
-Janë betuar sot 38 Vullnetarë të rinj të Korpusit të Paqes të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë në një ceremoni të hapur me Himnet e dy vendeve/

-Ambasadori Amerikan në Kosovë Philip Kosnett: Kur erdha vitin e kaluar u ngazëllova kur mora vesh se prej vitit 2014 ishin më shumë se 220 vullnetarë që kishin shërbyer në komunitete nëpër tërë Kosovën/

-Ministri Kosovar i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi: Miqësia e popullit të Kosovës për atë amerikan është e mbjellë në gjithçka që Amerika ka bërë për Kosovën/

-Grupi i parë i Korpusit të Paqes prej 25 vullnetarësh kanë mbërritur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Republikën e Kosovës në 8 qershor 2014, ndërsa betimin solemn e dhanë në 20 gusht/
Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI
PRISHTINË, 7 Gusht 2019/ Në Prishtinë sot kanë bërë Betimin Solemn të shërbimit 38 Vullnetarë të rinj të Korpusit të Paqes të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë në një ceremoni të hapur me Himnet e dy vendeve.
Pas përfundimit të trajnimit të tyre dhjetë javësh për gjuhën, kulturën, si dhe trajnime teknike në Komunën e Kamenicës, dhe në fshatrat përreth si Koretini, Topanica dhe Rogana, Vullnetarët në ceremoninë e sotme u prezentuan para Ambasadorit Amerikan në Kosovë Philip Kosnett nga ana e Drejtoreshës së Korpusit të Paqës, Dr. Darlene Grant, ndërsa të ftur ishin edhe anëtarët e familjeve nikoqire.
“Puna me Korpusin e Paqes është ndër kënaqësitë më të mëdha të punës sime si ambasador”, tha Kosnett.
Ambasadori i tashëm Amerikan në Prishtinë përkujtoi se, për herë të parë ka shërbyer në Kosovë në 2003-n, para se të ishte programi i Korpusit të Paqes.
“Kur erdha vitin e kaluar u ngazëllova kur mora vesh se prej vitit 2014 ishin më shumë se 220 vullnetarë që kishin shërbyer në komunitete nëpër tërë Kosovën, duke sjellë energji dhe entuziazëm, kureshtje dhe njohuri – si dhe gatishmëri për të nxënë dhe për të mësuar. Kur bashkëshortja ime, Alisoni dhe unë udhëtojmë nëpër vend, gjithmonë përpiqemi të gjejmë kohë për t’i vizituar vullnetarët e për t’i falënderuar për përkushtimin e tyre, për të dëgjuar mendimin e tyre se si SHBA-ja mund të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në shtegtimin e saj drejt paqes, drejtësisë dhe mbarësisë për të gjithë qytetarët”, u shpreh Ambasadori Amerikan Kosnett.
Më tej ai tha: “Vullnetarëve tanë të ri: Urime! Keni punuar me mund për t’u kualifikuar për program dhe tani ju përfaqësoni Amerikën. Drejtori i parë i Korpusit të Paqes, Sargent Shriver ka thënë: ‘Korpusi i Paqes është sinonim i gjithçkaje që besojmë dhe shpresojmë ta arrijmë në botë’. Colin Powell, i cili ishte gjeneral ushtrie dhe sekretar i shtetit, e përshkruajti rëndësinë e ‘fuqisë së butë’ si: ‘Jemi më të fuqishmit kur fytyra e Amerikës nuk është vetëm ushtari që bart armë, por edhe diplomati që negocion paqen, vullnetari i Korpusit të Paqes që sjell ujë të pijshëm në fshat apo punonjësi i ndihmave humanitare që zbret nga avioni i mallrave përderisa vërshimet përkeqësohen’”.
Prandaj, vijoi Ambasadori Kosnett, si diplomat i karrierës, si amerikan dhe si prind i Korpusit të Paqes, nga thellësia e zemrës e respektoj punën që vullnetarët e bëjnë për të përfaqësuar llojllojshmërinë, vlerat dhe traditat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Thashë ‘prind i Korpusit të Paqes’ sepse arsyeja tjetër pse Alisoni dhe unë ndjejmë këtë lidhje me Korpusin e Paqes është se biri ynë Aleksi ka shërbyer si vullnetar në Filipine, duke punuar në menaxhimin e burimeve bregdetare.
E kam vizituar atje. Ishte njëmend vend pune i hatashëm. Ai zbatonte programe të reja, mësoi gjuhë të reja dhe zhvilloi shkathtësi të reja. Jetoi në një familje nikoqire të mrekullueshme e mikpritëse, si tuajat. Gjatë punës së tij në menaxhimin e burimeve bregdetare, ai jetoi në plazh, prandaj më vjen keq, vullnetarë, nuk kemi program për menaxhimin e burimeve bregdetare këtu në Kosovë. Nuk ka plazh këtu, por malet janë të bukura.
Biri ynë, si të gjithë vullnetarët, dha kontributin e tij për komunitetin nikoqir duke përfaqësuar njëkohësisht Amerikën. Por, ai ka përfituar edhe personalisht. U kthye në shtëpi i mbushur me ide dhe përvoja që e shtynë në karrierën e tij si planifikues i mjedisit. Aleksi ka mbajtur lidhjet me miqtë dhe kolegët nga Korpusi i Paqes, disa prej të cilëve tani i ka kolegë profesionalë”, tha Ambasadori Amerikan Kosnett.
Natyrisht, vijoi ai, jo të gjithë vullnetarët vazhdojnë punën e ngjashme që e kanë bërë në Korpusin e Paqes. “Por, besoj se përvoja juaj këtu do t’ju pasurojë pa marrë parasysh çfarë profesioni përzgjidhni. Prandaj, mos ngurroni t’i siguroni familjet në shtëpi që Korpusi i Paqes mund të jetë – ashtu siç thuhet ‘puna më e vështirë që do ta doni’, por mund t’ju çojë te ‘një punë tjetër të cilën do ta doni pothuajse aq shumë, por ku edhe merrni pagë’.
Edhe një herë, urime, ju faleminderit dhe keni respektin tim. Alisoni dhe unë ju dëshirojmë gjithë të mirat përderisa rehatoheni në pozitat e reja dhe shpresojmë t’ju shohim sërish së shpejti”, përfundoi Ambasadori Amerikan në Kosovë, Philip Kosnett.
Në betimin solemn të shërbimit për 38 vullnetarë të rinj të Shteteve të Bashkuara të Amerikës të Korpusit të Paqes në Kosovë mori pjesë edhe ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në Qeverinë e Kosovës, Shyqiri Bytyqi.
Ai me këtë rast theksoi se, miqësia e popullit të Kosovës për atë amerikan është e mbjellë në gjithçka që Amerika ka bërë për Kosovën.
“Programi juaj që po ofrohet në bazë vullnetare, me fokus ofrimin e ndihmës për shoqëritë e vendeve të ndryshme, duke ofruar informacion për kulturën dhe traditën amerikane dhe njëkohësisht njohjen dhe traditën e popujve nikoqirë, tashmë ka zënë vend edhe në Kosovë, për çka edhe u jemi mirënjohës”, tha ministri Bytyqi.
Ai theksoi edhe ndihmën e madhe që kanë dhënë SHBA-të në procese të rëndësishme në arsim, si dhe në mbështetjen e mësimdhënësve përmes programit të Korpusit të Paqes.
Ceremonia ishte kurorëzim i punës dhe përkushtimit të 38 vullnetarëve, pas përfundimit të trajnimit të tyre prej dhjetë javësh për gjuhën, kulturën si dhe trajnime teknike.
Grupi i parë i Korpusit të Paqes të Edukimit në Gjuhen Angleze prej 25 vullnetarësh kanë mbërritur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Republikën e Kosovës në 8 qershor 2014, ndërsa betimin solemn e dhanë në 20 gusht. Batimin e dhanë pas trajnimit parapërgatitor në komunitetet kosovare, si edhe grupet e viteve tjera që pasuan.
Para se të shkonin në pikat e tyre të shërbimit në Kosovë, vullnetarët Korpusit Amerikan të Paqes u aftësuan për tre muaj në mënyrë gjithëpërfshirëse për aspektet ndërkulturore, gjuhësore dhe teknike.
Korpusi i Paqës filloi programin e tij të parë në Kosovë me ftesë të presidentes së atëherëshme Atifete Jahjaga, e cila në 9 shtator të vitit 2013 me ambasadoren në atë kohë të SHBA-së në Prishtinë, Tracey Ann Jacobson, nënshkruan marrëveshjen ndërshtetërore për hapjen e programit të Korpusit të Paqes në Kosovë.
“Me këtë marrëveshje, Kosova bëhet shteti i 140 nikoqir i Korpusit të Paqes, organizatë kjo e vullnetarëve Amerikanë e themeluar nga Presidenti Kenedi, që me dekada kanë ndërtuar ura të miqësisë mes popujve përreth botës”, theksoi presidentja kosovare në ceremoninë ku ishte edhe drejtoresha e atëherëshme e Korpusit Amerikan të Paqes, Helen Lowman.
Vullnetarët e Korpusit të Paqes janë të përkushtuar ndaj ndërtimit të kapaciteteve lokale dhe zhvillimit të qëndrueshëm në nivelin bazë, për dallim nga financimi tradicional i zhvillimit.
Korpusi i Paqes nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka marrëdhënie të frytshme me popullin dhe Qeverinë e Kosovës.
Korpusi i Paqes ka rrënjët në vitin 1960 kur senatori i atëhershëm John F. Kennedy i sfidoi studentët e Universitetit të Michigan-it për t’i shërbyer shtetit të tyre në kauzën e paqes duke jetuar dhe punuar në shtetet në zhvillim. Nga ky frymëzim u ngrit një agjenci e qeverisë federale e përkushtuar ndaj paqes dhe miqësisë botërore. Tre qëllimet fillestare të Korpusit të Paqes mbeten të njëjta: 1. T’i ndihmojë popujve të shteteve që janë të interesuara për t’i plotësuar nevojat e tyre për persona të kualifikuar; 2. Të ndihmojë në promovimin e të kuptuarit më të mirë të amerikanëve nga ana e popujve që shërbehen; dhe 3. Të ndihmojë në promovimin e të kuptuarit më të mirë të popujve tjerë nga ana e amerikanëve.