Mirela Mezani drejtuese e shoqatës Women Alb World (WAW) në Gjenevë të Zvicrës rrëfen ekskluzivisht dhënë gazetarit Sokol Paja për gazetën DIELLI, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, organizimin dhe aktivitet kryesore në bashkëpunim me rrjetin e bizneseve shqiptare në zvicër, projektet në përkrahje të femrave shqiptare në Zvicër dhe të mësimit të gjuhës shqipe.
VËSHTIRËSITË E FILLIMIT TË KRIJIMIT TË WOMEN ALB WORLD
Women Alb World (WAW) është një organizatë shqiptare ndërkombëtare. Organizimi i saj lindi si një nevojë e pamohueshme. Unë kam ardhur në 2016 në Zvicër, vija me një CV dhe eksperiencë të pasur por pa asnjë njohje të Zvicrës qoftë edhe gjuhën. Pra kisha vetëm dëshirën për integrim. Qysh në 2016 fillova të trokas në çdo derë, individ të integruar, organizata të shqiptarëve, munda të futem në disa prej tyre tek njëra prej tyre jam edhe sot (Rrjeti i Bizneseve Shqiptare në Zvicër). Për këtë dua të falenderoj kryetarin e RRBSHZ z.Qamil Isufi që jo vetëm më pranoi të jap kontributin tim në rrjetin e bizneseve por ka pasur një rol mbështetës e inkurajues për ndërtimin e WAW më pas. Gjatë viteve 2016-2017 pasi kisha bërë mijëra km si brenda Zvicrës e nëpër Europë me Rrjetin e Bizneseve Shqiptare në Zvicër si përfaqësuese e medias, (për këtë një rol të jashtëzakonshëm ka pasur mbështetja e bashkëshortit tim), gjatë këtij rrugëtimi kam parë problematikat e mëdha që realisht kishin e kanë organizimet në Diasporë: politizim i madh, mungesa femërore në gjithë mbledhjet e tyre (shumë organizata), pak bashkëpunim etj. Zvicra, një vend i pasur e social, të sjellësh në mbledhje të shoqatës një shqiptar të integruar duhet të jesh interesant për kohën që ai të fal (pra duhet seriozitet). E ardhur nga fusha e Biznesit e kuptova që kjo ishte «si thembra e Akilit» për funksionimin afatgjatë të një shoqate. Zhgënjimet nga e kaluara (pjessëmarrje në të tjera shoqata më parë) ishin bërë mure skepticizmi për shqiptarët me vullnet në këto shoqata që kishin ekzistuar. Një tjetër element që më ndihmoi për të njohur Diasporën me problematikat dhe kapacitetet që ajo ka ishte bashkëpunimi më TVSH3 e më emisionin URA.
ORGANIZIMI I BRËNDSHËM
Unë isha e jam e bindur që për të bërë një shoqatë (siç është WAW sot) duhen tre elemente: 1. Vullneti – Njerëz me Vullnet të mirë pozitiv pa mëri e zili në thelb të tyre që e duan bashkëpunimin e të mirën e përgjithshme të idesë, qëllimit që tentohet. 2. Profesionalizëm – Një shoqatë duhet të ketë shtyllën ligjore administrative të fortë që të arrijë të krijojë e menaxhojë anëtarësinë (gjithëpërfshirjen), pra duhen profesionist të fushës e sigurisht të kenë edhe vullnetin pozitiv. 3. Kapitali apo paraja – Sado vullnet të kesh, sado profesionist të jesh vjen një moment që duhet gjërat ti ndërlidhësh e sigurisht kostot që krijohen gjatë një projekti duhen paguar derisa të rritet e të vetëprodhojë. Për këtë pjesë, më e diskutuara në fakt në çdo shoqatë, unë dola vetë finacuesja duke përcaktuar qartë edhe si do vazhdohej më pas: Anëtarësia e saj, donacione, sponsorizime të aktiviteteve, të ardhura nga shërbimet në kanalet marketing të WAW, financime nga projektet ndërkombëtare etj. Çdo anëtare e WAW që merr kartën e anëtarësisë përfiton shërbime me 10 % zbritje nga shërbimet e WAW apo të bashkëpuntorëve të saj. Sa i përket marrveshjeve me shtetin në Zvicër, kemi përfaqësues të tyre, jo marrëveshje të shkruara. Një veçanti e WAW ështē se të gjitha anëtaret e bordit internacional si dhe komitetit kanë firmosur për të qenë pjesë e WAW pasi ndodh rëndom të ketë përplasje me preteksin që organizata po shfytëzon imazhin e tyre. Në aspektin e drejtimit dhe të menaxhimit gjëja më e vështirë është të jesh gjithëpërfshirëse duke udhëhequr personalitete individuale në një të tërë.
WOMEN ALB WORLD NJË SHOQATË INTERNACIONALE
Women Alb World është një shoqatë Internacionale me seli në Gjenevë e rregjistruar sipas legjistacionit Zvicerian. Mbështetur në këto tre pika që ishin diskutuar e rrahur në një grup të ngushtë prej 5 vetash (komiteti), në datën 1 e 2 nëntor 2019 u bë hapja zyrtare publike e WAW. Ditën e parë bordi Internacional dhe ekspertët e politikes, barazisë gjinore, të ftuar nga të gjitha anët e botës bënë një vizitë në Parlamentin e Gjenevës e një pranë Kombeve të Bashkuara. Dita e dytë e hapur për të gjithë dashamirësit e anëtaret e bordeve, u fol për shoqatën, për misionin, qëllimin (të gjitha të mirëstrukturuara më parë). WAW kishte faqen e saj të webit, spotin e saj, logon e sloganin e saj. Ajo që spikati gjithashtu e tërhoqi vëmendjen ishte se WAW vinte me një panel bashkëpuntorësh me shumë integritet që në ditën e parë të saj. Pati sigurisht atë që edhe pritej, një sukses të madh, një shpresë se diçka e madhe pozitive po ndodh nga Gjeneva Internacionale. Për të thënë të vërtetën, si njeri i biznesit e di që e vështira vjen pas suksesit, të dish të ruash atë sukses apo prishmëri të anëtarësisë e dashamirësve. Tani nuk jam unë vetëm por kam një komitet (strukturë që vendos), ndaj sfida bëhet edhe më e vështirë. Unë jam e bindur që do të ruajmë dhe të realizojmë të gjitha ato që kemi hartuar në letër e janë publike në webin e në faqen tonë të FB Women Alb World vetëm nëse do dijmë ti gërshetojmë vullnetin e profesionalizmin për të prodhuar shërbime që çojnë tek gjithëpërfshirja, tek rritja e bazës së WAW sepse vetëm në këtë mënyrë do të realizohet qëllimi kryesor i joni. Qasja e standarteve të grave të mirë integruara profesionalisht në raport me pjesën e grave që kanë nevojë për shembuj të mirë.
AKTIVITETE QË SHËNUAN VITIN TONË
Edhe pse viti 2020 ka qenë një vit tejet i vështirë për mbarë globin, aktivitetet më kryesore të WAW që ishin në program por që u detyruam ti anullojmë ishin: Një panair-konferenë -argëtim në 8 Mars, një takim për informim të grave e vajzave shqiptare për të drejtat e punës në Suisse, një takim për këshillim të asurancave në Suisse, një mbrëmje për studentët shqiptar diplomuar në Universitete etj. Arritëm të ishim prezent në disa konferenca në fund të 2019 e fillim të 2020 siç ishin: Realizuam në 19 shtator të 2020 një takim (konferencë) për gratë e vajzat shqiptare në politikën Zviceriane si shembull për të gjitha ato që duan të hyjnë në politikën Zviceriane si dhe për komunitetin shqiptar në Zvicër në përgjithësi. Sivjet për herë të parë, një shqiptare Ylfete Fanaj u vu në krye të një Parlamenti Kantonal. Xhevrie Osmani, Deputetja e Gjenevës vinte me një propozim të një projektligji “heqjen e të dhënave diskriminuese nga cv personale”. Këtë konferencë do ta dalloja për pjesëmarrjen e personaliteteve në politikë si shqiptar dhe të huaj (zviceriane), ndërthurje mes prezences e mesazheve audio për shkak të pandemisë. Më 12 dhjetor zhvilluam edhe asamblenë vjetore onlinë me praninë e bordeve dhe gjithë anëtareve të WAW .
WOMEN ALB WORLD DHE GJUHA SHQIPE
Ajo që e shoh si më të rëndësishme për tu përfshirë ndër aktivitet kryesore të diapsorës është lufta ndaj asimilimit kulturor e gjuhësor. Mësimi i gjuhës shqipe do të jetë prioritet në organizimet dhe nismat tona. Nuk është e lehtë për shumë arsye që duan kohë e arsyetime të gjata. WAW ka në bordit e saj internacional tri zonja që merren me gjuhën shqipe. Së pari po shohim të bëhemi pjesë e diskutimeve dhe më pas pse jo të bashkëpunojmë me institucionet përkatëse për të dhënë kontributin tonë në këtë fushë të rëndësishme për çdo shqiptar.
AKTIVITETET E PROJEKTET PËR VITIN 2021
Së pari urojmë që të jemi mirë e të largohet një herë e mirë, një orë e më parë ky virus tinzar. Në periudhën Janar – Prill jemi përfshirë në nje projekt të Ministrisë së Shëndetësisë për informimin e komunitetit shqiptar në luftën ndaj virusit. Në Mars aktivitetin e 8 Marsit (i përvitshëm), të gjitha aktivitetet e 2020 që janë anulluar si dhe po punojmë për Akademinë WAW. Një hapësirë tv për të trajtuar problematikat si dhe shembujt e suksesit të grave e vajzave tona në Diasporë.