(Saga e Melyshajve)/
Nga Albana M Lifschin/
Fragmente- Toger “Baba”/
Gjyshi tregonte:Toger Babën, që Mehmet Shehu e solli në Mirditë për me nënshtru mirditorët, ka qenë faqja e zezë e partisë komuniste. Ai ia vuri emnin vetes “Babë”, a thu se Mirdita kishte nevojë për “baba”. Emnin që i kish vu e ama e kishte Hodo Habibi dhe ishte prej Kurveleshi. Ishte një njeri mizor, imoral, pa nder e pa princip. Erdhi me kartabiankë në Mirditë me shtru në hu djemtë e burrat e me ҁnderu femnat.
Kishte me vete 200 partizanë dhe dorën të lirë me pushkatu kë të donte ai, pa gjyq fare. Në atë kohë, viti 46, në malet e Mirditës ishin rreth 500 burra të shpërndamë në ҁeta të vogla. I kishin lanë shtëpitë e tyre pasi nuk e donin regjimin e Enver Hoxhës. Ishin në hall se, për t’u hedhun përtej kufinit në Jugosllavi, kishin frikë se Titoja mund t’i dorëzonte te qeveria e Tiranës.
Toger Baba kishte për qëllim gjetjen dhe arrestimin e tyre. E filloi misionin e tij me terror në popull, pa dallim. E nisi fillimisht në Fan. Dha urdhën që katundarët të mos i mbyllshin shtëpitë, as ditën e as natën, se ishin për kontroll. Burrat i mblodhi dhe dha urdhën t’i shtronin në hu, pasi t’i zhvishnin. Të zhburrnum e të lidhun dorë për dorë i shtynin pranë një zjarrmi të madh të ndezun, ndërsa i rrihnin.
E sa për gratë…mjerë ajo grua që ia vinte syrin toger Baba, se nuk dilte nga duart e tij pa u përdhunu. Kur hynte nëpër pyje në ndjekje të të arratisrve, merrte me vete gra (jo burra) që t’i tregonin rrugën. Pasi mbaronin misionin, ato të shkretat ktheheshin në shtëpitë e tyre të turpnueme e pa guxu të thoshin një fjalë.
Populli jetonte në panik. Qeverisë i shkuan raporte për punët e tij të zeza, por ato mbetën nëpër sirtaret e zyrave, deri sa i erdhi fundi kësaj pune. Në tetor 1946, ai mbërriti në Kodrën e Spaҁit dhe arrestoi krejt burrat e katundit, 40 vetë.
Të lidhun dorë për dore, ata i detyruan të ecnin tri orë më kambë, të zhveshun. Në katundin Mushtë të Bjeshkës së Madhje përdori si burg për ta një stallë lopësh, ku balta kishte shku deri në gju. Të nesërmen burrat i vunë përsëri përpara deri në Kimëz. Atje kishte mbledhun burra e gra nga katundet e tjera. Aty i ra në sy gruaja e Preng Gjon Markut. Quhej Dilë. Ai e arrestoi dhe pastaj dha urdhën që ta zhvishnin. Gruaja kundërshtoi me fjalë të forta dhe atëhere togeri urdhnoi të bahej një zjarrm me dëllinja të thata dhe ta hidhnin gruan në zjarrm. Burri i saj, nga që nuk duroi më, shpërtheu lidhjen e duarve dhe u arratis nëpër mal ashtu si ishte i paarmatosur.
Policia dhe partizanët e toger Babës iu vunë nga pas dhe e vranë.
Një kushërinit të tij, që në atë kohë studionte në Moskë, Pal Nikollë Prendit, i shkoi fjala se ҁ’po ndodh në Mirditë. Ai mori dy javë leje, u kthye prej andej dhe e raportoi gjendjen në qeveri. Raporti i Pal Nikoll Prendit i shkoi në dorë ministrit të brendshëm të asaj kohe, Koҁi Xoxes.
Toger Baba e la Mirditën e shkoi në Zadrimë. Mendoi se me Zadrimën do ta kishte ma lehtë, tue mos e ditun se zadrimasit përbaheshin ma së shumti nga mirditorë. Në Hajmel vendosi qendrën e tij. I ra në sy një vajzë e bukur. Ishte e motra e Kol Simonit, Luҁia. Për ta pasë ma të lehtë me e shti në dorë të motrën, Luҁien, arreston të vëllain me pretekstin se ky ka strehu ҁetat e malit. E torturoi djalin me pyetje, por nuk nxori gja prej tij. E vërteta ishte se Kola s’ishte marrë me këtë punë.
Atëhere arrestoi Luҁien dhe i kërkoi të bjerë në shtrat me të. Kur ajo nuk pranoi, atëhere ai iu hodh për ta përdhunu. Vajza rezistoi me gjithë fuqinë e saj duke ia ҁjerrë fytyrën me thonj togerit dhe i shpëtoi nga duart. Iku me vrap dhe u fshe në një shtëpi në katund. Aty priti sa të dilte drita dhe u nis për në Shkodër.
Ndërkohë togeri kishte dhanë urdhën që katundi ta dorëzonte vajzën ose përndryshe do t’ia vriste të vëllain, Kolën. Dhe ashtu bani. Porositi që ta dërgonin djalin në në bregun e Lezhës, e rrugës ta vrisnin nën pretekstin se u kishte ikur nga duart.
Luҁia, me të mbërritun në Shkodër, shkoi drejt e te familja e Tuk Jakovës, me të cilën familja e saj kishin miqësi. Prova se ҁfarë i kishte ndodhur ishte ajo vetë, boll që ta shikoje të shkyme rrobash e të rrahun. Tuku e këshilloi të shkonte në Tiranë dhe i dha vajzës një letër për t’ia dhanë në dorë Koҁi Xoxes. Koҁi, kur e pa vajzën në atë gjendje dhe lexoi letrën, dha urdhën që të shkohej në Hajmel e të vërtetoheshin në vend të tana sa ishin raportu për Hodo Habibin, të ashtuquajtunin “toger Baba”.
Gjykata e Shkodrës kishte marrë informacionet për veprimet e togerit në Mirditë. Toger “Baba” u var në konop.
Më kanë thanë se ma vonë, pasi Enveri e dënoi Koҁi Xoxen, “Babën” e bani hero.
- 108
Arratisja e dajës
– Pas mbarimit të luftës, kisha shumë dëshirë të bëhesha mësues. Pyet nënën tënde, se do t’i kujtohet. I vija në rresht fëmijët e fshatit, thyeja lapsat më dysh e u jepja fletë letre. Mirëpo duhej që qeveria e krahinës të më miratonte si mësues Ndreca. Ndrec Ndue Goka. Ndreca ishte familje bajraktare. Me të kisha fol vetë. Ai ishte dakord, por më tha se duhej të zbrisja në Shën Pal, ku ishin zyrat e të bisedoja me ata.
Prandaj, një ditë u nisa për në qendrën e rrethit, ku besoja se do më jepnin aprovimin. Aty gjeta të parin e vendit, Bardhokun, bashkë me tim vëlla, Palin. U thashë se përse kisha shku deri aty. Dhe prita se ҁfarë do më thoshin.
‘Hajde të bajmë komunist njëherë, pastaj kollaj për mësues”- tha Bardhoku.
Ia ktheva përgjigjen në vend: “Unë, komunist?! Mua komunist mos m’u baftë as qeni!”
Dhe dola nga zyra. Pas më kishte ndjekur një malsor, me porosi të tim vëllai. Ai më dha një pusullë prej tij. Pusulla kishte vetëm dy fjalë: “O në mal, o në burg”. E kuptova se ҁ’desh të thoshte im vëlla me ato dy fjalë. Me atë copë letër më shpëtoi jetën. Nuk u ktheva në shtëpi atë ditë, por dola në mal. U arratisa…
Në mal, më pas, jam taku edhe me babën. Bashkë shkuam në Greqi, në një kamp refugjatësh. Llavrio i thoshin. Asfalia greke deshi ta bante babën agjent e ta kthente prapë në Shqipëri. Por baba s’e ka përzierë atdheun me Partinë Komuniste. Nuk pranoi. Atëhere e lanë edhe atë si gjithë të tjerët të shkonte në Itali, si emigrant.
- 121
-A e di ti, mbesa ime, se sa njerëz u vranë e u masakrun vetëm për Bardhokun? 14 vetë përnjëherë! Pasi i torturuan, 4 i varën në litar dhe dhjetë i hodhën në gropë të përbashkët, pasi i pushkatuan.
E ke dëgju këtë histori? Njeni prej atyne bërtiti prej varrit:
“Qëlloni prapë, burra, se jam hala gjallë!”
300 familje i nisën në internim.
U rrëqetha.
– A e di se kush ishte ai që thirri prej varri? Axha im, vëllai i gjyshit tënd. Ishin të gjithë të pafajshëm, s’kishin të banin fare me vrasjen e komunistit. I morën nga shtëpitë zvarrë, i banë bashkë e i pushkatun pa gjyq, se kryeministri i asaj kohe, Mehmet Shehu, qe betu se nuk kthehej në Tiranë pa mbushur 101-in. Për një person do të vriste 101! Nuk kishte gajle se ata 101 mund të ishin të pafajshëm. Shkatërroi 300 familje nëpër kampe internimi. Ky ishte “pushteti i popullit” i komunistëve.
f.123
Jashtë binte një shi i imët. Isha ulur mbi shtratin e gjyshit dhe kisha hedhur një batanie krahëve. Përqark meje libra. Isha e rrethuar prej tyre si prej qindra ngjarjeve, me dëshirën për t’i përthithur të gjitha njëherësh, Sikur të ishte e mundur!
Në to gjeta episode dhe njerëz që s’i njihja, që s’kisha dëgjuar kurrë për ta. Kisha hyrë në botën e “reaksionit”. Njerëz që kishin luftuar kundër qeverisë komuniste të Tiranës në vitet e para të pasҁlirimit (“të pasluftës”, thuaj, se për t’u ҁ’iruar s’jemi ҁliruar kurrë” më kishte korigjuar daja).
Në libër gjyshi u referohej atyre si “luftëtarë të lirisë” dhe jo “reaksionarë”.
Vazhdova më tej. Lufta. Përҁarja. Vendosja e pushtetit të ri dhe lista të tëra të vrarësh antikomunistë. Të vrarët ishin vendosur të ndarë në kolona sipas bajrakëve. Krahas ҁdo emri ishte data e vrasjes dhe vendi ku kishte rënë dëshmor. Ata ishin dëshmorë, por emrat e tyre s’i kishim mësuar dhe nuk do t’i kishim mësuar kurrë, sikur të mos…
Shkisja dorën nga emri i parë deri tek i fundit, sipas numrit rendor.
Nga bajraku i Oroshit, 40 veta;
nga bajraku i Spaҁit 30 veta;
nga bajraku i Kushmenit 27;
nga bajraku i Fanit 30 veta;
nga bajraku i Dibrrit 55 veta;
nga bajraku i Kthellës (aty ku ishte bajraku i gjyshit) 43 veta;
nga bajraku i Selitës 13 të vrarë në luftën antikomuniste;
nga bajrakët e Malësisë së Lezhës 22 vetë.
Pastaj gjyshi vazhdonte me listat e rretheve të Veriut deri edhe në Kosovë, në një hapësirë prej 21 faqesh. Kolona të tëra të vrarësh, me qindra. Brigada të tëra luftëtarësh antikomunistë, luftëtarë të lirisë. Një faqe e tërë historike, që kishte edhe ajo dëshmorët e saj.
A kishin edhe ata një ditë përkujtimore? Jo. Atyre nuk u ishte rezervuar vend në altarin e të rënëve. Familjet e tyre ishin kalbur internimeve.
- 139
E fejuara
Atë ditë që zbrita nga autobuzi i linjës në Shpal, më doli përpara një polic. Më tha se kishte tri ditë që vinte te stacioni i autobuzit për të më pritur mua, me porosi të Palit. Më kishte njohur nga përshkrimi që i kishte bërë ai.
– Tri ditë?
– Pali më tha që ti je mamia e parë që po vjen në Mirditë. E si mos të presim ty?
Ndjeva sikur papritur dy krahë të ngrohtë më mbështollën të tërën. Në këtë vend malor po më priste dashuria. Polici më shoqëroi deri te zyra e Palit. Aty ishin edhe të tjerë që nuk i njihja. Ai më dha dorën dhe më përafoi. Ishte një përqafim shoqëror, por unë u skuqa. Një moment i tillë përqafimi më kish ngacmuar që në shkollë, në mbrëmjen e lamtumirës. Atë mbrëmje qenë ftuar edhe disa djem dhe vajzat kishin ftuar miqtë e familjes. Midis tyre ishte ai. Ishte i qeshur e me një humor të menҁur. I qetë dhe shoqëror.
Qe një tërheqje e menjëherëshme. Mësova se punonte në Komisionin e Planit të Shtetit. Nuk di kë goditi dashuria të parin, mua apo atë. Unë, që atë natë, pas vallëzimit të parë, kisha një dëshirë të ҁuditshme për të vënë kokën në supin e tij. Ishin vetëm pak sekonda kur kjo ndodhi dhe mu bë sikur doja të rrija ashtu gjithë jetën.
Qetësia e tij më jepte një ndjenjë sigurie. Unë u emërova në Shkodër. Qe një ndarje gjeografike. Mendja ime ishte tek ai. Nuk më shqitej dëshira për ta parë. Këtë ia pohoja vetes me rrahje zemre. Dhe ja si erdhi puna. Ndodhi që dy shoqe të miat i thirrën për t’u emëruar në Mirditë, se aty kishte nevojë më shumë. Por ato s’pranuan për shkak të terrenit të vështirë. Pas tyre, në Komitetin e Partisë të qytetit më thirrën mua. Unë isha anëtare partie dhe s’mund të refuzoja. Ndërkohë Pali kishte kaluar me punë në Mirditë, në Komitetin e Partisë. Ishte rastësi apo një gjë e paracaktuar?
Nuk mund ta fshihnim dot dashurinë tonë. Ajo ҁeli shumë shpejt, si një gonxhe gati në shpërthim. Neve na tradhtonin sytë. Ndjenja e ngrohtë e dashurisë qe e shpallur në sytë tanë, në të gjithë qenien tonë. Pali më shoqëronte kudo. Dashuria e madhe nuk mbulohet, sepse shndrit, ashtu sikurse dielli. Ndihesha si në ajër. Kur Pali luante basketboll në fushën e sportit, unë vrapoja t’ja fshihja djersët. Atë kohë kjo nuk ishte diҁka që mund të ndodhte. Por s’kisha sy për të parë rreth e qark. Unë shikoja vetëm atë.
Një buzëmbrëmje, Pali më tregoi se sa me mall e kishte pritur ardhjen time në Mirditë. Dhe aty më zbuloi sekretin e tij të vogël. Kur kishte dëgjuar se dy mamitë e tjera kishin refuzuar ardhjen në Mirditë, i kishte punuar mendja me shpejtësi. I kishte shkruar Komitetit të Partisë së Shkodrës një letër me sugjerimin për të më dërguar mua.
– Pal, – i thashë një ditë me buzë në gaz,- ti po fejohesh me myslimane. Ke thyer ligjin e maleve.
E dija mirë se sa e rëndë ishte kjo për mirditorin. Ai kishte lindur në një vend që ishte puro katolik dhe kishte ruajtur me fanatizëm fenë e vet ndër shekuj.
– Edhe ti po fejohesh me katolik,- ma priti ai dhe më përqafoi fort. – Nexhi, – më tha, – ne do të ecim drejt me të renë. Të vjetrën do ta lëmë pas..
Pali ishte siguria ime, mbrojtja ime. Në fillim, më kishin rënë në vesh disa fjalë njerëzish që ishin habitur se si kjo vajzë e re nga Shkodra kishte ardhur në Mirditë. Dikush madje kishte thënë se duhej të kisha bërë ndonjë gabim, prandaj më kishin sjellë këtu, për dënim. Askush s’e dinte se aty më kishte sjellë dashuria. Pali i rrëfeu për mua shokut të tij të ngushtë, Bardhokut dhe i tha se do të fejoheshim. Ai e përqafoi duke i rrahur krahët.
Një ditë në qytet erdhi Ministri i Shëndetësisë, doktor Ibrahimi. Me të mbesën kisha qenë shoqe shkolle, por doktorin s’e kisha takuar ndonjëherë. Pali më prezantoi me të. Më ra në sy se ai më përshëndeti ҁuditërisht shumë përzemërsisht, a thua se ishim miq të vjetër. E pyeta:
– Më njihni mua?
– E kush nuk të njeh ty, moj ҁupë! Pali e ka gdhëndur emrin tënd në ҁdo lis të Mirditës!
Unë gati u përlota nga emocioni.
Po. Kishim vrapuar me Palin nëpër lisa, kinse po zinin njëri-tjetrin. Ishim të lumtur! Kur Pali më mbante në krahë e sillej përrreth, unë shikoja se si qielli rrotullohej përmes majave të lisave dhe qeshja, qeshja. E mbaj mend kur ai gdhendi emrin tim në trungun e një lisi. Sa shpejt qe përhapur fjala! Me siguri dikush kishte kaluar andej dhe e kishte parë emrin tim. Isha e vetmja në atë krahinë me emrin tim.
Kishim filluar të ëndërronim për jetën tonë. Duhej, fillimisht, të kishim disa sende të nevojshme për shtëpinë, duke filluar që nga kuzhina. Ҁdo mendim për jetën tonë të përbashkët më jepte kënaqësi dhe e ndaja me të. Një ditë, Pali më mori me vete dhe shkuam te dyqani i Markut në Shpal.
– Mark, më ka dhënë leje nana me u martu,- filloi ai me një sens humori.
Marku pa nga unë.
– Mire, shumë, – tha,- së paku, nanës tande tani nuk do t’i duhet me marrë rrugën ҁdo të shtunë për të sjellë rroba për t’u ndërru ti.
Unë qesha. Pali gjithnjë vishej bukur e pastër. Sigurisht që kjo “detyrë” tani e tutje do më takonte mua.
– Na sugjero Mark, ҁfarë mund të blejmë ndonjë gja për shtëpinë e re në dyqanin tand.
– Së pari na duhen enë për kuzhinë- thashë unë dhe u drejtova kah ishin ekspozuar artikujt e kuzhinës. Ishte pazari i parë që bëmë së bashku me Palin.
Kur e kujtoj tani, them se atë kohë kemi qenë njerëzit më të lumtur në planet. Vendosëm të bënim celebrimin. Shkuam te zyrat, por nëpunësi atë ditë nuk u ndodh atje dhe u kthyem pa e bërë këtë formalitet.
Ishin kohë të vështira. Pali ishte dashuria ime e madhe, por thellë besoj se ai më ka dashur më shumë. Kur e shoh me sytë e sotëm, them që u tregova e dobët. Por ndoshta s’kam të drejtë. E kaluara është vështirë të gjykohet nga e sotmja. E sotmja ka ligjet e saj, e kaluara ka të vetat. Atëhere më mundën presionet e familjes dhe të vëllezërve për t’u shkëputur nga Pali. Familjen e kishte të internuar dhe të gjithë farefisin e kishte kundër pushtetit. Unë vetë isha në Parti. vëllezërit nuk ishin dakord me fejesën time, kurrësesi. Më kërkuan ta lija. Rezistova fillimisht. Dëgjoja zemrën. Por kur Palit iu arratis edhe babai, i humbi buzëqeshja. Shprehte shpesh dyshimin që tek ai nuk kishin më besim. Ndihej shumë i dëshpëruar. Shumë shpejt e thirrën në Komitetin e Partisë dhe i komunikuan përjashtimin nga Partia.
Presioni i familjes mbi mua qe përfundimtar. Isha para alternativës, Vëllezërit dhe të gjithë të afërmit i prenë marrëdhëniet me mua, më braktisën. U dorëzova. Kur, pas pak kohe nga ndarja jonë, dëgjova se Pali u arratis, u ndjeva fajtore. Mos ndoshta kishte ndikuar edhe braktisja ime që e bëri të merrte atë rrugë? Ai s’kishte njeri më të afërm se mua atë kohë. Ne sapo kishim filluar të pleksnim ëndërrat e së ardhmes së bashku.
Shkëputja nga ai nuk më bëri të lumtur. Dashuria e tij qendroi me mua tërë kohën për të më torturuar. Nuk mund të duroja dot kur e quanin “tradhtar. Nuk ma pranonte ndërgjegjia. Kë tradhtoi? Idealin e vet? Bardhokun? Ishte e pamundur. Më kujtohej ajo ditë, kur u vra Bardhoku. Trupin ia sollën në Rrëshen dhe ia vendosën aty ku është shtëpia e kulturës sot. Palin e kishin dëgjuar të betohej mbi trupin e Bardhokut se do të hakmerrej për të, për shokun e idealeve. Si mundej që, pak muaj më pas, Pali të arratisej? Jo, nuk mund të ishte ai Pali. Nuk ishte Pali që kisha njohur e dashuruar unë.
Koha lëshon mbi vite mjegullën e vet e disa gjera fillojnë e na zbehen. Por dyshimi në arratisjen e Palit më mbeti njëlloj si atë ditë që e dëgjoja për herë të parë: ” Ne do të ecim drejt me të renë. Të vjetrën do ta lëmë pas”. Këto fjalë nuk ia harroja kurrë.
Kaluan tetë vjet. Unë u martova dhe linda fëmijë. Askush s’e di se ҁdo t’i sjellë e ardhmja. Se si mund të përmbysen ngjarjet. Ҁ’ lojra bën fati!
Më kujtohet si tani ai ҁast aq i papritur dhe aq tronditës. Ishte një ditë e ftohtë marsi e 1957-ës. Isha ulur në një karrige pranë sobës me foshnjën time në prehër, kur u hap dera dhe në kuzhinë hyri im vëlla. Ai më vuri përpara syve gazetën. Në ballë pashë fotografinë e Palit dhe dekretin e qeverisë që e shpallte “Hero i Popullit”. më shkau fëmija nga duart dhe më ra të fikët.
- 179
Ajo ishte bijë nga dera e Gjomarkajve. Atë e vranë vetëm sepse theu besimin, kanunin, u martua me Baftjarin, Baftjar Ymerin nga Burreli. E vranë se ishin nga fe të nfryshme. Për një mirditor, martesa me një mysliman ishte sakrilegji më i madh që mund të bëhej në atë kohë. Mirditori me pushkë ka mbajtur gjallë këto dy gjera: atdheun dhe besimin e tij. Ndryshe s’kishte për t’u ruajtur katolicizmi i pastër në Mirditë.
..Ajo u vra në një ditë me Bardhok Bibën. Edhe ajo me urdhën të Komitetit të Maleve, firmosur nga kryetari i saj. Qe “shpagimi maleve”. Edhe ajo ishte nga dera e Gjomarkajve, si Bardhoku. Ata e filluan ndëshkimin nga barku i tyre.
- 198
Në Rubik, autobuzi i linjës gjithnjë bën një ndalesë pranë urës, përpara një pllake të madhe përkujtimore për një grevë të rreth 400 punëtorëve të minierës në gushtin 1938, për kushtet e punës, paga më të larta dhe një ditë pushimi në javë. Ajo pllakë për protestën e punëtorëve ishte aty për të kujtuar se ҁ’kishin hequr minatorët para luftës. Mendohej se shërbente si një ballafaqim me punën e kushtet e jetesës së minatorëve pas “pushtetit popullor”.
Sa minatorë kishin vdekur nga silikoza dhjetëvjeҁarët e fundit? Sa i ishin nisur asaj rruge? Pas të 35-ve fillonte kolla. Pata lexuar një skicë të ndjerë për kollën e minatorit. Kolla ishte paralajmërimi i një vdekjeje të ngadaltë. Pluhui i mineralit ka kohë që ka veshur mushkëritë e minatorëve, të cilëve, nga dita në ditë, ua merr frymën deri në grahmën e fundit. I pari, i dyti, i treti, i njëqindti, i dyqindi, i pesëqindti i vdekur nga silikoza. Jetë e këputur në mes. Ata që vdesin janë 40 vjeҁarë, 50 vjeҁarë…
Rubiku! Rubiku! Miniera që nxirrte bakër, kishte tri fabrika pasurimi. Njëra prodhonte ar që nuk e shihte askush. Male me bark të pasur, njerëz me bark bosh.
- 202
Mu bë sikur mbi pllakën përkujtimore të minierës vunë një tjetër, ku thuhej se nga kjo minierë, që prej 1944 e gjer më sot, kanë vdekur…mijëra minatorë nga silikoza, por ata asnjëherë nuk bënë grevë për përmirësimin e kushteve të punës, edhe pse kolliteshin, edhe pse e dinin se po vdisnin gradualisht, edhe pse lekët nuk u dilnin as për supë, ndërsa racionin e tyre të qumështit ua jepnin fëmijëve..
f.203
Gjergji, drejtori i pallatit të kulturës në Rrëshen, më pyeti:
– Ju jeni mbesa e Pal Melyshit. Ai është Hero i Popullit e megjithatë një figurë, sa e respektuar aq dhe misterioze. Pali ishte Hero i Popullit në monizëm dhe mbeti i tillë edhe në demokraci. Me kë ka qenë Pali vërtet? Cili është mendimi juaj?
Një zë i brendëshëm vazhdimisht më kishte folur për dramën e madhe që duhej të kishte vuajtur Pali në shpirtin e tij. Nëse gjyshi kishte ndjerë zhgënjimin e parë të madh kur partizanët ia dogjën kullën, a thua Pali nuk kishte filluar të ndjente atë zhgënjim kur nënën e tij, motrën dhe vëllezërit ia mbanin në internim, pas telave me gjemba, pa pasur asnjë faj? Pas aratisjes së babait dhe pothuaj të gjithë burrave Melyshaj, a nuk kishte rënë tërmet në ndërgjegjen e tij? A mund ta besonin shokët e “idealit” pas kësaj? Drama e tij qe një dramë kreshnikësh. Duhej një fuqi e jashtëzakonshme shpirtërore për të kaluar përmes saj fisnikërisht. Nuk më ështe hequr nga mendja kurrë ai që e kishte planifikuar vetë vdekjen e vet.
- 214
– Mos harro punën e Stalinit- i tha nipi nën zë.
– Ne jetojmë në Tropojë, në veri të Shqipërisë. Kemi jetuar bashkë me tim vëlla. Ai qe më i madhi. Kishim një shtëpi e pak bagëti. Një pasdite, dikush erdhi e na tha se duhet të mblidheshim te Lisi i Kuvendit, se kishin ardhur disa të deleguar dhe bëhej një mbledhje e rëndësishme. Im vëlla tha po, por duhej të mbarështonte bagëtinë e u vonua për në mbledhje. Rrugës duke shkuar atje, isha edhe unë me të, pamë tre vetë që po ktheheshin nga mbledhja. Ishte kryetari i këshillit e dy të tjerë, që nuk i njihja.
– Po ti, more, pse s’erdhe në mbledhje, apo t’u duk vetja më i rëndësishëm se Stalini?
Nuk po kuptoja se ҁfarë po thoshin.
– Jo, bre , por kisha punë me bagëtinë.
– Po, a e di ti pse ishte mbledhja?
– Jo, s’më tha kush.
– Sepse Stalini i madh ka vdekur.
– I shkoftë shpirti në parajsë!- tha im vëlla.
– Ҁfarë parajse, more. Ai ishte ateist!
Vëllai nuk e kuptoi se ҁ’donte të thoshte ajo fjalë, por përderisa ishte gabim herën e parë, atëhere e korigjoi duke i thënë:
– I shkoftë shpirti në xhenet!
Kryetari u egërsua dhe i tha:
– Tash po e sheh xhenetin ti! Guxon të tallesh me Stalinin! Armik i popullit!
Atë mbrëmje, na trokitën në derë dy policë të Degës dhe arrestuan tim vëlla. Të nesërmen, e gjithë familja jonë u përzu nga shtëpia dhe na nisën në internim. Aty kemi ndejtë dhjetë vjet. Kur na kthyen, shtëpinë na e kishin marrë e s’kishim ku të fusnim kokën. Na dhanë një barakë e na thanë: “Punoni, që të hani!”
- 229
Sa herë që zbuloheshin “grupe antiparti”, bëhej kasaphanë në arkivin e filmit. Priteshin sekuenca të tëra ose ndalohej fare filmi për transmetim, vetëm e vetëm se aty ishte një “armik i popullit”, edhe pse ai qe një figurë reale historike, që kishte ekzistuar. Mbaj mend, që një kolegen time e pushuan vetëm se gjatë kontrollit të një filmi para transmetimit, i kishte kaluar sekuenca ku dukej fotografia e Mehmet Shehut në mur.
Mblodhi dhe i dergoi per Diellin- Bardhyl Selimi, nentor 2018