Përgatiti: Eneida Jaçaj/
Kleri i huaj katolik, gjatë shekujve XVII-XIX, ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm në jetën fetare-kulturore-sociale të popullit shqiptar. Misioni i klerikëve të huaj, të ardhur në trevat shqiptare, gjatë pushtimit të Perandorisë Osmane, ka qenë deri diku shpëtimtar për popullsinë e këtyre viseve, pasi ka ndikuar në ruajtjen e mësimit të gjuhës shqipe ndër breza, pasurimin e jetës fetare, ekonomike dhe kulturore, në afrimin e vëllezërve shqiptarë, muslimanë apo të krishterë, duke vendosur paqen në vend. Këtë e vërteton dorëshkrimi historik i shekullit të 17-të, për Shqipërinë, që ka për autor Fra Giacinto da Sospello, i zbuluar në Bibliotekën e Bashkisë së qytetit të Fermos në Itali, të quajtur Biblioteca Civica “Romolo Spezioli”. Gjithashtu, edhe Relacioni Sinoptik rreth ngjarjeve të ndodhura në Pashallëkun e Prizrenit, nga data 26 gusht 1866 deri me datën 6 mars 1868, të shkruar nga dëshmitari okular, Arqipeshkvi i Arqipeshkvisë Shkup – Prizren, Dario Buçareli. Për të dyja dokumentet është shkruar në artikujt e mëparshëm, të cilët janë zbuluar dhe janë përgatitur për botim nga studiuesi i zellshëm, Mark Palnikaj. Tashmë dihet se Europa mban në arkivat e saj dokumente shumë të rëndësishme për historinë e Shqipërisë, kulturën, shkollat, gjuhën, traditat, etj, ndërsa institucioneve shqiptare u takon të financojnë projekte për botimin e këtyre materialeve.
Fjalori italisht-shqip
Pas zbulimit të disa dokumenteve me rëndësi për historinë e Shqipërisë, në arkivin e Vatikanit, është zbuluar një tjetër dokument po aq me rëndësi të madhe për gjuhën shqipe, nga studiuesi Mark Palnikaj, i cili e ka bërë gati si material, por institucionet shqiptare duhet të bëjnë të mundur botimin e plotë të tij. Bëhet fjalë për fjalorin italisht-shqip (Vocabolario Italiano – Albanese), të autorit Atë Luka nga Monte Xhove (Luca da Monte Giove), autor i cili ka patur po të njëjtin mision si kolegët e tij klerikë në viset shqiptare, konkretisht në zonën e Pultit. Ky fjalor është shkruar para vitit 1848 dhe në fund ka të shënuar datën 17 korrik 1848, dhe ruhet si dorëshkrim në Bibliotekën “Lorenzo Leoni” të Bashkisë në qytetin Todi të Italisë. Akademia e Shkencave Shqiptare duhet ta shohë me shumë seriozitet këtë fjalor, pasi mund të kryhen studime për ecurinë dhe zhvillimin e gjuhës shqipe ndër vite. “E nevojshme dhe e drejtë do të ishte pajisja e botimit me gjithë aparatin e nevojshëm didaktik, si alfabetet krahasuese të germave dhe të sistemit zanor, analiza gjuhësore, leksikografike dhe transkriptimin me shkronjat që janë sot në përdorim. Është me vend që fjalët origjinale të shkruara në gjuhën shqipe të rivendoseshin paralelisht me tekstin origjinal në gjuhën normative të shqipes së sotme. Kjo kërkon nga ana ime një përkushtim shumë të madh shkencor dhe financiar, të cilin tani e kam të pamundur ta bëj”, thotë profesor Marku. Ky fjalor vjen i treti në radhë pas fjalorit Latinisht-Shqip të Frang Bardhit, me titull “Dictionarium Latino – Epiroticum” të vitit 1635 dhe atij të Fra Françesko Maria da Leçe, me titull “Dittionario Italiano – Albanese” të vitit 1702.
Misioni i Atë Luka-s, në Shqipëri
Sa i takon autorit të fjalorit, Atë Luka nga Monte Xhove punoi një kohë të gjatë në Ipeshkvinë e Pultit në Shqipëri dhe ka mbajtur detyrën Prefekt i Misionit Apostolik në këtë Dioqezë, duke kryer edhe detyrën e famulltarit në Kishën e Shalës dhe në disa kisha të tjera të këtij Misioni. Sipas të dhënave që na sjell nëpërmjet materialit prof.Marku, Atë Luka, në misionin e Pultit ka filluar punën me datë 28 shkurt 1826 si prefekt apostolik dhe e ka mbajtur këtë detyrë deri në vitin 1844, gjithsej 19 vjet. Më pas ka vazhduar punën si mësimdhënës i gjuhës shqipe në katedrën e gjuhës shqipe në Kolegjin e Shën Pjetrit në Montorio në Romë. Më pas, në kuadër të programit mësimor të Kolegjit, ai ka përgatitur fjalorin Italisht-Shqip (Vocabolario Italiano-Albanese). Fjalori iu dha për të bërë vlerësimin, kolegut të tij, Atë Labella. Këtë vlerësim ai e bëri në Kuvendin e Shën Bonaventurës në Romë, i cili simbas dokumentit ka firmosur “P. Labella, Arcivescovo di Acuazarba”, me datë 17 korrik 1848. Ky vlerësim ndodhet në faqen e fundit të këtij fjalori. Atë Luka nga Monte Xhove vdiq në vitin 1862.
Disa të dhëna mbi dokumentin
Në fjalorin e përgatitur për botim janë vendosur shënime, duke treguar edhe burimin e dokumenteve, që po e sjellim në të dyja gjuhët. “ Dok. 1, Shala…Kryesues është Atë Luka nga Monte Giove, bir i Provincës Serafike, dyzet e gjashtë vjeç, si religjioz ka njëzet e gjashtë vite, në Mision pesë vite. Burimi: Fra Antonio nga Boscomare, prefekt i Misionit të Pultit, Plandi më 25 nëntor 1830. (APF, SC Albania 27, f. 430-432). Në versionin italisht: “Doc. Nr. 1, Scialla…Il leader è padre Luca da Monte Giove, figlio della Provincia Serafica, quarantasei anni, ventisei anni da religioso, cinque anni di Missione. Fonte: Fra Antonio da Boscomare, prefetto della Missione Pulti, Plandi il 25 novembre 1830. (APF, SC Albania 27, p. 430-432)”. Në dokumentin numër dy, jepen disa të dhëna për zonën e Pultit dhe shërbimin e At Lukës, si Ipeshkv. “Dok. 2, Mes grykave të maleve alpine, gjendet Pulti, një zonë shumë e vjetër, që është larg në drejtim të Veriut nga Shkodra tridhjetë milje. Numëron nëntë famulli, një shekullare, që është Rezidenca e ipeshkvit dhe tetë famulli rregulltare, të administruara nga Etërit Françeskanë Minorë Reformatë të Shën Françeskut, të cilët kanë në Dioqezë misionin, të formuar nga tetë Hospice, me kishat e ngjitura me ta dhe të drejtuara nga Ati Prefekt, i zgjedhur nga Kongregata e Shenjtë e Propaganda Fide-s, i cili, aktualisht, është Atë Luka nga Monte Xhiove, me një sjellje shumë të mirë dhe me aftësi të mjaftueshme shërbimi. Në versionin italisht thuhet: “Doc. Nr. 2, Tra le gole delle montagne alpine, c'è Pulti, una zona molto antica, che dista trenta miglia da Scutari a nord. Conta nove parroçhie, una laica, che è la sede vescovile, e otto parroçhie regolari, amministrate dai Padri Francescani Riformati Minori di San Francesco, che hanno la missione nella Diocesi, formata da otto ospizi, con le chiese annesse e diretto dal Padre Prefetto, scelto dalla Sacra Congregazione di Propaganda Fide, che, attualmente, è Padre Luca da Monte Giove, di buonissima condotta e di sufficiente capacità di servire”.
Në dokuementin e tretë, dalin në pah përpjekjet e At Lukas për të mësuar gjuhën shqipe, në mënyrë që të shërbejë sa më mirë në misionin e tij. “V. Shala. 1…2…3…Famullitari aktual është Atë Luka nga Monte Xhove, që është edhe kryesues i Hospicit dhe prefekt i Misionit, pesëdhjetë e dy vjeç dhe ka dhjetë vite në Mision. Ka me vete Atë Gjergjin nga Narni, që ka mbërritur kohët e fundit, i cili, me zell, po përpiqet që të mësojë gjuhën shqipe, që të mund ta përdorë atë në shërbimin e shenjtë. Burimi:Shkodër më 27 janar 1836 (APF, SC Albania 28, f. 508-511 v.)”. Sa i takon versionit italisht thuhet: “V. Sala, 1…2…3…L'attuale parroco è don Luca da Monte Giove, che è anche capo dell'ospizio e prefetto della Missione, ha cinquantadue anni ed è in Missione da dieci anni. Ha con sé P. Giorgio da Narni, arrivato da poco, che sta diligentemente cercando di imparare la lingua albanese, per poterla usare nel sacro servizio. Fonte: Scutari il 27 gennaio 1836 (APF, SC Albania 28, p. 508-511 v.) Dott. 3 La chiesa è piçola, ma in buone condizioni. L'ospizio è una mangiatoia fumosa e non sembra l'abitazione di un religioso, ma piuttosto una prigione, coperta di tavole. Sono stupito di come il veneratissimo Padre Luka abbia potuto risiedere qui per tre anni. L'attuale capo è Padre Stefano da Rollo, il quale, suo malgrado, qui risiede, come la S. Congregazione ha visto dalle sue lettere”. Pra, ky dokument meriton gjithë vëmendjen e studiuesve, gjuhëtarëve, institucioneve shqiptare për ta sjellë në dritë të plotë për publikun.