Me rastin e Eksodit Shqiptar – 2 Korrik, 1990/
Nga Mimoza Dajçi/
Bora lindi në internim, atë kohë i ati vuante dënimin në burg politik për agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor. Përveç nënës së saj ajo u rrit në duart dashamirëse e të ngrohta të nënave shqiptare që po kalonin pa drejtësisht kalvarin e egër komunist nëpër kasollet me baltë e kashtë. Kur e ëma shkonte për të punuar në fushë, për atë kujdeseshin gratë e gjyshet më të moshuara që jetonin pranë tyre. Bora ishte topolake e me syçka të gjelbërt. Flokë kafe në të kuqerremtë, e me disa quka të vogla në fytyrë. Ishte fëmijë e mbarë. Të gjithë e donin dhe e përkëdhelnin me dashamirësi, nganjëherë nuk kursenin edhe ndonjë dhuratë të vogël për atë.
Kur kthehej nëna e saj nga puna e lodhur e raskapitur deri në palcë, Bora i hidhej në krah gjithë gëzim e ashtu të përqafuara të dyja i zinte gjumi i natës. Kaluan ditë, muaj e vite, Bora u rrit, por të atin nuk e pa, e nuk e njohu kurrë. Ai vdiq nën një tynel në burg në minierë teksa nxirte krom. U shemb dheu e zuri brenda të atin e saj dhe dy ish të dënuar politik të tjerë.
Pranë kasolles së tyre në internim kishte hedhur rrënjë një zambak i bardhë, e sa vinte pranvera çelte ndonjë syth të ri. Bora i donte shumë lulet, shpesh i thoshte të ëmës: “Nënë, besoj këtë pranverë do të dalë babai nga burgu, dhe unë do ti pregatis një tufë me lule nga zambakët e bardhë”…dhe e ujiste lulen e saj çdo ditë, i hiqte barërat e këqia që të mos vyshkej.
***
Shqipëria po përjetonte krizën e thellë politike, sociale dhe ekonomike. Njerëzit “po hanin” politikisht njëri tjetrin, qoftë edhe pjesëtarin e familjes. Desh Zoti populli liridashës e paqedashës më 2 Korrik 1990 shpërtheu ambasadat e huaja e mijëra shqiptarë vërshuan drejt destinacionit të tyre. Situata ishte shumë e rëndë, veçanerisht në Ambasadën Gjermane. Pjesa tjetër e popullsisë, jashtë ambasadave përcillte me ankth të madh çdo ngjarje për fatin e tyre. Dikush kishte vëllanë, motrën, mbesën, shokun, apo të afërmin e familjes.
Ardhja e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB në atë kohë Perez De Cuellar hapi dritën jeshile për ata, dha shpresën e lirisë. Ata ishin të lirë. Të gjithë u gëzuam për nisjen e tyre drejt botës së qytetëruar. Shpëtuan thamë. Çdo gjë e keqe mund ti ndodhte, bisha e kuqe nuk kishte besë. Jo vetëm diktatori Hoxha, por e gjithë qeveria e administrata shqiptare ishte indoktrinuar e kthyer në kanibal, e po vuanin nga skizofrenia Enveriane. Perez De Cuellar i uroj atyre fat e rrugë të mbarë drejt rrugës së lirisë. Dhe ashtu ndodhi vërtetë Trenat e Lirisë u nisën. Ata i dhanë lamtumirën Shqipërisë…
***
Bora sot është studente për drejtësi, kërkon drejtësi për të atin, vitet që kaluan në internim e për të gjithë atë plejadë të artë njerëzish që vuajti edhe për një kafshatë bukë, dituri e liri të ëndërruar. Ajo nuk është hakmarëse, por kërkon drejtësi për të gjithë, një jetë normale për të gjithë shqiptarët. Herë pas here shkon e takon nënën e saj në fshat. I blen ndonjë gjë të re për të veshur. E përqafon ashtu gjithë mall si dikur kur ishte fëmijë, dhe kurrë nuk haron ti sjellë një tufë me lule të freskëta.
Ndërsa të atit kërkon ti vendosë një kurorë me zambakë të bardhë mbi varr, por akoma nuk e di se ku ndodhen eshtrat e tij…
Qershor, 2013
Pellumb Lamaj USA says
Interesat e me te medhenjeve,ngrihen mbi male martiresh
Dhe vjene nje dite,martireve nuk ju lejohet as varr
Per ironi te fatit,ne metropolet e botes se qyteteruar
Vrasesit ngrehin dolli dhe priten si clirimtare…………
Respekt e nderim per te gjithe ATA qe nuk arriten te prekin Lirine………………
Pellumb Lamaj i burgosur politik