Vrioni vazhdon të mahnisë/
Nga Astrit Lulushi/
Ne Foto: “E bija e Gjon Palit”, realizuar më 1913 në Shkodër nga Kolë Maca/ Ndonjëherë duket se çdo gjë zbehet, zhbëhet dhe duket pa vlerë, të gjitha përpjekjet duken të kota. Kjo është koha kur njeriu kalon nga jeta në mosjetë, dhe për të regjistruar këto çaste në dy botë njëherësh, kujdeset fotografi, si në rastin e shkodranit Kolë Maca në pamjen e regjistruar me syrin e tij, dhe të përjetësuar. Fotoja quhet “E bija e Gjon Palit”, realizuar më 1913 në Shkodër; bija e veshur në të zeza qëndron mbi kryet e atit të saj që ndodhet në prag të vdekjes si pasojë e plagëve të mara në luftën për mbrojtjen e qytetit nga forcat malazeze.
Qerim Vrioni, historian i fotografisë shqiptare, na dridhëron shpesh me fakte të tilla, që i zbulon gjatë kërkimeve të tij në arkiva e dokumente; ose sepse janë këto fakte që përpiqen ta tërheqin njeriun në jetë, si në rastin e fotos.
Shkrimi “E bija e Gjon Palit në syrin e Kolë Macës” është vizitë në muze, Vrioni të shetit dhe ndalet përpara fotografisë së Kolë Macës për të treguar zbulimin e tij; domethënien e vlerave që fsheh pluhuri i harresës; sa më thellë fshihen, aq më me vlerë janë ato, sepse historia është mbledhje e hollësive që i bëjnë ngjarjet të vishen me ndjenjën njerëzore, të kthehen në jetë ose të paktën të lutemi që të mos ikin pa i përcjellë, siç tregon Maca nëpërmjet Vrionit tek “E bija e Gjon Palit”, e cila qëndron e përkulur, mbi atin e saj, si për t’i dhënë frymë ose për të marrë prej tij ato që mbetën ëndërra.