Raport nga Shqiperia-Zeri i Amerikes- Koalicioni i së majtës rrit ndjeshëm votat, dyfishi i së djathtës. Koalicioni i drejtuar nga Basha, mbi 193 mijë vota më pak se ato që morën kandidatët.Vetem dy nga Partite e vogla, PR dhe PDIU kane kaluar 3 perqindshin/
Në Shqipëri, po shkon drejt fazës përmbyllëse edhe procesi i numërimit për Këshillat Bashkiakë. Ajo që bie në sy është fakti se ka ndryshime të dukshme mes votave që kanë marrë kandidatët dhe ato që kanë shkuar për siglat e partive.
Koalicioni i udhëhequr nga kryeministri Edi Rama ka marrë për kandidatët e tij afër 840 mijë vota, ndërsa për këshillat bashkiakë votat shtohen dhe me afër 120 mijë të tjera për të majtën. Ndërkohë që, sipas të dhënave nga Komisioni qëndror i zgjedhjeve deri në orën 18.30, koalicioni i djathtë në të kundërt, ka pësuar një tkurrje. Nga afër 671 mijë vota për kandidatët, për këshillat bashkiak, votat e së djathtës kanë rënë me afër 193 mijë më pak.
Në Tiranë ka ndodhur e kundërta. Votat e kandidatit Erion Veliaj janë 36 mijë më pak se ato që koalicioni i majtë ka marrë për Këshillin bashkiak të kryeqytetit. Ndërsa rivali i tij Halim Kosova ka mbi 26 mijë vota më shumë se sa e djathta ka grumbulluar për Këshillin.
Përsa i përket renditjes së partive, socialistët konfirmohen si forca e parë me mbi 392 mijë vota, ose mbi 26 përqind, ndërsa në vend të dytë vijnë demokratët me mbi 301 mijë vota ose 20 përqind, të ndjekur nga LSI-ja me mbi 247 mijë vota, ose 16.5 përqind. Janë vetëm dy parti të tjera që kanë mundur të marrin më shumë se 3 përqind të votave në rang vendi, PDIU-ja dhe republikanët.(Kortezi VOA)