Sokol Paja/
Për herë të parë në historinë e zgjedhjeve parlamentare, shqiptarët me të drejtë vote që jetojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë do ushtrojnë sovranitetin e tyre kushtetues. Si një ngjarje historike për shtetin, institucionet e shoqërinë, nga diaspora pritet të vijë ndryshimi historik, i shumëpritur, i domosdoshëm dhe shumë i nevojshëm. Pjesëmarrja masive në votime e shqiptarëve nga jashtë Atdheut është kontributi më i çmuar patriotik e vepra më e lartë atdhetare për të shpëtuar shtetin nga kapja e qytetarët shqiptarë nga keqqeverisja, shpopullimi, varfëria, nepotizmi, klientelizmi, aktivizmi, oligarkia, patronazhizmi, neodiktatura, krimi e korrupsioni shtetëror. Vota e diasporës është shpresë për Atdheun, për flamurin kuq e zi, për ndryshimin, për zhvillimin, për ekonominë, për lirinë, për familjen, për jetën, për shpresën, për të ardhmen për shtetin dhe demokracinë.
Shqipëria sot ka më shumë se kurrë nevojë për shqiptarët e mërguar që zemrën e shpirtin e kanë përjetë në Mëmëdhe. Vota është e shenjtë, ashtu si Atdheu ynë i dashur. Çdo votë si kontribut i mërgatës është jetik për të shkundur kalbësirat dhe sjellur në Shqipëri erën e ndryshimeve që kërkon e meriton Atdheu ynë i shtrenjtë.
Të dashur shqiptarë: ndaj Atdheut, familjes e pronës kemi detyrim e përgjegjësi, ndaj pa hezitim duhet të bëhemi pjesë e procesit zgjedhor e fatit të përbashkët për më të mirën që vendi ynë kërkon. Bëhuni pjesë e historisë. Jepni vetes, shtetit e Atdheut një shans historik përmes votës suaj.
Vetëm vota është instrumenti demokratik për të ndryshuar rrënjësisht Shqipërinë dhe për të kërkuar një shtet e Atdhe që të jep dinjitet, krenari e nderë.
Voto, Atdheu ka nevojë për ty…
Regjistrohu në: https://diaspora.kqz.gov.al/