
Kur kënga flet më shumë se fjala, në zemër të Amerikës
Nga Ramazan Çeka/
Në Long Island, New York, atë mbrëmje ishte vetë Shkodra, e mbledhur në një zemër që rrihte me ritmin e këngës, artit dhe dashurisë. Në një skenë ku muzika shqiptare triumfoi me dinjitet e ndjenjë, komuniteti shqiptar i New York-ut pati privilegjin të ndjekë udhën e një zëri që lindi në Shkodrën e bukur, nën hijen e kalasë së Rozafës, në djepin e artit e të kulturës shqiptare. Në qytetin që mësoi të dashurojë përmes këngës dhe që u rrit me kaltërsinë e Bunës e të Liqenit.
Një qytet që jeton sot në çdo zemër që di të dëgjojë. Ky është një zë që vjen nga Shkodra e artit, e humorit, e dritës, nga një qytet ku edhe heshtja këndon. Zëri i një djali që dikur këndonte me sytë plot ëndërr, e që sot na rikthen në vendin ku fillon muzika. Atë natë, ai zë rrëfeu dashuri, kujtime dhe pranvera malli. Një mbrëmje që foli me zemër.
Nderi dhe kënaqësia për ta prezantuar e moderuar këtë koncert recital me zërin e mrekullueshëm të një këngëtari të ri, që solli shpirtin e këngës shkodrane para publikut, i takuan gazetares së njohur dhe moderatores së komunitetit shqiptar të New York-ut, Kozeta Turishta, e cila solli elegancën dhe emocionin e një nate të veçantë. Këngëtari Ilsi Ademi, mes emocioneve të sinqerta, u shpreh i lumtur që recitalin e tij të parë e prezantonte Kozeta. Sepse ajo e di ç’do të thotë “me dashtë me këngë”.
Nga “Gjeniu i Vogël” në zemër të Amerikës
Dikur, një djalë i vogël dilte për herë të parë në skenën e festivalit “Gjeniu i Vogël”. Sot, ai këndon në një recital në zemrën e Amerikës, por emocioni i parë, asht po ai. Ilsi kujtoi: “Kisha frikë, por sapo nisa me këndu, e kuptova se aty ndihesha si në shtëpi. Kënga u ba streha ime.” E ajo strehë e solli deri këtu, para publikut artëdashës të New York-ut. Ilsin e duan për ndjesinë, për zërin, për shpirtin. Sepse në fillim të çdo rruge ka një ndjenjë, një sy që të ndal, një kujtim që s’të le i qetë. Në fillim ka një Shkodër, një dashni, një vajzë me sy të zi.
E atë natë, ajo ndjenjë u rikthye në çdo notë.
Fillimi i magjisë – Kolazhi i parë
Le t’i japim dorën kujtimit, le të kthehemi në ato rrugica ku zani i parë i Ilisit mbante mallin dhe dritën e Shkodrës.
Magjia nisi me një kolazh këngësh që sikur përshkruan vetë rrugëtimin e tij artistik:
“O moj ti me sytë e zi”, “Për mu paska ken kismet”, “E kujtoj atë takim”, “Shkodra ime, të jam falë.”
Një nisje me një përqafim mes këngës, që i hapi rrugë emocioneve të mbrëmjes.
Rrugëtim që s’ka mbarim
Ka njerëz që lindin për të ndjekur një rrugë, e ka të tjerë që lindin për ta bërë rrugën vetë.
Ilsi Ademi është një prej tyre.
Nga bankat e shkollës së artit në Shkodër e deri te skena e madhe e Amerikës, ai ka ndërtuar me zërin e vet një urë që lidh brezat.
Nga “Gjeniu i Vogël” te “X Factor”, nga “Maj Fest” te “Kënga Magjike”, ai ka bartur gjithmonë me vete një shkëndijë, atë të shpirtit që këndon.
Kolazhi i dytë – Kur hareja bëhet këngë
Në buzëqeshjen e Ilisit ka dritë që ngroh; në zërin e tij, një hare që s’të le të rrish ulur.
Moderatorja Kozeta Turishta, mes duartrokitjeve, prezantoi kolazhin e dytë:
“Kaçurrelat”, “Lule t’bukra sjell pranvera” dhe “Shend e verë”, një mozaik ndjenjash ku muzika vallëzoi me gëzimin.
Në këtë mbrëmje të veçantë, këngët u bashkuan me miqësi e dashuri.
Në skenë u ngjit edhe Fiorela Miria, me këngën “Margjelo”, një përshëndetje e ëmbël për kolegun.
Më pas, ajo dhe Ilsi sollën një duet plot ëmbëlsi: “Bulqizake.”
Moderatorja, me elegancën që e karakterizon, shtoi:
“Nata jonë e bukur s’ka për t’u mbyllur pa miq! Sepse çdo koncert i bukur ka nevojë për surpriza.”
Tinguj që nuk harrohen
Një tjetër moment i veçantë erdhi me tingujt magjikë të Klajdi Cërrikut në fizarmonikë, që solli frymën e rinisë që s’ka frikë nga ëndrra.
Kozeta Turishta theksoi se ndoshta është hera e parë që në këtë skenë organizohet një recital me një këngëtar kaq të ri në moshë e karrierë.
Ajo falënderoi ekipin e prapaskenës, realizuesit e skenografisë, fonisë, ndriçimit, libretit dhe regjisë artistike, që i dhanë këtij eventi shpirtin e duhur.
Kolazhi i tretë – Kënga si kujtim
Në çdo interpretim të Ilisit ka një Shkodër që rri e qesh, një dashuri që s’e harrojnë vitet.
Ai që luajti James Belushin, që u shndërrua në priftin e “Katedrales së Parisit”, që këndoi me Classic Boys dhe solli në jetë një shekull muzike, është më shumë se këngëtar: është rrëfim në ecje.
Sepse për Ilsin, çdo festival, çdo mikrofon, është një shtëpi ku hyn zbathë, me shpirtin në duar.
Në kolazhin e tretë u ngjitën perlë pas perle këngët:
“Kënga e dallëndyshes”, “Taksirat që m’ka xan mu”, “Ky marak”, “M’ka shku mendja me u feju”, “Bishtalecat palë e palë.”
Publiku e priti me dashuri e duartrokitje, sepse Ilsi i përcolli perlat e këngës popullore shkodrane me shpirt e respekt.
Pas tij qëndronte një formacion orkestral i përkryer, garanci suksesi.
Kolazhi i katërt – Kur fjala hesht, kënga flet
Ilsi Ademi është vazhduesi i brezit të dytë të këngës qytetare shkodrane.
Në çdo interpretim ka përulësi, një ndjesi të thellë, sikur zëri i tij të përshëndesë çdo kujtim, çdo mall për rrënjët.
Nga Qendra Kulturore “Pjetër Gaci” e “Lulebore”, nga “Ahengu Shkodran” te “Best 10 North”, ai ka kënduar me shpirt e respekt për rrënjët e veta.
Kolazhi i katërt solli një tjetër stinë të shpirtit:
“Sytë e tu”, “Pranverë në Prishtinë” dhe “Fshatarja ime”, këngë që s’këndohen vetëm me zë, por me shpirt; dashuri që s’thuhet me fjalë, por me muzikë.
Një fund që s’ishte fund
Në mbyllje, moderatorja brilante Kozeta Turishta, e emocionuar, ftoi të gjithë artistët në skenë dhe me zë të mbushur me krenari, tha:
Shkodra ka folur sonte!
Me zërin e Ilisit, me dashurinë e publikut, me dritën e atdheut që s’shuhet kurrë!
Faleminderit, Amerikë!
Faleminderit, New York!
Faleminderit, Shkodër!
Publiku u ngrit në këmbë në duartrokitje të gjata.
Sepse kënga nuk është zanat, është frymë, është mënyra më e bukur për të falënderuar jetën.
Atë natë, Ilsi Ademi i dhuroi Shkodrës, New York-ut dhe gjithë spektatorëve një kujtim të ri, një natë që s’do të harrohet.
Sepse për të, Shkodra nuk është vetëm vendlindje.
Është frymë, është udhërrëfim.
E sa herë që këndon, ai e ndien sikur Shkodra i pëshpërit:
“Mos më harro!”
Dhe ai nuk e ka harruar. As nuk do ta harrojë.
Ka njerëz që ikin nga vendlindja për të gjetur botën. Por ka edhe të tjerë që shkojnë nëpër botë për ta sjellë vendlindjen me vete.
Ilsi e ka sjellë Shkodrën me zë.
E atë natë, ajo foli përmes tij.

See insights and ads
Boost post
All reactions:
1616