Flet për gazetën”DIELLI” Gledis Gjipali: Zgjedhjet e vitit 2021 në Shqipëri kusht për integrimin, reformat e qeverisë duhet të bindin Holandën dhe Gjermaninë-
Ndezja e dritës jeshile, për fillimin e bisedimeve mes Brukselit dhe Shqipërisë për integrimin, është vetëm një hap i vogël drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Europian. Qeverisë shqiptare i duhet të përmbushë detyra thelbësore, si plotësimi i Gjykatës Kushtetuese dhe SPAK-ut, pjesë integrale të pandashme të paketës për reformën në drejtësi. Janë një sërë reformash të tjera rreth 15 kushte, por Shqipëria të paktën të realizojë disa nga ato që kanë më shumë prioritet për finalizimin e bisedimeve, dhe më pas të tjerat të vijojnë të përmbushen pas procesit të integrimit. Drejtori Ekzekutiv i Lëvizjes Europiane në Shqipëri, Gledis Gjipali, në një intervistë ekskluzive për gazetën “Dielli”, thekson se zgjedhjet parlamentare të 2021 do të jenë vendimtare për ecurinë e zhvillimit të negociatave për integrimin mes Brukselit dhe Shqipërisë. Gjipali i bën thirrje qeverisë që të punojë fort për reformat, në mënyrë që të bindë vendet anëtare të Këshillit të Ministrave të BE, sidomos Holandën dhe Gjermaninë, dy vendet më skeptike, që të japin mbështetjen për Shqipërinë. Gjipali thekson se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë në një pozitë sa i takon përparimit në procesin e integrimit, dhe se nuk mund të ndahen nga njëra-tjetra. Sipas tij, nëse Maqedonia do të integrohej para Shqipërisë, do të sillte destabilitet në rajon dhe humbje të besueshmërisë të Shqipërisë ndaj BE-së.
-Z.Gjipali, ju e keni ndjekur më nga afër ecurinë e procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Brukseli ndezi dritën jeshile për Shqipërinë këtë vit, për hapjen e negociatave, per integrimin në BE. Si e parashikoni në vijimësi zhvillimin e bisedimeve mes Shqipërisë dhe Brukselit për integrimin, dhe sa afër është vendi ynë për t’u anëtarësuar me të drejta të plota në familjen e madhe europiane?
Miratimi i hapjes së negociatave, në mars të këtij viti, ishte një ngjarje shume e rëndësishme për Shqipërinë, pasi është një përkrahje për reformat që vendi po ndërmerr, të cilat kanë një kosto jo të vogël. Raporti i Komisionit Europian i sapo dalë, vlerëson ecurinë e reformave dhe i sugjeron vendeve të Bashkimit Europian që të nisin negociatat. Po të hedhim një vështrim krahasimor në këtë raport, shohim që Shqipëria bashkë me Maqedoninë e Veriut dallon nga vendet e tjera për ecurinë pozitive gjatë këtij viti. Klasa politike e Shqipërisë do duhet ta shfrytëzoje sa më mirë këtë vlerësim dhe të punojë për të fituar kohën e humbur në këtë proces. Me çeljen e negociatave, Shqipëria i bashkohet grupit të vendeve më të avancuara, siç janë Mali i Zi dhe Serbia, që ndonëse e kanë filluar shumë më vone procesin e integrimit, kane arritur të dalin të parët deri më sot. Nëse kalojmë me sukses testin e zgjedhjeve parlamentare të prillit 2021, atëherë besoj se mund të kemi një ecuri pozitive në vitet e ardhshme.
-Këshilli i Ministrave të Bashkimit Europian ka vendimin përfundimtar për anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Duhet theksuar se Holanda dhe Gjermania mbeten të jenë dy vendet më skeptike ndaj vendit tonë, sa i takon përmbushjes së detyrave të shtëpisë nga Shqipëria për procesin e integrimit. Sa do të jetë në gjendje qeveria shqiptare të bindë këto dy shtete, që të hapin përfundimisht dritën “jeshile” për anëtarësimin në BE?
Kërkohet një pune intensive për përmirësimin e imazhit të vendit sidomos në këto vende, por në gjithë Europën gjithashtu. Shqipëria s’mund të ndahet nga Maqedonia, kur dhe vetë Komisioni Europian dy vendet i vlerëson njësoj pozitivisht. Kjo do të shkaktonte tensione në rajon por dhe do të ulte besueshmërinë e Bashkimit Europian veçanërisht në sytë e faktorit shqiptar, i cili është edhe më pro europian në rajon.
-Për Shqipërinë pati një lajm të mirë, por që ende ka shumë punë për përmbushjen e reformave, ndërsa për Kosovën lajmi i keq ishte mos liberalizimi i vizave. Si e vlerësoni qëndrimin e BE-së ndaj Kosovës?
Padrejtësisë së mos liberalizimit të vizave të Kosovës, e cila i ka përmbushur kushtet sipas vetë Komisionit Europian, do t’i shtohej dhe diferencimi i Shqipërisë i pabazuar në kritere të drejta e të barabarta për të gjithë. Gjithsesi, Shqipëria duhet të vazhdojë në rrugën e reformave dhe zbatimit të tyre, sepse në radhë të parë këto reforma janë në të mirën e zhvillimit e ngritjes së shoqërisë sonë, përpara se të jenë kushte për hyrjen në Bashkimin Europian.
-Mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e SHBA-së, në Uashington, u arrit marrëveshja ekonomike mes dy vendeve. Në asnjë nga pikat e marrëveshjes nuk përmendet njohja e Kosovës nga Serbia. Si mund të shkohet në një marrëveshje të tillë kur Serbia nuk e njeh Kosoven si shtet?
E shoh si një marrëveshje fillestare për të krijuar besim, e ndërtuar për interes ekonomik për të dy vendet. Hap pas hapi do të shihet nëse Serbia në radhë të parë, por edhe Kosova, janë të interesuara për të zgjidhur këtë konflikt midis tyre, apo synojnë ta përdorin për politikë të brendshme. Mendoj se do duket shumë shpejt nëse do ketë zbatim të saj, gjë që do hapte rrugë për të arritur dhe kompromise politike në të ardhmen, apo do ngelet në kuadrin e retorikës politike. Në ketë rast, Kosova do duhet më pas të zgjedhë një strategji tjetër në marrëdhëniet me Serbinë.
-Si e shihni ngritjen e Gjykates Speciale të Kosovës në Hagë, e cila do të hetojë ish-ushtarët e UÇK-së për krime lufte, gjyqtaret e së cilës do të jenë ndërkombëtarë? Sa e pavarur pritet të jetë kjo gjykatë në gjykimin e drejtë ndaj ish-ushtarëve të UÇK-së?
Mendoj se gjykatat e ndryshme që janë krijuar mbi krimet e luftës, nuk kanë treguar anësi që të vërë në dyshim vendimmarrjen e tyre. Po ashtu, besoj se transparenca që këto gjykata tregojnë do bëjnë të mundur që të gjithë ne të krijomë një opinion të qartë mbi akuzat dhe vendimet. Fakti që një sërë krimesh të ndodhura mbas luftës nuk janë zbardhur nga drejtësia kosovare, tregon se ka nevojë për një gjykatë ndërkombëtare. Shpresoj që kjo eksperiencë të nxisë më shumë gjithë institucionet e shoqërinë në Kosovë, për të ngritur e forcuar sistemin e tyre të drejtësisë, si në aspektin e profesionalizmit ashtu dhe në atë të pavarësisë.
-Të ndalemi pak te situata në Malin e Zi. Mali i Zi sapo përfundoi zgjedhjet parlamentare, ku Partia Socialdemokrate e presidentit Milo Gjukanoviç humbi. Ishin partitë opozitare serbe që u bënë bashkë duke rrëzuar nga pushteti partinë e Gjukanoviç. Si e shihni situatën politike në Mal të Zi, sidomos në planin e jashtëm?
Situata politike në Malin e Zi, në vitet e fundit, ka pasur zhvillime të rëndësishme sidomos me hyrjen në NATO, e cila ka sjellë tensione e luhatje të vazhdueshme në stabilitetin politik për të cilin është shquar ky vend. E rëndësishme ngelet që, pavarësisht rezultatit të zgjedhjeve, orientimi euroatlantik mos të pësojë ndryshime, dhe këtu një rol të rëndësishëm duhet të vazhdojë të luajë dhe faktori shqiptar. Sido që të dalë rezultati i zgjedhjeve apo krijimi i qeverisë së re, deputetët shqiptarë nuk duhet të vënë në diskutim drejtimin euroatlantik të vendit. Vetëm në këtë mënyrë, ata mund të garantojnë të drejtat e tyre që ende nuk janë arritur mjaftueshëm, si dhe të ndikojnë pozitivisht në ekuilibrin dhe stabilitetin rajonal.
-Si e vlerësoni deklaratën e kryeministri grek Mitsotakis, se Greqia do të zgjerohet me 12 milje në Detin Jon. A keni nje koment?
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese i 2009 është i plotë dhe i qartë se si mund të zgjidhet çështja e detit midis Shqipërisë dhe Greqisë. Në të janë përcaktuar qartë kriteret të mbështetura mbi të drejtën ndërkombëtare, që çdo grup negociator shqiptar do duhet të ndjekë për çdo marrëveshje të ardhshme. Nuk mendoj se ka ndonjë marrëveshje të fshehtë me Greqinë, sepse nuk mund të ketë një të tillë përderisa grupi negociator, që është i vetmi përfaqësues ligjor që mund të zhvillojë këto negociata, nuk është mbledhur dhe as ka diskutuar që prej 2-3 vitesh këtë çështje. Po ashtu, çdo marrëveshje e arritur do duhet të miratohet në Kuvend e të kalojë filtrin e Gjykatës Kushtetuese për të marrë fuqi. Nisur dhe nga eksperienca negative që patëm si vend me marrëveshjen 2009, çdo qeveri që hyn në negociata të tilla do të jetë shumë e kujdesshme për të mos përsëritur gabime të tilla me pasoja për vendin.