
Arben Iliazi/
Nga biseda me të mbijetuarin e gjenocidit grek në Çamëri, 95 vjeçarin Avdul Sulejmani.
Luftrat, masakrat, dëbimi nga vendlindja, nën tytat e armëve dhe grykave të topave të një ushtrie gjakatare- terroristo-pushtuese, kanë mbetur të memorizuara në gjithë qënien e atyre çamëve që janë ende gjallë.
I mbijetuari i gjenocidit, 95 vjeçari Avdul Sulejmani, me banim në Durrës, ku ka punuar mësues i gjuhës dhe letërsisë shqipe për 35 vjet, jeton brenda kujtimeve, me shpresën se një ditë e kaluara e camëve do të ketë të ardhme, do të shndërrohet në shpresë.
Lindur në vitin 1931 në fshatin Varfanj të Gumenicës, xha Avduli i kujton mirë momentet kur mbërriti ushtria greke për të filluar masakrat, pasi i pa me sytë e tij kur ishte gati 14 vjeç.
Ai i ka gjithashtu të freskëta në kujtesë ato që kanë ndodhur në Çamëri. “Para se të hynin pushtuesit italianë në Greqi më 1940, çamët nga mosha 16-75 vjeç meshkuj u internuan në ishujt e Egjeut, pa e njohur pushtuesin. Midis të internuarve ishte edhe babai im. Kur filluan masakrat në qershor të vitit 1944, unë, së bashku me familjen time ishim në fshat. Na thanë erdhi ushtria greke, e komanduar nga Napoleon Zerva, dhe zuri Paramithinë. Dy javë përpara 27 qershorit, Metropoliti i Paramithisë, mori disa krerë të Paramithisë për të biseduar në mal me zervistët për të kthyer normalitetin. Garant për këtë takim u fut vetë Metropoliti, ku pjesëmarrësit morën grancinë se nuk do të pësonin gjë, por të rrinin të qetë.
Zervistët nuk pyetën kur hynë brenda, Rrini, mos ikni, u thanë paramithiotëve, jemi vëllezër, kemi kaluar mirë. Kështu që nuk iku njeri. Hëngrën dhe pinë gjithë natën. Të nesërmen, zervistët mblodhën burrat dhe filluan masakrat, i therën, vranë, bënë masakra që as gjermanët nuk i kanë bërë. Me sa u mor vesh më vonë, Zervistët kishin rënë dakord me komandën gjermane dhe i lejoi komanda gjermane të nisnin masakrat. I pari që vranë ishte Myftiu i Paramithisë”, shprehet Avdul Sulejmani, dëshmia e gjallë e masakrës ndaj Çamërisë.
Avdul Sulejmani vazhdon të tregojë mes lotësh masakrat ndaj shqiptarëve të Çamërisë dhe thotë i mallwngjyer: Sikur qiellin ta bësh letër dhe detin bojë nuk do të mjaftonte për të shkruar mynxyrat që kanë parë çamët nga gjenocidi grek. “Mbi 300 gra i futën në një shtëpi burg… Disa grave shtatzana u çanë barkun dhe u nxirrnin fëmijën. Burrat i çonin në shkollë, aty ishte vendi ku i mblidhnin dhe i torturonin. I vrisnin, i digjnin të gjallë. I bënin copa-copa dhe i varnin në çengela. Pastaj i hidhnin nga dritarja. Vrasjet ishin me armë të ftohta, me thika zakonisht”.
Zervistët hyë në fshatrat tona dhe filluan vrasjet në masë. Ndërsa ushtria e Zervës po afrohej, së bashku me gjyshen, tre vëllezërit dhe motrën, lamë pas vendlindjen tonë, ikëm nga Varfanji në Filat, e më pas në Lops dhe, më në fund, zbritëm në fushën e Konispolit…Kishim vetem ca qilima, që i hodhëm përsipër si strehë.. hapëm gropa septike…krijuam banjo…por shpejt vërshuan semundjet, vdekjet…morrat. Tentuam të shpëtonim nga vdekja e sigurt…Me shumë mundim mbërritëm në Gjirokastër. U nisëm më këmbë nga Gjirokastra në Fier, duke ecur me ditë të tëra… Atje na futën në një kazermë…Pastaj erdhëm në Durrës, ditën që hidhej kryqi në ujë, më 6 janar 1945. U vendosem në Plazh, te vilat e tregtarëve. Por shpejt na hoqën andej dhe na çojnë në Rashbull. Babai merrej me tregti. Shkonim në Kavajë, Shijak. Te Shkëmbi i Kavajës bënim dru…
Ëndërra më e madhe e çdo shqiptari të Çamërisë, në moshën e tij është të shohë edhe njëherë shtëpinë në Çamëri, thotë xha Avduli, gjatë bisedës që patëm. Çamët e moshuar nuk lejohen të kalojnë kufirin grek. Greqia nuk i njeh pasaportat tona. Dhe shteti e qeveria shqiptare heshtin! Pasi tentova disa herë nga kufiri Shqipëri-Greqi dhe nuk u lejova nga autoritetet greke vetëm se në pasaportë shkruhet vendlindja ime Varfanj, unë e realizova ëndërrën time pas 73 vitesh, falë emisionit “Le Iene”, disa vjet më parë, në tetor 2017, duke shkuar në shtëpinë time në Çamëri, nëpërmjet Italisë, me rrugë detare. Në shtëpi ndjeva rrahje zemre shumë…Tani le te vdes rehat…
Të mbijetuarit e gjenocidit nuk janë të përjetshëm. Çdo vit ikin në amshim. Kur ikën në amshim një plak çam është një copëz histori që digjet. I fundit që kam intervistuar në Nju Jork, dy muaj para se të ndërronte jetë, ishte ish kryetari i Shoqatës Çamëria në vitet 1997-2000, Hilmi Saqe, që e kish përjetuar tragjedinë me sytë e një fëmije 8 vjeçar. (Hilmi Saqe: Amerika më ktheu në shtëpinë time në Çamëri – Gazeta Dielli, 12 korrik 2024)
Vështirësia më e madhe në kuptimin e tragjedisë çame rrjedh nga paaftësia jonë për të bindur publikun të besojë të pabesueshmen. Zyrtarët grekë fshihen pas gishtit, duke u justifikuar ende me të ashtuquajturin “bashkëpunim të çamëve me gjermanët”. Krimet ndaj çamëve i tregojnë vetë, me gojën e tyre, historianët, shkrimtarët dhe intelektualët grekë, si Jorgos Margaritis, Jani Sharra, Niko Zhango, Dhimitri Mihallopullo.Të vërtetën për masakrat na e zbulon, dashur padashur, edhe kronisti i Napoleon Zervës, Miridhaqi. Vetë grekët pranojnë 500 partizanë çamë formuan Batalioni IV “Ali Demi” në përbërje të Regjimentit XV të Ushtrisë Nacionalçlirimtare Greke (EAM).
Duke sjellë në vëmendje të opinionin këto dëshmi me vlerë të jashtëzakonshme, ne bindemi dhe besojmë më shumë te arsyeja historike e popullsisë çame dhe pasojat e tmerrshme që sjell racizmi dhe shpërthimet nacionaliste. Krimet janë pjesë e kujtesës kolektive të botës demokratike. Ndërsa kujtesa është baza e personalitetit individual të popujve. Për krimin duhet të vlejnë të njëjtat norma e standarde ndëshkimi për të gjitha vendet ku kanë ndodhur ato.
Asnjë teori e së Drejtës ndërkombëtare, asnjë teori e humanizmit dhe ekzisencës njerëzore, nuk mund të mohojë dot Çamërinë dhe të drejtën e popullit të saj. Asnjë qeveri greke apo shqiptare, asnjë forum i lartë ndërkombëtar, nuk mund t’i shmanget hijes së vet.
Një projekt kriminal i padënuar është më i rrezikshëm se një organizatë terroriste. Të drejtat e çamëve dhe vuajtjet e tyre nuk mund të shtyhen për më vonë. Çamët u dëbuan andej, pasi ishin bashkëkombës të padëshiruar.
Gjenocidi grek ndaj popullsisë çame nuk duhet të harrohet kurrë. Harresa që prek një brez, prek gjithë kombin apo etninë shqiptare, dhe është shumë e dëmshme. Duke kujtuar gjenocidin dhe duke dënuar masakrat greke ne ngremë lart ndjenjën e krenarisë sonë kombëtare, dinjitetin tonë njerëzor, origjinën tonë, e cila, sipas të gjitha dëshmive, na tregon se nuk kemi qenë një popull që thjesht shtriu kokën për t’u flijuar në tehun e kamës zerviste.
Çamëria, pavarësisht gjenocideve të pësuara, pavarësisht nga kryqëzimi kulturor etnik, ka mundur të ruajë identitetin e saj dhe të dalë fitimtare ndaj historisë, pasi ka preferuar gjithmonë faljen dhe jo hakmarrjen, ka ushqyer gjithmonë frymën e barazisë dhe mirëkuptimin me popullin grek. Zgjidhja më e keqe qëndron pikërisht në fshehjen e historisë kur, në mënyrë fatale, ajo mohohet si vlerë, që mund t’i bashkojë popujt dhe jo t’i lerë të ndarë dhe në armiqësi. Historia mund të jetë vetëm një krijim i përbashkët i njerëzve të lirë.