

Të dielën, më 24 mars 2024, shoqata shqiptaro-amerikane “Iliria” e Saint Louis-it, pati të ftuar dr. Ernest Naston. Në takimin e organizuar me këtë rast, morën pjesë e intelektualë, veprimtarë e specialistë të fushve të ndryshme. Takimin e prezantoi kryetari i Shoqatës, Z. Besian Gjika, i cili portretizoi të ftuarin si pedagog, studiues dhe drejtues, duke qenë se Z. Nasto është njëkohësisht nënkryetar i Degës së Federatës “Vatra”, në Çikago. Temën e përgatitur me këtë rast, të pranishmit e ndoqën me shumë interes. Thelbi i saj ishte një përmbledhje konçize e historisë së SHBA-ve, revolucionit, që ka si pikë vlimi rebelimin e 13 kolonive. Ky rebelim solli në fund Deklaratën e Pavarësisë (4 korrik 1776) e cila mishëron filozofinë e motivimit ndaj lirisë, të drejtës dhe të ndjekjes së lumturisë (persuit of happiness). Po aty u përcaktuan dhe konsoliduan të drejtat dhe detyrimet përkatëse të shteteve të sanksionuara në kushtetutë, të cilat kishin kërkuar një kohë të gjatë diskutimi ndërmjet etërve të kombit. Përveç kushtetutës u sqaruan mënyrat e zbatimit të saj për ndarjen e pushteteve e sidomos mënyrat e zgjedhjes për dhomën e përfaqësuesve, senatin, ripërtëritjen ciklike të tij, etj.
Duke qenë se këtë vit zhvillohen zgjedhjet presidenciale, u fol gjerësisht për mënyrën e zgjedhjes, përfaqësimin si dhe organizimet partiake të ndryshme. Pas sqarimit të detajuar të rrugës së zgjedhjeve të organeve e drejtuesve legjislativë u fol edhe për organet ligj-zbatuese, pra të shtetit amerikan si dhe organizimin e përbërjen edhe të organeve në shtetet federale.
Në pjesën e fundit të takimit, Z. Nasto bëri një rezyme të punës së federatës Vatra dhe rëndësisë së bashkëpunimit ndërmjet shoqatave shqiptare në vazhdim. Po ashtu ai iu përgjigj me shumë dëshirë dhe interes pyetjeve të ndryshme që iu bënë nga të pranishmit në aktivitet.
Ky bashkëbisedim i ngrohtë dhe mirëkuptues, vazhdoi edhe gjatë kokteilit të organizuar me këtë rast nga shoqata nën kujdesin e bashkëshortëve Ramadan dhe Arjana Hajdini.