Intervistoi : Leonora Laçi/
Z.Gjon Kadeli i përket mërgatës së hershme shqiptar në SHBA-së dhe nuk është një figurë e panjohur për komunitetin. Puna e tij si spiker dhe përkthyes në Seksionin e Gjuhës Shqipe pranë “Zërit të Amerikës” e ka bërë të njohur, pa lënë me një anë dhe aktivitetin e tij në komunitetin shqiptar. Së fundmi, solli për lexuesin shqiptaro-amerikan librin e tij të parë me kujtime “Kujtimet e nji t’merguemi” botuar nga Shtëpia Botuese Volaj në Shkodër në vitin 2018, ku na paraqiti peripecitë e jetës së tij dhe të familjes së tij.
Kështu që realizuam një intervistë të shkurtër për ta njohur më mirë kontributin e tij në Shtetet e Bashkuara dhe për të na folur për të pathënat rreth jetës së tij.
Pyetje: Përshëndetje z.Kadeli, dua tju falenderoj që pranuat të bënit këtë intervistë. Do e nisim këtë intervistë së pari me librin tuaj, që është pritur mjaft mirë në Shqipëri dhe në komunitetin shqiptar në SHBA. Si lindi ideja për të shkruar kujtimet, çfarë do të thotë për ju t’i ktheheshit të kaluarës?
Përgjigje: Mendimin për të shkrue diçka rreth vuejtjeve të familjes time dhe të tjerëve e kam shqyrtue disa here, e as vetë nuk e dij se pse nuk e shkrova ma parë.
Pyetje: A ka qenë e vështirë të hidhnit në letër pjesë të së shkuarës? A ka gjëra të tjera që do të donit të ndanit me lexuesit?!
Përgjigje: Nuk ka qënë e lehtë me e mbarshtrue landën, e ndoshta po tregoi dobësi, sepse gjatë procesit, shpesh herë m’u përloten sytë; përveç kësaj, për arsye të rrethanave të ndryshme nuk jam marrë me shkrime, e për këtë arsye e cilësojë librin “Libërth”.
Pyetje: Ju keni qenë një emigrant i arratisur nga Shqipëria në vitet 50’, sa në Kosovë, e më pas në Itali e Belgjikë, si ka qenë gjendja e mërgatës shqiptare në ato vite?
Përgjigje: Përsa i perket gjendjes se emigrantëve politikë që ishin në Jugosllavi na jepshin nji ndihmë sa me mbijetue dhe nuk pagushin per vendbanim. Emigrantët janë transferue disa herë në vende të ndryshme. Ne rastin tim, unë jam transferue tri herë nga nji vend në nji tjetër. Ka pase raste, sidomos në fillim që kanë burgosun si individe ose grupe njerëzish kur kanë kalue kufinin e kanë hy në Jugosllavi. Shtoj këtu se disa grupe që hynë në Jugosllavi në fillim, u zhduken nga faqja e dheut e nuk u dihet as vendvarrimi. Grupet që unë dij kanë qënë ai i Bajraktarit të Merturit Mark Tungjit dhe Gjon Destanishes nga Dukagjini. Grupi i Bilal Kolës nga Macukulli i Matit, Grupi i Cen Elezit e i Dan Kaloshit nga Dibra, grupi i Marka Bib Vokrrit e i Ndrec Lufit nga Mirdita.
Pyetje: Çfarë do të thoshte për ju të kapnit ëndrrën amerikane?! Sa mikëpritëse ishte ajo për ju?!
Përgjigje: Përsa i përket andrrës për të shkue në Amerikë, përsa u perkiste emigrantëve, ata pritshin me padurim që të çlirohej Shqipnija nga rregjimi tejet diktatorial komunist e të ktheheshin pranë familjeve në vendlindjen e dashtun , të cilën u detyruen t’a braktishin, Tuej qënë se shpresa për t’u kthye në vendlindje ishte shumë e vogël për t’u kthye në vendlindje emigrantët të cilët ishin nëpër kampe të ikunish në Itali, Greqi e në ndonji vend tjetër, filluen të emigroshin në vende të ndryshme shume larg vendlindjes, si në Amerikë, Kanada, e Australi.
Asht e vërtete se shumë njerëz andrrojnë të emigrojnë në Amerikë sepse ekziston liria e plotë në çdo pikëpamje, përveç kësaj ata që emigrojnë në Amerikë, po të kenë aftësinë mund të emnohen në pozita të nalta në administratë qeveritare. Të vetmën detyrë që nji emigrant nuk mund të marri asht ajo e Presidentit të vendit. Pra president i Amerikës mund të bahet vetëm ai njeri që ka le në Amerikë.
Pyetje: Ju keni punuar pranë “Zërit të Amerikës” për shumë vite, si nisi rrugëtimi juaj aty, kush iu shtyu?! Duke pasë parasysh se Shqipëria në atë kohë ishte nën thundren e komunizmit, a merrnit informacione mbi ngjarjet në Shqipëri?
Përgjigje: Mbasi mbarova studimet bazë universitare, dojshem të filloshem nji punë ma të përshtatshme dhe kshtu bana kërkesën dhe mbasi bana provimet u pranova dhe fillova punën si përkthyes dhe spiker.
Pyetje: Sipas jush, çfarë rolit ka luajtur “Zëri i Amerikës” në përcjelljen e informacionit rreth Shqipërisë tek Amerikanët?
Përgjigje: Zani i Amerikës asht enti zyrtarë i qeverisë që drejton programet radiofonike të qeverisë që transmetohen në rreth 40 gjuhë të ndryshme, tuej përfshi edhe gjuhën shqipe. Programet e Zanit të Amerikës u drejtohen vendeve të ndryshme. Përsa u përket botës, kryesisht vendeve që kanë sisteme diktatoriale, siç kanë qënë vendet komuniste si edhe vendeve të tjera me sisteme diktatoriale. Përsa u përket programeve radiofonike mbrenda Shteteve te Bashkueme ato jepen nga organizata private në zona të ndryshme të vendit. Popujt e vendeve te robnueme nga regjimet komuniste e kanë cilësue Zanin e Amerikës “Zani i Shpresës”.
Pyetje: Ju keni një familje të shendetshme, të integruar në shtetin Amerikan, a ka qenë e vështirë për ju të edukonit femijët me kulturen dhe traditat shqiptare, a flasin shqip ata? Familja juaj është zgjeruar me niper e mbesa, a ju pyesin ata për Shqipërinë?! A mund të na flisni për ta ?!
Përgjigje: Përsa i përket edukimit të fmijëve me kulturë tradicional dhe mesimit të gjuhës shqipe, fatëkeqësisht rrethanat janë pothuejse krejtësisht të papërshtatshme për këto gjana, për këto arsye: Emigrantët për arsye të punës, banojnë larg njeni- tjetrit. Fëmijët si gjatë orëve të shkollës, si edhe gjatë kohës që kalojnë me shokët e tyne flasin anglisht, përveç kësaj, mjetet elektronike, televizori, telefoni etj., e largojnë vemendjën e tyne nga mesimi i gjuhës se prindve të tyne. Megjithkëtë disa prej fëmijëve e kuptojnë dhe e flasin pak shqipen.
Pyetje: Jemi në dijeni përmes mediave që fëmijët tuaj kanë arritur në instancat më të larta në qeverinë amerikane dhe në organizata të ndryshme. Z. Lek Kadeli, aktualisht është Ndihmës Administrator në Zyrën e Kërkimit dhe Zhvillimit të SHBA-ve, detyrë të cilën e mbanë që në vitin 2012. Me eksperiencë të gjerë në udhëheqjen e ndryshimeve dhe përmirësimeve organizative, zhvillimin e politikave, menaxhimin e burimeve, menaxhimin e informacionit dhe teknologjisë. Çfarë do të thotë kjo për ju si prind?!
Përgjigje: Përsa u perket fëmijëve të mi, unë e ndiej vetën shumë të kënaqun sepse të tre i kanë krye studimet universitare, e dy prej tyne edhe nji pjesë pasuniversitare. Përveç kësaj edhe shtatë prej fëmijëve të fëmijëve të mi i kanë krye studimet bazë universitare, e dy prej tyne vazhdojnë ato pas universitare, njeni në muzike e tjetri në mjekësi.
Pyetje: A ruani kontakte me komunitetin shqiptar në zonën ku jetoni, sa janë të organizuar ata? Si janë raportet e juaja me organizatat e ndryshme shqiptare?
Përgjigje: Deri në kohët e fundit në zonën e Uashingtonit ka pasë shumë pak emigrant shqiptar. Kohët e fundit kanë ardh emigrant të rinj me të cilët nuk njifem. Unë tuej qenë se jam i shtyme në moshë kam kontakte vetem me dy tre vete.Me perjashtim te degës së Vatres që asht hap perpara disa vjeteve, nuk ka ndonji organizatë tjetër emigrantësh në zonen e Uashingtonit.
Pyetje: Si ka qenë për ju të vinit në Shqipëri pas shumë vitesh, mund të na e përshkruani ardhjen tuaj dhe emocionet e atyre ditëve?!
Përgjigje: Mundësija për të pa përsëri të afërmit e mij si dhe vendlindjen ka qenë andrra ime, si edhe të gjithë të tjerëve, që u detyruen të braktisshin vendlindjen. Siç e kam vu në dukje në libër, kur erdha për herë të parë në Shqipni me nji grup turistësh, e me nji autobus kaluem nëpër qendër të Tiranës, nuk muejta me u përmbajtë, pa derdh lotë curril (si uji). Ka qene pothuejse krejt e humbun shpresa se Shqipnija do çlirohej, dhe se na emigrantët do të mund të ktheheshim ma, pranë familjeve në vendlindje.
Pyetje: Do të donim një mendim tuajin rreth situatës në Shqipëri, të këtyre 30 viteve të fundit?! A mendoni se është punuar sa duhet për demokracinë?!
Përgjigje: Përsa i përket gjëndjes së tashme në Shqipni, fatëkeqësisht në pikëpamje ekonomike asht mjaft e veshtirë. Me mijra e mijra njerëz kanë emigrue në vende të ndryshme të botës. Për këtë gjendje të randë ekonomike, nuk mund t’u vihet krejt faji, qeverive që e drejtuen vendin mbas shpartallimit të regjimit komunist. Fajin kryesore e ka ish-regjimi, i cili në pikëpamje ekonomike dështoi në mënyrë të turpshme.
Për demokracinë në Shqipni mund të them këto: Populli asht i lirë, burgosje për arsye politike nuk ka ma, e drejta e pronës, e tregtisë së lirë ekziston, e drejta me leviz i lirë ekziston; Pra këto janë gjana që nuk kanë ekzistue gjatë sundimit komunist. Prandej përparime janë ba.
Sa i takon vetë cilësisë së demokracisë; Nuk asht ba sa asht pritun nga populli, po ashtu edhe nga opinioni i jashtëm. Përveç kësaj grindjet e vazhdueshme ndërpartiake dhe cenimet e kushtetutës kanë krijue nji gjendje mjaft të keqe.
Po citoj fjalët e burr-shtetit britanik Uinston Çurçillit lidhun me demokracinë “Demokracia asht diçka që merr shumë kohë me u zhvillue si duhet, vendeve të Europës u ka marrë disa qindra vjet me mbërrijtë në llojin e demokracisë që kanë sot, e cila asht ma e mira që kemi sot, por ka ende nevojë për përmirësim. Shtoj këtu se ata që udhëheqin Shqipninë sot duhet patjetër shumë ma shumë si për përmirsimin e ekonomisë si edhe të demokracisë në Shqipni, se perndryshe rrjedhimet do të jenë shumë të këqija për të ardhmen e Shqipnisë.
Shtoj këtu edhe citimin e fjalëve të ish-presidentit amerikan Gjon Kenedi, i cili në fjalimin që mbajti përpara popullit Amerikan kur u zgjodh president tha “Mos pytni çka mund të bajë Amerika për Ju por çka mund të bani Ju për Amerikën sepse përndryshe gjendja keqsëohet edhe ma tepër”. Me këtë citim dua të them edhe pupulli duhet t’a bajë detyrën e vet tuej respektue rregullat e ligjet e vendit.