
Fuat Memelli/
Çifti amerikan Alan Field dhe Dona Winright, për 20 vjet kanë dhuruar në Afrikën e Jugut 1000 kompjutera ,ndërsa tre muaj në çdo vit jepnin mësim falas në komunitetin Zulu.
Në qytetin Winchester jo larg Bostonit ku jeton vajza ime e madhe me familjen e saj , njoha këtë çift amerikanësh që jetonin ngjitur dhe kishin miqësi. Herë pas here takoheshim para shtëpisë dhe shkëmbenim biseda. Një ditë, me sa duket pasi u “verifikuan kredencialet” më ftoi të vizitoj shtëpinë e tyre. Ishte një shtëpi me të gjitha gjurmët e histoirisë së tyre familjare, ku humbisje në foto dhe histori të çuditshme. Në këtë kuptim, sipas mendimit tim, çdo shtëpi në Amerikë, është një muzeum më vete me plot befasi. Kjo është shoqëri e individit që me krenari ruan historinë e vet si kontribut në vetë historinë e kombit amerikan. Por dua të flas për diçka vërtet befasuese. Gjëja e parë që më “prezantuan” në shtëpinë e tyre, ishte një gjallesë e veçantë, një lloj miu që ata e quanin “rat” dhe ishte në “krye të këndit”. Miqësia e ngrohtë e të zotit të shtëpisë me një kafshë të tillë, që ne realisht e shohim si neveri, ishte shokuese për mua, por edhe joshëse. I zoti i shtëpisë, Alan Field e mbante në prehër dhe herë pas here e kalonte nëpër qafë.(Unë e kisha vështirë ta mbaja në fillim, por sikur u bë pjesë e bashkëbisedimit tonë.) Kë nuk shajmë ne shqiptarët me fjalët ”mi arash”! Në të vërtetë ky ishte një “brejtës i qytetëruar” që të vështronte si njeri me ata sy të vegjël.
Biseduam gjatë për punën dhe jetën time në Shqipëri si dhe për punën e jetën e tyre në Amerikë. Më tregoi se ishte 79 vjet. Veç gruas, ka një djalë që jeton veçan me familjen e tij. Kishte mbaruar kolegjin dhe pastaj kishte realizuar një master, Alan kishte punuar si mësues teknologjie. Qysh në vitin 1970, pra nga mosha e re, dinte të regullonte kompjuterat. Mori pjesë në një projekt që duhet të çonin 1000 kompjutera në Afrikën e Jugut. Mblodhën me makinën e tyre në rrethinat e Bostonit 1000 kompjutera të përdorur, por jo në gjendje pune. I regulluan bashkë më gruan në shtëpinë e tyre. Instaluan programe për fëmijë , i dërguan në tre kontenierë në Afrikën e Jugut dhe i shpërndanë në 30 shkolla të ndryshme. Për 20 vjet, tre muaj në vit dhanë mësim në shkolla të komunitetit Zulu. Gjithë projekti u realizua në mënyrë vullnetare.
“Kisha disa kursime para se të filloja projektin, por kam edhe një shtëpi që e kam dhënë me qera në qytetin Medford. Nuk harxhojmë shumë, pasi nuk blemë shumë gjëra, bëjmë një jetë të thjeshtë”, më thotë Alan. Të punosh vullnetar si ky çift dhe me shpenzimet e veta, vërtet është një model për t’u admiruar. Punë të tilla, nuk janë bërë me urdhër nga dikush , por vetëm me një “urdhër të brendshëm” që e ndien dhe e zbaton vetëm një njeri me botë të madhe.
Më habit dëshira e çiftit për të kontribuar falas gati në çdo gjë që mundin. Është një tipar amerikan puna vullnetare, si një “dhuratë nga Zoti” nga njeriu që beson, se të gjithë duhet të ndihmojmë kur mundemi. Veçmas, në kishat e besimit kristian, janë “ushtri” të tëra njerëzish që punojnë falas, ndihmojnë komunitetin, shërbejnë, pastrojnë, gatuajnë, shpërdajnë ushqim falas, bëhen pjesë e një bamiresie të padukshme, por që ka efekt tek jeta e shumë njerëzve në nevojë. Ne shqiptarët, nuk e kemi sensin e vullnetarizmit amerikan sepse puna falas, ose kontributi pa interes, na kujton komunizmin. Mbase është koha për një fillim të ri, duke mësuar edhe nga rasti në fjalë.
Megjithëse ka mbushur 79 vjet, Alani nuk ri i qetë. Duke qënë i shqetësuar për ndryshimin e klimës, është vullnetar në disa shoqata mjedisore. Shpesh herë merr pjesë në mbledhjet e këshillit bashkiak dhe jep mendime për probleme që kanë të bëjnë me ndryshimin e klimës. Mund të flasësh shumë për këtë çift që e kanë në gjak shpirtin e vullnetarizmit. Kjo ndjenjë është e përhapur shumë në Amerikë dhe vullnetarë ndesh në spitale, në arsim e në shumë institucione të tjera. Ajo spikat në raste fatkeqësish natyrore. Punë vullnetare bëjnë edhe nxënësit që mbarojnë shkollat dhe u shtohen pikë kur aplikojnë për të shkuar në universitet.Vullnetarizmi nuk bëhet me urdhër. Është cilësi e njerëzve fisnikë e me shpirt human. Larry Furrer, nga St. Luis që ka qënë vullnetar edhe në disa projekte të marketingut bujqësor në Shqipëri, në librin e tij me kujtime, sjell detaje shumë interesante se si sensi i kontributit vullnetar, është një tipar i qëndrueshëm amerikan, që përsoset duke u kthyer në një traditë perëndimore.
Në vendin tonë me urdhër nga lart janë bërë shumë punë vullnetare, që pas Çlirimit e në vazhdim. Kështu u ndërtuan shumë vepra si hekurudha, rrugë, u thanë këneta, u ndihmua bujqësia në sezone pike, në mbjelljen e fidanave pyjorë në muajin dhjetor, etj. Në fundjavë punë vullnetare bëhej edhe në pastrimin e shkallëve të pallateve dhe pjesët para shesheve të përbashkëta, ndërsa në shumë fshatra lyerja me gërqele ishte një festë e bukur që zbardhte shtëpitë . Edhe ne kemi pasur traditën për t’ju ndodhur kujtdo në kohë të vështira, por idologjizimi dhe politizimi i çdo gjëje, ka bërë që të largohemi nga disa gjëra të mira.
Besoj se është koha të kthejmë sytë tek disa punë të mira, edhe pse ishin “nga e shkuara”. Në mjaft raste quhet si metodë e socializmit. Disa shoqata bëjnë punë vullnetare, ose në grupe më të mëdha siç është në rastin e shuarjes së zjarreve, mbjelljen e fidanëve pyjorë, etj, por kjo është pak.
Ajo që duhet theksuar është se ndaj këtij shpirti vullnetarizmi që nuk besoj është shuar krejt tek shqiptarët, mediat kombëtare tregojnë indiferentizëm. Ato janë të etura të gjurmojnë kriminelët, vrasjet dhe aksidentet, por kurrë nuk kanë nisur një lajm për punë vullnetare. Na duhen këto punë. Një shpirt i tillë sjell civilizim dhe shpresë, edhe pse jo bujshëm.Vendi ynë ka nevojë për më shumë punë vullnetare. Për të nxitur vullnetarizmin Organizata e Kombeve të Bashkuara qysh në vitin 1985, 5 dhjetorin e ka shpallur Dita Ndërkombëtare Vullnetare për Zhvillimin Ekonomik dhe Social.
Liria që ka 35 vjet që e shkelim dhe e përkëdhelim, është mbi të gjitha liri edhe për vullnetarizëm, si një tipar i hershëm i njeriut që në kulturën e perëndimit shihet si një virtyt që nuk shuhet, përkundrazi. Në fushatat zgjedhore në Amerikë janë mijra dhe miliona kontribute vullnetare që fillojnë me telefonata, takime, shpërndarje mesazesh, mbledhje në grupe interesash, diskutime, debate etj, për të realizuar ndryshimet dhe përtëritjen e lidershipit në çdo nivel qeverisje, jo thjesht vetëm për Shtëpinë e Bardhë. Ndaj, edhe nga raste të tilla, le të mësojme diçka, sepse një nga përparësitë e të jetuarit në liri, është pikërisht edhe liria për të mësuar nga gjërat e mira. Ҁifit Alan Field dhe Dona Winright , janë një shëmbull i vullnetarizmit modern, që përditë merr përmasa të reja, këtu në Amerikë, por besoj jo vetëm këtu.