohë që u evidentuan përsëri dhe vlerat e padiskutueshme të këtij njeriu të madh, që po le gjurmë të pashlyera në historinë e kombit tonë, si ishushtarak e ishpresident. Zoti Alfred Moisiu, me kontributin e tij në fusha të ndryshme, është pjesë dinjitoze e sagës së Moisive në Shqipëri. Ndaj le ti urojmë së bashku, Gëzuar 85 vjetorin! U bëfsh 100! Shëndet e mbarësi në familje!