Ndriçim Kulla/
Dita e votimit po afron dhe çdokush përpara se të zgjedhë kandidatin e tij të preferuar për kryetar të bashkësisë ku jeton, do të duhej të bënte një analizë dyplanëshe: njërën duke këndvështruar partinë që e kandidon dhe tjetrën duke u fokusuar tek vetë kandidati, tek personaliteti dhe aftësitë e tij.
Në rastin e parë duhet të kihet parasysh se Shqipëria në këtë pikë ku gjende, ka ardhur koha të thuhet qartësisht dhe të bërtitet me zë të lartë, se ka përjetuar padrejtësinë më të madhe të mundshme në kurriz të qytetarëve të saj dhe mungesën më të thellë të mundshme të demokracisë që mund të përjetojë një popull, përsa i përket zgjedhjes së administratorëve të 61 bashkive të territorit të tij. E kjo për faktin e thjeshtë se zgjedhjet e mëparshme ose u bënë pa kandidatë ose me kandidatë fiktivë. E gjitha kjo jo vetëm që s’duhet harruar për pasojat e tmershme që ka sjellë në punën, performancën, përgjegjësinë dhe mënyrën e qasjes ndaj qytetarëve përgjatë gjithë këtyre viteve, të cdo kryebashkiaku të pazgjedhur socialist, por edhe për diskriminimin e opozitës së sotme me anathema nga më të ndryshme. Për t’i vënë vulën këtij denigrimi dhe diskriminimi, shërben sllogani i fushatës që Edi Rama trumbeton me valle “tallava” në çdo takim të tij, duke paragjykuar gjoja kthimin prapa të Shqipërisë me përfaqësuesit e lartë të opozitës. Kjo bamirësi ofendimesh dhe negativiteti, ndaj kundërshtarëve të vet që para 4 viteve as nuk ishin përballë tij, por parësisht ndaj qytetarëve të këtij vendi, të cilëve iu mohua demokracia e zgjedhjes dhe iu servir me mburrje e lëvdatra të ecjes përpara, tragjedia e autokracisë në një administrim 60 me 1 të bashkive, tregon përmasën e frikshme të diskriminimit me të cilën hyn sot opozita në zgjedhje. Ky diskriminim i padrejtë, i dëmshëm, kobsjellës për cdo qytetar të këtij vendi duhet të jetë “parrulla e parë e rrezikut” me të cilën duhet të përballet cdo analizë e tij se për kë duhet të votojë. Nevojitet urgjentisht një korrigjim masiv, në cdo vend, në çdo bashki, i kësaj anomalie kaq të keqe të demokracisë sonë që na dhurroi Edi Rama dhe monopoli i propagandës së tij të kthyer në tallava politike për kaq shumë vjet. I detyrohet parësisht popullit të vet t’ia parashtrojë këtë anomali diskriminuese, këtë flluskë papërgjegjshmërie tiranike brenda së cilës kanë lëvrirë krybashkiakët e tij, e pastaj të flasë e të dërdëllitë për shkim mbrapsh apo parsh në këto zgjedhje. Kënga e famshme e ndryshimit epokal “Wind of change” duhet të këndohet përfundimisht në të gjithë Shqipërinë,duhet të bëhet si një hymn kombëtar për momentin, për të rihapur të ardhmen, për të rikthyer lirinë dhe demokracinë e përmbysur nga intrigat në tavolinë mes Ramës dhe Bashës dhe ndihmën e dukshme dhe të pa drejt të lobistëve amerikanë dhe për ta nxjerrë popullin nga makthi pafund i tranzicionit. Nuk ka asgjë që mund të quhet e vjetër, e prapambetur në politikë, kur fuqia më e madhe e saj është ndryshimi. Dhe opozita shqiptare është krejtësisht e ndryshuar përballë fytyrës së demokracisë sonë, sepse të gjithë kandidatët e saj kanë dalë nga zgjedhjet e primareve, dicka e padëgjuar ndonjëherë në traditën tonë politike, një leksion i madh demokracie, që tallavaja e Ramës akoma nuk arrin dot ta pranojë e jo më ta përqafojë si një standard ndryshimi. Që këtu, gjithcka bëhet e qartë si drita e një agimi të ri që po i pret shqiptarët, agimi i primareve të demokracisë. Që këtu qytetarët janë të thirrur të vlerësojnë jo një akt, një rastësi, por një vullnet konkret, politik, një proces të tërë transformimi. Është ky ndryshim i madh konceptual ai që e bën pluhur e hi slloganin socialist, e për më tepër ai që shërben si garanci edhe për qytetarët se të zgjedhurit e opozitës i kanë të gjitha cilësitë e njerëzve të dalë nga gjiri i votuesve dhe përfaqësojnë zërin e tyre të vërtetë dhe asgjë nuk e mbulon dot më të bukurën ,të renë demokratiken mjergulla mc megonigalliane as hija makbethiane me kamë në dorë për të goditur pabesisht natën në errësirë kundërshtarin . Kjo është një tjetër forcë ndryshimi në këto zgjedhje: pastërtia e figurës, e dinjitetit, pastërtia ndaj korrupsionit dhe nepotizmit, dy plagët e tmershme që rregjimii Ramës ia përplasi në fytyrë shqiptarëve, gjatë gjithë kohës së rregjimit të tij. Formula e tij e pështirë dhe tallëse që të dyja këto gjëma demokratike, ekonomike dhe sociale i fshihte si përgjegjësi personale të të zgjedhurve të vet i la qytetarët për plot 4 vjet pa rrugëdalje, të pafuqishëm para padrejtësive dhe pabarazisë. Përkundrazi, bashkëjetesa me krimin dhe korrupsionin, me autokracinë dhe oligarkët është emblemë e sistemit që ai ka ndërtuar dhe për të cilin mban përgjegjësinë kryesore, që e ka shpënë Shqipërinë prapa në kohë. Ndaj plejada e djemve të rinj, të aftë e kulturuar, Belind Këlliçi në Tiranë,Bardh Spahia në Shkodër, Ardit Cikuli në Sarandë, Arjan Hoxha në Kamëz e gërshetuar me plejadën e figura të shquara akademike dhe qëndrestare të historisë së opozitës Luçiano Boçit në Elbasan, Igli Carës në Durrës, Zef Hilës në Vaun e Dejës , Zija Ismailit në Berat etj , nuk mund të mos përbëjë një tjetër risi ndryshimi përpara syve të zgjedhësve. Ata nuk mund të mos i përgjigjen kësaj zgjedhjeje me “duar të pasta” që kanë bërë bashkëkombasit e tyre, ata nuk mund të mos i besojnë nuhatjes dhe instiktit popullor të së vërtetës, që merr zë në këtë zgjedhje. E së fundi, ata nuk mund të mos i bashkohen gjithë kësaj energji revolte pozitive, që ka përfshirë të majtë e të djadhtë, për të rivendosur balancat e prishura me dhumë dhe padrejtësisht, mes njerëzve, zgjedhësve dhe hallkave administrative, që rezultari 60 me 1 i zgjedhjeve apo mos-zgjedhjeve të shkuara, i bëri të durojnë mbi kurrizet e tyre me aq shumë vuajtje dhe zemëratë.
Le t’i kanalizojmë atëherë të gjitha këto ndjesi negative të qasjes ndaj qytetarëve prej rregjimit të sotëm, me shpresën e pozitivizmit të ndryshimit që fryma opozitare po përhap me vepra dhe projekte në çdo bashki, për të bërë që Shqipëria të mos vazhdojë të jetë një “geto” e demokracisë në zemër të Europës, një “toke e xanun” e korrupsionit dhe oligarkisë, por një oaz i përgjegjësisë më të thellë ndaj votës së qytetaerëve, që opozita brenda vetes tashmë e ka faktuar që mund ta sigurojë. Le ti japim besimin që i meriton ta sigurojë këtë demokraci edhe në gjirin e gjithë Shqipërisë, pasi është pikërisht demokracia nëna e të gjithë të mirave që ne mund të presim: përparimit, drejtësisë dhe barazisë. Qoftë e bërë, siç uronte dikur Noli për pavarësimin tonë, le të themi të gjithë sot, shpëtofshim nga ky rregjim.