Sokol Paja/
Federata Panshqiptare e Amerikës Vtara mbështet fuqishëm projektin e Lëvizjes Diaspora për Shqipërinë e Lirë me qëllim garantimin e të drejtës së votës për shqiptarët që jetojnë jashtë kufijve territorial të shtetit shqiptar. Gjatë Vizitës në Vatër themeluesit e Lëvizjes “Diaspora për Shqipërinë e Lirë” z.Florian Haçkaj dhe z.Aisel Omerbashi u mikpritën nga Kryetari i Vatrës Elmi Berisha, anëtari i kryesisë Dr.Elton Mara. Dr. Paulin Marku, Dr. Hilmije Mara, këshilltari i mediave Dritan Haxhia, Editori i Diellit Sokol Paja dhe Editorja e Anglishtes Rafaela Prifti. Diaspora për Shqipërinë e Lirë u prit me respekt dhe nderim të veçantë në Federatën Pan Shqiptare të Amerikës – Vatra në selinë e saj qëndrore në New York dhe iu dha mbështetje specifike për të drejtën themelore të shqiptarëve në diasporë siç është vota. Kryetari i Vatrës z.Berisha siguroi Drejtuesit e Lëvizjes “Diaspora për Shqipërinë e Lirë” z.Florian Haçkaj dhe z.Aisel Omerbashi se Vatra do të jetë një zë i fuqishëm në këtë kauzë kaq të drejtë dhe sensitive për të drejtat e shqiptarëve në mërgatë. Themeluesit e Lëvizjes “Diaspora për Shqipërinë e Lirë” z.Florian Haçkaj dhe z.Aisel Omerbashi i siguruan drejtuesit e Vatrës së “Lëvizja” ka në përbërje ekspertët më të mirë shqiptarë që ofrojnë garanci, logjistikë dhe ekspertizë ndërkombëtare për të implementuar me sukses të drejtën e votës. Lëvizja dhe Vatra ranë dakord në këtë takim që të vazhdojnë dhe të zgjerojnë bashkëpunimin edhe më tej, duke përfshirë tema me rëndësi që shqetësojnë shqiptarët duke pasur dy çështje në përparësi që janë vota e diasporës apo dekomunistizimi. “Vatra përbën krenarì për çdo shqiptar dhe Lëvizja shpreh mirënjohje dhe respekt të thellë ndaj historisë së saj dhe punës pro çështjeve shqiptare” u shpreh ndër të tjera në takim z.Florian Haçkaj. Lëvizja ‘Diaspora për Shqipërinë e Lirë’, është një nismë qytetare e lindur në mërgatë, e cila angazhohet në mënyrë pro-aktive për përfshirjen e mërgatës shqiptare në proceset politike dhe ato politikbërëse brenda Shqipërisë. Lëvizja ‘Diaspora për Shqipërinë e Lirë’ është lëvizje civile në përgjegjësinë për të forcuar këtë shpresë dhe përcjellur në vendlindje një frymë të re me integritet dhe profesionalizëm, e cila bën dallimin midis modelit aktual të politikbërjes dhe vlerave që Diaspora mishëron.