
Prof. Afrim Krasniqi/
Radio ”Zëri i Amerikës” (VOA) u krijua në shkurt 1942. Për shqiptarët ajo është e njohur sidomos në fundin e viteve ’80 dhe fillimin e viteve ’90 kur u bë një prej burimi më i njohur, më i dëgjuar, më ndikues dhe më i referuar i lajmeve / komenteve mbi Shqipërinë & Kosovën. Shprehja e famshme e ish minisrit të brendshëm të kohës që ankohej në Byro se në orën 18.00 boshatisen rrugët në Tiranë për të dëgjuar VOA është simbolikë domethënëse.
Në memorien tonë politike dhe publike arkivi i VOA në programin shqip për periudhën 1989-1991 ka vlerë të vecantë dhe të rëndësishme. Kjo ishte arsyeja që më nxiti mbledhjen dhe dokumentimin e raportimeve, analizave, intervistave dhe materialeve të tjera, të cilat në pjesën më të madhe nuk janë botuar asnjëherë në mediat që lindën më vonë në Shqipëri, si dhe përgatitjen e tyre në një botim me tri vëllime. Pas dy vitesh pritjesh “procedurale dhe administrative” për botim kopjet print të vëllimit të parë janë gati për tu ndarë me publikun e interesuar. Ai i vitit 1989 dhe 1991 është në proces, deri nga fundi i këtij vitit.
Në thelbin e botimit, nuk kemi të bëjmë vetëm më riprodhim në print të materialeve audio të transmetuara nga VOA, por edhe përmes tyre, hedhjen dritë dhe dokumentimin e shumë të dhënave, dëshmive, të vertetave dhe miteve mbi individë, ngjarje, qëndrime apo teza me ndikim në zhvillohet politike të atyre viteve.
Kur nisa mbledhjen dhe përgatitjen e materialeve, VOA ishte aktive dhe personalisht pata mundësinë të isha një prej të intervistuarve në ditët e fundit të programit shqip, para se ky program dhe më pas edhe radio të mbylleshin. Brenda këtij lajmi të trishtë dhe të mungesës së VOA mund të thuhet se botimi i raportimit shqip 1989-1991 merr edhe vlerë tjetër, sidomos në aspektin dokumentar dhe historik.
Pas botimit në vitin 2020 në Institutin e Historisë të monografisë time “Kriza e Ambasadave: Shqipëria në vitin 1990”, si dhe të librit “Ditar nga Shqipëria: 1990” të autores Annarosa Manetti, ky është botimi i tretë që ka në fokus zhvillimet e viteve 1990-1991 në Shqipëri. Botimet janë pjesë e studimeve në kuadër të projektit tim shkencor monografik për periudhën 1986-1992, i cili është në proces.
Faleminderit kolegëve të Institutit të Historisë për mbështetjen e projektit, si dhe Ornelës, Mirelës dhe Mimozës për ndihmën në përgatitjen dhe realizimin teknik të botimit.