
Përpiqemi të bëjmë një analizë të vogël. Kthejmë vëmendjen tek një rast i veçantë etnografik, bëhet fjalë për një veshje të rrallë jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Ballkan dhe në Botë : Xhubleta e Malësisë së Madhe dhe Kelmendit. Xhubleta, pa dyshim, mbetet çertifikata autentike që provon origjinën pellazgjike të banorëve të Shqipërisë së Epërme. Por, çuditërisht, të dhënat arkeologjike e identifikojnë këtë veshje edhe në territore të tjera të lashta mesdhetare si në Kretë, etj.
Lutfi Alia na tregon se, Xhubleta është veshje me prejardhje të lashtë, çka dëshmohet me ngjashmërinë me veshjen në disa figurina terrakote të gjetura në Bosnje, dikur të banuar nga fiset ilire, si dhe në Kretë dhe vise të tjera të Mesdheut, që i përkasin mijëvjeçarit të dytë para erës sonë. Studiuesit shqiptarë dhe të huaj, njëzëri theksojnë se xhubleta është veshje me origjinë të lashtë katërmijë vjeçare, e ruajtur nga malësoret e Shqipërisë veriore, të malësisë të Kosovës perëndimore dhe të pjesës verilindore të Malit të Zi të banuar nga shqiptarët. Xhubleta vishet nga gratë dhe vajzat e Malësisë së Madhe, Kelmendit, Dukagjinit, Shalës, Shoshit, Nikaj – Mërturit, Pukës, Mirditës, Rugovës dhe nga shqiptarët e Malit e Zi (Plavë, Guci, Hot, Grudë, Tuz, etj).
Ja se çfarë na thotë Spiro Konda për xhubletën:
“…Kreta u banua që nga epoka neolitike prej parahelenëve që ishin vetë pellazgët. Tjetër element pellazgjik në Kretë është fakti se veshja e grave të Kretës së Vjetër është një me atë të grave të Malësisë së Shkodrës.(Enciklopedia e Madhe Greke. Vol. XV, Athinë 1931, f, 171)
Ndërsa Dhimitër Pilika na thotë: “Në Malësinë e Madhe dhe në Kelmend xhubleta e grave ruan edhe sot tiparet e veshjes së Artemisit që hasim tek monedhat ilire” Dëgjoni zotërinj akademikë; ilirët adhuronin Artemisën, një perëndi “greke”, por në fakt ajo është një perëndi pellazge. Pra, në monedhat e tyre ilirët konsakronin origjinën e tyre pellazgjike.
Aleksandër Stipçeviq kur flet për veshjet ilire na thotë: “…Gratë ilire vishnin gjithashtu një tip fustani që ishte i prerë në brez, kështu që pjesa e sipërme ishte e pëlqyer për trupin, ndërsa pjesa e poshtëme ishte e rrudhur dhe kishte formën e kumbonës. Këtë formë robesh e mbajnë hyjneshat lokale (Diana, Nimfat) në monumentet nga epoka romake si dhe gratë valltare, të paraqitura në urnat japode nga Ribiqi (shek V-IV p.e.s), me rrobe të tilla ishte veshur hyjnesha Diana (Artemisa) që është paraqitur në monedhat e mbretit ilir Ballaeus (shek.II p.e.s). Mendohet se kjo formë e robave ilire është ruajtur deri sot tek shqiptarët në Shqipërinë e Veriut dhe në Kosovë (te pjesëtarë të fisit Kelmendi)…I pari për këtë veshje karakteristike (xhubletën) të shqiptarëve të veriut si gjurë të veshjes parahistorike shkroi Franc Nopça (Franz Nopcha).”
Pavarësisht faktit se autori i mësipërm nuk flet, se përse kjo veshje është ruajtur deri në ditët e sotme vetëm tek fisi i Kelmendit në Alpet Shqiptare; si dhe pavarësisht faktit që ai e quan xhubletën një veshje ilire, kundërshton vetveten, kur në të njëjtën kohë, thotë, që ajo është veshje e hyjneshës Diana (Artemisa), dhe e nimfave. Sepse i duhet të shpjegojë se përse këtë veshje e kishte veshur një perëndi që nuk ishte ilire?!!! Ose, e kundërta, përse ilirët vishnin një veshje që nuk ishte e tyre, por e një perëndie ‘greke’?!!! Ndërkohë, që nga ana tjetër, na thotë shumë, kur tregon se një mbret ilir e kishte stampuar këtë veshje në monedhat e tij. Përse?!!! Por edhe faktin tjetër shumë të rëndësishëm, që kjo veshje, duke qënë veshje e një perëndie pellazge, dhe, pa asnjë dyshim, dhe vajzat dhe gratë e Shqipërisë së Epëme, që vishnin veshjen e kësaj perëndie në atë kohë, kanë qënë edhe ato pellazge. Ndërsa në kohët e reja dhe të sotme, duke vazhduar të veshin të njëjtën veshje, ato provojnë në mënyrë të pakundërshtueshme origjinën e tyre pellazgjike.
Studiusit tanë thonë që xhubleta është një veshje e lashtë e malësoreve, por thonë gjithashtu, që ajo është edhe ilire. Nuk kam kundërshtim. Por, në gjetjet arkeologjike në Kretë janë zbuluar veshje të grave kretane, pellazge të njëjta me xhubletën e Malësisë. Nuk mendoj se do të na thonë se edhe kretaset e lashta ishin me origjinë ilire?!!!
Në vërtetim të kësaj na vjen në ndihmë Moikom Zeqo, i cili pohon se, duke shfletuar një koleksion të gazetës “Illyria” të vitit 1935, gjeta një shkrim të rrallë, shkruajtur nga Dr.Shyqyri Demiri, ku midis të tjerash, kur vjen fjala për veshjen e malësoreve tona pohohet:
“Ruejtja e traditavet âsht aq e madhe, sa që Baron Nopsca konstaton pothue identitet në format e kostumevet të gravet t’epokës kulturore të Mykenës me kostumet e sotshme të Malsís së Shkodrës”
Por ka edhe më, përsëri Moikom Zeqo na befason, kur na informon: “Në shekullin XIX, një nga gjenitë më të mëdhenj të arkeologjisë botërore Ser Artur Evans, bëri një udhëtim ne Ballkan si dhe në Shqipëri dhe botoi librin “Letrat ilire”…ai bëri gërmime në Kretë dhe Mikenë dhe zbuloi kulturën e mahnitshme, që ai e mbiquajti kultura kreto-mikenase…Evans zbuloi artin magjik dhe ekzotik të afreskeve, skulpturave, terakotave të Kretës dhe të Mikenës…Evans zbuloi disa terakota femrash me një veshje të çuditshme, me një fustan të rëndë dhe të valëzuar deri në fund të këmbëve, por me gjinj të zbuluar dhe që mbanin gjarpërinj në duar. Pikërisht këto terakota janë dëshmia e vetme ndërlidhëse me xhubletën shqiptare të Veriut, e cila mbijeton deri në ditët e sotme. Shumë dijetarë etnografë kanë theksuar, se kjo ngjashmëri ka karakter unik por megjithatë nuk e shpjegojnë dot se si…Si ka mundësi që xhubleta shqiptare, të bart një kumt kaq të stërlashtë?
Në Muzeun e Njeriut, në Paris kam patur fatin të shoh xhubletën më të vjetër që është deri më sot, gati 3 shekullore. Një xhubletë dy shekullore ndodhet në Lezhë. Xhubletat e tjera, janë të fundit të shekullit XIX, ose fillimit të shekullit XX. Mjafton xhubleta shqiptare, që emri i Shqipërisë, të mbetet përjetësisht në kostumologjinë evropiane.”
A ndodhemi para një misteri? Malësoret tona me veshje ‘greke’!!!! Apo greket e lashta me veshjen shqiptare, apo ilire në daçi!!! Por ka studiues, që veshje të tipit të xhubletës, e kanë vënë re edhe tek veshjet e lashta të grave etruske dhe ato të Sardenjës. Vetvetiu, këtu na shpëtojnë pellazgët, të cilët kanë banuar si në Kretë dhe në Mikenë, si në Argos dhe në Korinth; në Etruri dhe Sardi, po ashtu edhe në Dardani dhe në Iliri.
Andromaqi Gjergji, kjo etnografe e shquar, flet për figura pagane të padeshifruara, madje kozmike në këtë veshje të jashtëzakonshme. Këto simbolika dhe figura të qepura në xhubletë tregojnë se kemi të bëjmë me një veshje hyjnore, të cilën, me siguri, e kanë veshur hyjnitë pellazge, si Artemisa dhe të tjera. Lutfi Aliaj bën një përshkrim interesant të këtyre simbolikave:
“Xhubleta është kryevepra e kostumografisë iliro – arbërore – shqiptare, ështe vepër arti, është histori, është kulturë shekullore, është mit, është sofistikim estetik me zbukurime dhe qendisje floreale dhe gjeometrike me plot mistere të lashta pagane, me simbole antropozoomorfe dhe mistike, është vlerë materiale dhe shoqërore, është punim origjinal shqiptar unikal. Fundi i xhubletës dhe veshjet e tjera plotësuese zbukurohen me motive magjepse me karakter natyror, hyjnor dhe fisnor, të shprehura me figura floreale dhe gjeometrike, me simbole atropozoomorfe dhe magjie, të gjitha të qëndisura me penjë shumëngjyrëshe; madje në zbukurimet integrohet dhe pema e fisit dhe e familjes, një kod misterioz i trashëguar nga lashtësia, i pasqyruar me simbole të ndryshme, ndër të cilët mbizotëron shqiponja.”
Por origjinën pellazgjike të banorëve të Shqipërisë së Epërme e vërtetojnë më së miri disa simbole të përdorura gjërësisht nga të gjithë popujt pellazgjikë të Mesdheut: “Në misterin e xhubletës pasqyrohen një seri simbolesh pagane, që kanë ekzistuar para besimeve monoteiste dhe ndër më të përdorurit janë simbolet e diellit, të hënës, të yjeve, të gjarpërit, të shqiponjës, të dragoit dhe simboli i lashtë magjiko – fetar i svastikës (në gjuhë sanskrite do të thotë fat, lumturi, mirëqenie), ndërsa sipas J. Dechelette svastika karakterizon diellin në lëvizje, andaj quhet dhe dielli svastik.”
Nga të gjitha këto që u thanë më sipër na lind e drejta të shtrojmë edhe një pyetje: A është xhubleta një libër ku janë shkruajtur për mijëra vjet mesazhe të rëndësishme, ndoshta të ardhur edhe nga jashtëtokësorët, mund t’i quajmë edhe hyjni, pasi nga yjet kanë ardhur, në se kanë ardhur? Në vazhdim a kanë qënë Alpet Shqiptare një pikë kontakti me hyjnitë? Më tej, përse kjo veshje ka ekzistuar përreth këtyre alpeve? A mund t’a quajmë xhubletën thjesht një veshje ilire?!!! Po të ishte kështu, përse nuk ndodhet edhe tek fiset e tjera ilire, të paktën, në Ilirinë e Jugut? Por nuk mund ta quash ilire edhe nga mosha e saj, që është mijëravjeçare, mbase edhe dhjetëmijë apo më shumë. Xhubleta pellazge qëndron krenare përkarshi gjithë botës dhe thotë: Mua më kanë veshur vetëm perëndeshat e Dodonës dhe të Olimpit dhe shqiptarkat e Maleve të Alpeve Shqiptare.
Ndonëse ajo është një veshje e vjetër 3000-4000 apo më shumë vjeçare dhe kombi ynë ka ndryshuar disa herë emrat: Pellazgë, Ilirë, Arbër, Shqiptarë; gratë malësore konservatore mbajnë akoma veshjen e tyre pellazge (kjo ndoshta, edhe për inat të disa akademikëve tanë, që nuk e njohin origjinën pellazge të popullit tonë).
Pilika dhe Stipçeviq na thonë se veshjet e shqiptarkave i kanë gjetur të stamposura në monedha, statuja dhe objekte të tjera arkeologjike si veshje të nimfave, Artemisës apo Dianës. Pra si veshje të hyjnive pellazge, si ato të vajzave Dardane; vajzave mirditore; vajzave të Lunxhërisë; si dhe ato arbëreshe. Tani me të drejtë mund të pyetet: Me ç’të drejtë shqiptarkat kanë veshur teshat e hyjnive, dhe jo vetëm një herë, por me mijra dhe miliona herë; jo për një vit, jo për dhjetra apo qindra vjet, por për mijëra vjet. Kush jeni ju?!!! Si guxoni ju të bëni këtë sakrilegj për shekuj e shekuj me rradhë?!!! Por çudia më e madhe dhe më e pabesueshmja është një fakt. Si nuk i ndëshkuan dhe pse nuk i ndëshkuan hyjnitë shqiptarkat?!!! Pse?!!! Sepse shqiptarkat, që në zanafillë të tyre, si pellazgjesha, kishin fituar të drejtën të visheshin njësoj si hyjnitë. Sepse ato si racë kishin ‘mandat’ nga vet kryeperëndia pellazge, Zeusi, i cili këtë popull, pellazgët, i kishte popullin e vet. Prandaj edhe Homeri i quan pellazgët, popull hyjnorë. Pellazgët uleshin në sofër bashkë me hyjnitë, pinin bashkë me hyjnitë, bisedonin në të njëjtën gjuhë me hyjnitë, visheshin njësoj si hyjnitë. Pra ishin të një sëre dhe të një soji me hyjnitë e Dodonës dhe të Olimpit.
Besnik Z. Imeraj
Foto: pinterest.com
(Marrë nga libri Origjina e shqiptarëve në katakombet e historisë botërore)