Nga Flora Nikolla/“Efekti është i menjëhershëm. Një barrakë në pyll me binarë që zgjaten në kënde agresive në një sfond të tejdukshëm të pikturuar në mënyrë abstrakte” “shkruan Korbin Uent , kritik amerikan teatri, për dramën “Sy për Konsuelën” me skenografi të Andis Gjoni, artist shqiptaro-amerikan me banim në Nju Jork, nje vepër e cila vijon të shfaqet me sukses në teatrin “Gene Frankel” në Manhattan. Nju Jork .
“Në këtë shfaqje e gjejmë veten të rrethuar nga një xhungël e realizuar me shumë zgjuarsi nga Andis Gjoni”, vijon komentin e tij kritiku amerikan për artistin, një nga skenografët shqiptarë i cili pas viteve 90-të, arriti të sjellë një erë të re në konceptin e skenografisë shqiptarë në lëvizje dhe jo vetëm dhe që me shumë sukses vijon karrierën e tij në një nga metropolet më të mëdha botërore siç është Nju Jorku.
Si produksion i kompanisë Teatrore “White Horse Theater”, kompani e specializuar në vënien në skenë të autorëve amerikanë, “Sy për Konsuelën”, në rreth një javë që po shfaqet duket se është mirëpritur nga nje rreth artistësh në Nju Jork ashtu dhe nga shtypi amerikan dhe i komunitetit shqiptar atje .
Me sa duket edhe këtë herë, skenat e realizuara nga Andis Gjoni , janë siç shkruante në vitin 2006 producentja amerikane, Ketrina Kent , “një gjetje origjinale dhe shumë e bukur”. “Artisti karakterizohet nga një krijimtari e rrallë ndërsa rezultati në skenë është vërtetë magjik” shkruante Kent në atë kohë për skenografine e dramës “Xhaxha Vanja” me realizuar nga Andis Gjoni ne NYC.
Këtë herë artisti i njohur dramën e bazuar në tregimin “Buqeta blu” të nobelistit meksikan Oktavio Paz , e cila sintetizon dramën shpirtërore të një mesoburri (Henri), amerikan shpirt-humbur, që endet si në ëndërr në xhunglën Meksikane, Andis Gjoni në skenografinë e tij e vendos në udhëtim . Dhe si simbol të këtij udhëtimi artisti ka gjetur lundrën . Dhe ky pikërisht është udhëtimi i Henrit në dallgët e jetës së tij, vendosur nga artisti në një sfond abstrakt që perifrazon vizualisht pikturat e Xhekson Pollokut.
“E vendosa këtë vizion sepse i përshtatet shumë mirë pjesës, shpreh mirë ndjesinë e një jete dhe situate abstrakte- ekspresioniste, shpreh tallazet e saj, pasigurinë e një xhungle”, i tha ATSH-se Andis Gjoni duke shtuar se kështu mendonte se jepte plotësisht atmosferën e dramës që ka kjo pjesë. Autori në nisje të dramës vendos dhomën e personazhit kryesor Henrit në një godinë që pamjen nga spektatori e ka në formën e bashit të një anije.
“Unë mendova ta çoj më tej abstragimin dhe ta vendos personazhin kryesor në një mjet lundrues të pasigurtë siç është lundra një mjet i sajuar që mund të të hedhë në ujë në çdo çast” tregon Andis Gjoni duke zbuluar njëherazi mendimin dhe konceptin e tij artistik, abstragimin që i bën fabulës së dramës, e cila në vetvete , është një metaforë e fuqishme e botës amerikane ku emigrantët nuk ndjehen të. E gjithë skena jepet e rrethuar nga një sfond transparent që jep pamjen abstrakte të një pylli ose deti me tallaze, përmes të cilit shfaqen vegimet e ëndërrimeve ose demonëve të personazheve .
Kur sheh skenografinë e Andis Gjonit, ve re se çdo detaj është i menduar deri në imtësi. Tavolina, llampa e vajgurit, shtrati i varur, koloriti i skenës i jep tonin e një jete të konsumuar , duke e bërë sa eraliste dhe te prekshme skenën nga shikuesi nën një koncept abstrakt.
E gjithë skenografia duket se është e ngritur mbi ide të shtresëzuara dhe te menduara artistikisht nga autori. Ato zbulojne pak nga pak misterin e pjesës ashtu siç zbulohet pak nga pak shpirti i personazheve gjatë zhvillimit të dramës, dhe pikërisht ketu qëndron edhe filozofia e konceptit te skenografisë se Gjonit.
Regjisorja e “Sy per Konsulën”, Sindi Marion duke vlerësuar bashkëpunimin më të ri me Andis Gjonin tha “se edhe këtë herë sikundër në realizimin e produksioneve të tjera ishte ndjerë shumë mirë gajte punes me të” .
“Në “Sy për Konsuelën”, natyra e shfaqjes kërkon një skenografi ëndërrash për një amerikan, i cili përballet me një lloj makthi në betejën me demonët e brendshëm shpirtëror. Për këtë, Andisi ka krijuar mjedisin e përsosur me ndërtimin e kësaj bote të humbur si xhungël me këtë lundër mbi të cilin ky njeri endet në mëshirë të fatit”, tha ajo.
Sipas saj, lundra shërben si metaforë për njeriun në vetmi, i cili endet në mëshirë të fatit në një botë të izoluar dhe të cilit, në njëfarë mënyre i duhet të gjejë veten në dete të humbura. Ndërkohë ne fund të dramës shihet rikthimi i personazhit te vetja dhe në zemrën e tij dhe tashmë mund të kthehet sërish në atdheun e tij në Amerikë si njeri krejt tjetër.
“Mendoj se Andis Gjoni me anë të kësaj skenografie ka realizuar më së miri metaforën e kësaj bote të izoluar dhe besoj se asnjë skenograf tjetër dhe askush tjetër veç tij nuk do të ishte në gjendje ta bënte këtë”, u shpreh regjisroja amerikane.
Në rolet kryesore ne kete drame interpretojnë aktorë të mirënjohur që marrin pjesë në filma televizive ne kanalet tëe njohura amerikane si Richard Fiske (Henri) Roberto Adolpho ( Amado) Pietro Gonzales (Vijejo) Marieta Carrero (Konsuelo)
Andis Gjoni ka një aktivitet të gjërë në fushën e skenografisë ë Nju Jork. Duke arritur të hyjë në botën e Broduejit, janë të shumta skenografitë e realizuara prej tij , por edhe të nderuara me cmime nga bota amerikane e artit . Kështu në vitin 2008 , skenografi Andis Gjoni u vlerësua me Çmim Nderi për skenografinë dhe dizajnin për shfaqen “Vila Diodadi”, në Festivalin e Muzikaleve në Nju Jork,(SHBA), festivali më i rëndësishëm i teatrit i cili nga krijimi i tij ka promovuar dhe çuar drejt suksesit rreth 130 opera dhe muzikale të ndryshëm. Më parë kësaj trofeje Andis Gjoni kishte marrë pjesë në Festivalin Ndërkombëtar Teatror të Mesqytetit, organizuar në Nju Jork, ku u prezantua me skenografinë e komedisë “The Higher Education of Khalid Amir” (“Edukimi më i lartë i Khalid Amirit”), shkruar nga komediografia Monica Bauerndërsa më parë kish qënë pjesëmarrës në Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit Fringe midis qindra artistëve nga e gjithe bota, ku u paraqit me skenat e komedisë “PB&J”, apo skenografinë e “Xhaxha Vanja” së Çehovit, vënë në mars të vitit 2006.
Megjithëse jeton prej vitesh në SHBA, ai ka qenë më shumë se aktiv në skenën shqiptare. Ai ishte i pari që solli në skenën shqiptar një musical amerikan kur në vitin vitin 2004 realizoi në Tiranë skenografinë e premierës botërore “West Side Story” (Histori e Anës Perëndimore).
Më pas do të realizonte skenografinë e musicalit “Kiss me Kate”, një bashkëpunim shqiptaro-amerikan, vepër, me një sukses absolut në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit në Tiranë, drejtuar virtualisht nga dirigjenti amerikan Thomas Carlo Bo, drejtor artistik i Garden State Music Festival, dhe regjisorja e njohur amerikane Nansy Rhodes. Ndër arritjet e tij në fushën e skenografisë është dhe realizimi skenave dhe kostumeve në operat “Hansel & Gretel” me Operan Shtetërore të Nju Xhersit, skenografinë, kostumet dhe regjinë e operas “Porgy & Bess” të G.Gershuin, në TKOB, regjinë dhe skenografinë e operas “Shërbëtorja Zonjë” nga Xh. Pergolezi me Operan Shtetërore të Nju Xhersit (SHBA), skenografinë e premierës botërore të operës “Vila Diodati”.
Në vitin 2003 ai ishte përfaqësues i vetëm i Shqipërisë në konkursin për Memorialin e viktimave të 11 Shtatorit në SHBA. Po atë vit ideon instalacionin më të madh të realizuar ndonjëherë në Shqipëri, mbulimin e “Piramidës” (ish-QNK) në qendër të Tiranës me një copë tekstili të zezë e cila ishte pjesë e Ekspozitës personale të hapur në ambientet e asaj godine në kryeqytet.
Kur jetonte në Shqipëri ai ishte prezantuar me sukses në fushën e skenografisë së teatrit, cilësuar për një skenografi modern dhe që solli një frymë të re në skenografinë shqiptare të pas viteve ’90 . Përmenden skenografia e “Zonjushës Zhuli” e Strintbergut, e “Ylli pa emër” e Mihai Sebastian, “Jashte bie borë ” e Vincenso Sallemme.
Karriera e tij artistike, veç skenografisë, dallohet edhe në zhanrin e pikturës, e cilësuar nga kritika si një pikturë që mbështetet në mitet dhe legjendat shqiptare apo edhe ballkanike, ndërtuar mbi një stil abstrakt, ku dallohen qartë elementë të surrealizmit. Ato trajtohen përmes një mendim të perceptuar qartë nga Gjoni, i cili abstragon me origjinalitet për të dhënë përjetimet e tij si artist. Piktura e tij ka qënë prezente në një sërë ekspozitash kombëtare dhe ndërkombëtare si “Onufri 2002″, “Onufri 1997″. Ai ishte pjesëmarrësi i vetëm nga Shqipëria në konkursin ndërkombëtar për Memorialin e 11 Shtatorit në Nju Jork (2003).
Andis Gjoni ka lindur në Tiranë më 1968 dhe është bir arti; babai i tij është kompozitori Simon Gjoni dhe nëna e tij koncert maestër Hermira Gjoni. Ai kreu studimet e larta në Akademinë e Arteve në Tiranë në vitin 1991.
Çfarë kanë thënë për Andis Gjonin
Në shfaqjen “Sy për Konsuelën” e gjejmë veten të rrethuar nga një xhungël e realizuar me shumë zgjurasi nga skenografi Andis Gjoni, efekti është i menjëhershëm dhe pasqyron një barrakë në pyll me binarë që zgjaten në kënde agresive në një sfond të tejdukshëm të pikturuar në mënyrë abstrakte”.
Korbin Uent , kritik teatri
Skenat e krijuara nga artisti shqiptar Andis Gjoni janë një gjetje origjinale dhe shumë e bukur, ai karakterizohet nga një kreativitet i rrallë dhe rezultati në skenë është vërtetë magjik. (“Xhaxha Vanja” 2006)
Ketrina Kent producente amerikane
Andis Gjoni ka krijuar një skenografi spektakolare. Ai ka krijuar edhe skenën shumë të bukur të operas «Shërbëtorja zonjë». Skenat e krijuara prej tij janë shumë të bukura dhe e përçojnë aq mirë situatën dhe dramaticitetin e muzikës dhe të zërave.(“Hansel & Gretel” 2010)
Ane Marie Mulhauser, Anëtare e Bordit drejtues të Operas Shtetërore të Nju Xhersit.
Opera “Porgi dhe Bes” me skena dhe regji të Andis Gjonit është një nga produksionet më të mira të krijuara në TKOB. (“Porgi & Bess” 2009)
Zhani Ciko artist-muzikolog
Të punosh me Andis Gjonin është një kënaqësi e jashtëzakonshme. Asnjëherë më parë nuk kam parë nga një skenograf një entuziazëm, energji dhe përkushtim të tillë. Me një kujdes edhe për detajet më të vogla ai kurrë nuk bën kompromise që do ishin në dëm të integritetit artistik. Kam mësuar shumë nga puna me të, idetë e tij skenografike ndihmuan shumë në formimin e konceptit dhe vënies në skenë të kësaj shfaqjeje. (“Mina” 2008)
Cyndy Marion regjisore amerikane
“Jam krenare për këtë bashkëpunim me Andis Gjonin dhe artistët e tjerë shqiptarë në suksesin e një shfaqjeje të denjë për skenat e Brodueit”
Nancy Rhodes – regjisore amerikane (gazeta Shqip – 13 Nëntor 2007)
E gjithë skenografia e artistit Andis Gjoni ishte në funksion të lojës aktoriale dhe jo vetëm i ndihmonte por edhe evidentonte në maksimum mizanskenat dhe momentet e kësaj drame filozofike. Gjithçka ishte punuar me një profesionalizëm të thellë deri edhe detajet më të vogla skenike. (“Mina” 2007)
Astrit Tota – skenograf (Gazeta Panorama 15 Nentor 2007)
E gjithë skenografia e artistit Andis Gjoni ishte në funksion të lojës aktoriale dhe jo vetëm i ndihmonte por edhe evidentonte në maksimum mizanskenat dhe momentet e kësaj drame filozofike. Gjithçka ishte punuar me një profesionalizëm të thellë deri edhe detajet më të vogla skenike. (“Mina” 2007)