-Njoftim nga mbledhja e KQZ-së: Periudha për regjistrim të votuesve jashtë Kosovës do të fillojë më 13 janar dhe do të përfundojë më 21 janar, në orën 18:00, sipas kohës në Kosovë/
PRISHTINË, 11 Janar 2021-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë/ *
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbajti mbledhjen e radhës, në kuadër të përgatitjeve për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 14 shkurt 2021.
Në këtë mbledhje, KQZ mori vendim për kufizimin e shpenzimeve të fushatës zgjedhore për subjektet politike të cilat do të çertifikohen për pjesëmarrje në zgjedhje. Sipas KQZ-së, një subjekt politik ka të drejtë të shpenzojë deri në 934 mijë e 831 euro, pra 0.5 euro për votues të regjistruar. Vendimi i KQZ-së mbështetet në të dhënat e listës jopërfundimtare të votuesve, sipas të cilës numri i votuesve në vendin tonë është 1 milion e 869 mijë e 662 votues.
Në vazhdim të mbledhjes, u njoftua se periudha për regjistrim të votuesve jashtë Kosovës do të fillojë më 13 janar dhe do të përfundojë më 21 janar, në orën 18:00, sipas kohës në Kosovë.
Po ashtu, lidhur me këtë proces, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mori vendim për verifikimin e aplikacioneve për regjistrim.
Sipas vendimit të KQZ-së:
I. Prej një e-mail adrese, aplikuesi mund të aplikojë për vete dhe për rrethin e ngushtë familjar, që kanë të njëjtin mbiemër;
II. Në formularët e aplikimit për regjistrim, aplikuesi të shënojë vetëm numrin e tij të telefonit dhe jo të ndonjë familjari;
III. KQZ-ja do të verifikojë procesin e aplikimit për regjistrim, duke i kontaktuar të gjithë aplikuesit përmes telefonit;
IV. Nëse aplikuesi nuk lajmërohet në telefon atëherë aplikacioni i tij do të refuzohet;
QEVERIA KA NDARË MJETE SHTESË PËR ZGJEDHJET E PARAKOHSHME
PRISHTINË, 11 Janar 2021-Gazeta DIELLI/ Qeveria e Republikës së Kosovës me kërkesë të Kryeministrit Avdullah Hoti, në pajtim me Rregulloren e Punës së Qeverisë, ka mbajtur mbledhje korresponduese\elektronike, mbledhjen e 56-të me radhë, në të cilën ka miratuar ndarjen e mjeteve shtesë për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, për organizimin dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme me 14 shkurt 2021.
Qeveria ka aprovuar kërkesën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për alokim të parakohshëm në të gjitha kategoritë e shpenzimeve me qëllim të organizimit dhe mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, si dhe kërkesën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për ndarjen e mjeteve financiare në shumë prej 165 mijë e 850 euro.
Kjo ndarje bëhet sipas kërkesës së datës 08 janar 2021, të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ndërsa mjetet e ndara do të merren nga kategoria buxhetore e Shpenzimeve të Paparashikuara.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve me Ligjin e Buxhetit për vitin 2021, ka të ndara në programin e zgjedhjeve shumën prej 8 milionë e 51 mijë e 575 euro, të cilat mund të përdoren për përmbushjen e këtij obligimi. Në përputhje me këtë vendim, puna jashtë orarit të rregullt për punonjësit e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, kalkulohet dhe paguhet sipas legjislacionit në fuqi, nga ndarjet aktuale buxhetore në kategorinë paga dhe shtesa.
*Foto –Arkiv- gjatë një interviste: Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, me gazetarin Behlul Jashari, tani korrespondent në Kosovë i Gazetës DIELLI