Speciale e Diellit nga Prishtina/
-Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Glauk Konjufca propozohet nga lideri i partisë Albin Kurti për kryetar Kuvendi dhe zgjedhjet edhe me votat e Lidhjes Demokratike të Kosovës, e jo nënkryetarja e saj Vjosa Osmani, e cila në negociatat për bashkëqeverisje LVV-LDK ishte përmendur si kryeparlamentare e ardhëshme. Në seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës erdhën pa marrëveshje dy partitë fituese të zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare të 6 Tetorit 2019 LVV e LDK/
-Nënkryetarë të Kuvendit u zgjodhën: Arbërie Nagavci (LVV), Kujtim Shala (LDK), Memli Krasniqi (PDK) dhe nga pakicat Sllavko Simiq (LS-Lista Serbe) e Fikrim Damka (komunitetet tjera/
-Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë mirëpret konstituimin e Kuvendit të Kosovës dhe uron Kryetarin e Kuvendit Glauk Konjufca, të gjithë Nënkryetarët dhe të gjithë Deputetët/
Gazeta DIELLI nga korrespondenti i akredituar në Kosovë Behlul Jashari – raportim nga Kuvendi i Kosovës
PRISHTINË, 26 Dhjetor 2019/ Një zhvillim i papritur ndodhi sot në seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës me propozimin nga kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti të nënkryetarit të partisë Glauk Konjufca për kryetar të Kuvendit dhe me zgjedhjen e tij edhe me votat e Lidhjes Demokratike të Kosovës, nënkryetarja e së cilës Vjosa Osmani si kandidate për kryeparlamentare ishte përmendur në negociatat për bashkëqeverisje që deri tani rezultuan pa marrëveshje të dy partive fituese të zgjedhjeve të 6 Tetorit 2019, LVV e LDK, të cilat ishin në opozitë.
Sipas Kushtetutës së Kosovës është e drejtë ekskluzive e partisë ose koalicionit të parë në rezultatin e zgjedhjeve të propozojë kryetarin e Kuvendit.
Por, zhvillimi i sotëm i papritur në Kuvend e bënë të vështirë apo edhe të pamundur një marrëveshje bashkëqeverisje mes LVV e LDK e zgjedhjen e Albin Kurtit kryeministër, prandaj mund të shkohet në zgjedhje të tjera të jashtëzakonshme nëse nuk do negociohet edhe më tej e nuk arrihet marrëveshja për bashkëqeverisje, përfshirë ndarjen e posteve.
Një alternativë tjetër është të provohet që kushdo që arrinë t’i tubojë së paku 61 nënshkrime përkrahëse për t’u votuar të nominohet për kryeministër, edhe pse kjo paraqet problem nëse do ishte shkelje e Kushtetutës së Repubilikës së Kosovës, e cila në Nenin 95 nuk është krejt e qartë se si duhet të procedohet nëse i nominuari i parë për kryeministër i partisë fituese të zgjedhjeve nuk arrinë të ketë votat e duhura për t’u zgjedhur.
Në “Neni 95 [Zgjedhja e Qeverisë]” – pika 4 Kushtetuta përcakton se “Nëse përbërja e propozuar e Qeverisë nuk merr shumicën e votave të nevojshme, Presidenti i
Republikës së Kosovës, brenda dhjetë (10) ditësh emëron kandidatin tjetër sipas së njëjtës
Procedurë”.
Neni 95 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës i plotë është ky:
“Neni 95 [Zgjedhja e Qeverisë]
1. Pas zgjedhjeve, Presidenti i Republikës së Kosovës i propozon Kuvendit kandidatin për
Kryeministër, në konsultim me partinë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën e
nevojshme në Kuvend për të formuar Qeverinë.
2. Kandidati për Kryeministër, jo më vonë se pesëmbëdhjetë (15) ditë pas emërimit, paraqet
përbërjen e Qeverisë para Kuvendit të Kosovës dhe kërkon miratimin nga ana e Kuvendit.
3. Qeveria konsiderohet e zgjedhur nëse merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve të
Kuvendit të Kosovës.
4. Nëse përbërja e propozuar e Qeverisë nuk merr shumicën e votave të nevojshme, Presidenti i
Republikës së Kosovës, brenda dhjetë (10) ditësh emëron kandidatin tjetër sipas së njëjtës
procedurë. Nëse as herën e dytë nuk zgjidhet Qeveria, atëherë Presidenti i Kosovës i shpall
zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se dyzet (40) ditë nga dita e shpalljes së tyre.
5. Nëse Kryeministri jep dorëheqjen ose për arsye të tjera, posti i tij/saj mbetet i lirë, Qeveria
bie, dhe Presidenti i Republikës së Kosovës, në konsultim me partitë politike ose koalicionin
që ka fituar shumicën në Kuvend, mandaton kandidatin e ri, për të formuar Qeverinë.
6. Anëtarët e Qeverisë pas zgjedhjes, japin betimin para Kuvendit. Teksti i betimit rregullohet
me ligj.”
Në seancën e sotme konstituive, me 75 vota për, kryetar i ri i Kuvendit të Kosovës u zgjodh deputeti nga radhët e Vetëvendosjes, Glauk Konjufca. Nënkryetarë të Kuvendit u zgjodhën: Arbërie Nagavci (Vetëvendosje), Kujtim Shala (LDK), Memli Krasniqi (PDK) dhe nga pakicat Sllavko Simiq (LS-Lista Serbe) dhe Fikrim Damka (komunitetet tjera)
Zgjedhja e kryetarit dhe e nënkryetarëve të Kuvendit ka shënuar sot edhe konstituimin e Legjislaturës VII të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të dalë nga zgjedhjet e 6 Tetorit.
Zgjedhjes së kryetarit dhe Kryesisë së re i parapriu verifikimi i kuorumit dhe mandateve të deputetëve, nga komisioni i përkohshëm i themeluar nga Kuvendi, si dhe më pas betimi i deputetëve.
Nga Kuvendi i Kosovës 120 anëtarësh 111 deputetët e pranishëm dhanë betimin në seancën e kryesuar nga deputeti më i vjetër Jahja Kokaj dhe deputetja më e re e kësaj legjislature, Fjolla Ujkani.
Në vazhdim, konform rendit të ditës, u procedua me zgjedhjen e kryetarit dhe të nënkryetarëve.
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për kryetar të Kuvendit propozoi deputetin Glauk Konjufca, për të cilin 75 deputetë votuan për, 27 ishin kundër dhe 6 të tjerë abstenuan.
Pas këtij votimi kryesuesi konstatoi se kryetar i Kuvendit zgjidhet Glauk Konjufca.
Seanca vazhdoi me zgjedhjen e nënkryetarëve nga partitë shqiptare. Në pako për nënkryetarë të Kuvendit u votuan Arbërie Nagavci nga Vetëvendosje, Kujtim Shala nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Memli Krasniqi nga Partia Demokratike e Kosovës. Në votim morën pjesë 111 deputetë, prej të cilëve 104 votuan për, 1 ishte kundër dhe 3 abstenuan.
Lista Serbe propozoi deputetin Sllavko Simiq, ndërsa deputeti Fikrim Damka u propozua nga komunitetet e tjera pakicë.
Të propozuarit morën besimin e 92 deputetëve, ndërsa 2 të tjerë votuan kundër dhe 2 abstenuan.
Pas zgjedhjes kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca mbajti një fjalë rasti, gjatë të cilës falënderoi të gjithë ata që mundësuan themelimin e Legjislaturës VII të Kuvendit të Republikës së Kosovës.
“Ne qysh në fillim duam t’ju falënderojmë që e themeluat Legjislaturën VII. Ju falënderojmë që na besuat këtë detyrë të rëndësishme dhe me shumë përgjegjësi. Ne ju garantojmë që si Kryesi e Kuvendit të Republikës së Kosovës do t’i kryejmë detyrat tona ashtu siç kërkohet, me shumë nder, sipas ligjeve të Republikës së Kosovës dhe sipas Kushtetutës sonë që është në fuqi. I falënderojmë ambasadorët e pranishëm në këtë seancë themeluese të Kuvendit dhe të gjithë mysafirët të cilët na kanë nderuar me praninë e tyre”, theksoi ndër të tjera kryetari i ri i Kuvendit.
Kryetari Konjufca falënderoi gjithashtu edhe qytetarët për besimin, përderisa njoftoi për mbylljen e punimeve të seancës konstituive të legjislaturës së re dhe paralajmëroi se në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit do të merret vendimi kur do mbahet seanca vijuese.
DEKLARATË NGA AMBASADA E SHBA-ve NË PRISHTINË
Ambasada e Shteteve të Bashkuara mirëpret konstituimin e Kuvendit të Kosovës dhe uron Kryetarin e Kuvendit Glauk Konjufca, të gjithë Nënkryetarët dhe të gjithë Deputetët. I nxisim udhëheqësit politik ta formojnë qeverinë e re e cila sa më parë do ti përmbushë mandatin e votuesve. Ne mezi presim që të bashkëpunojmë me qeverinë e re në çështjet urgjente që kanë të bëjnë me paqen, drejtësinë dhe mirëqenien.