Piktori i mirënjohur Arben Morina rrëfen gjyshin e tij Zihni Abas Kanina Hamzaraj, firmëtarin e Pavarësisë së Shqipërisë, në një rrëfim ekskluziv me gazetarin Sokol Paja, për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York.
JETA E PATRIOTIT TË SHQUAR ZIHNI ABAS KANINA
Zihni Abas Kanina Hamzaraj lindi në 30 Dhjetor 1885 në Kaninë të Vlorës në një familje të pasur fisnike, e njohur për traditat e saj patriotike në shërbim të kombit. Mësimet e para i mori në Mejtepin e Kaninës, ndërsa studimet e mesme e të larta i kreu në Galatasaray të Stambollit, Turqi. Në vitet shkollore u lidh me rrethet patriotike, ku bashkëpunoi me Ismail Qemalin, Dervish Himën, Mulla Xhaferr Drashovicën, Ekrem Vlorën dhe atdhetarë të tjerë. Me përfundimin e studimeve nga viti 1906, u emërua Konsull në Konsullatatat Turke të Greqisë, Maltës, Bejrutit (Liban) dhe Tbilisit (Gjeorgji). Zotëronte në nivel të lartë gjuhët e huaja frengjisht, italisht, greqisht, turqisht, arabisht, persisht. Që në moshë të re u mor me përkthime të autorëve të shquar francezë, persianë e grekë. Në kujtesën e tij mbeti i gjallë Naim Frashëri, të cilin e vizitonte shpesh në shtëpinë e tij në Stamboll, ku i çonte edhe studentë dhe patriotë shqiptarë. I ati i Zihni Hamzaraj, Abas Nuri Hamzaraj, me nismën e tij dhe së bashku me disa atdhetarë të tjerë, në 14 Janar 1902 krijoi “Shoqatën e Gjuhës Shqipe” në Kaninë, kryetar i së cilës u zgjodh Abas Nuri Hamzaraj dhe po atë vit, vëllai i Zihniut, Isuf Abas Hamzaraj, bashkë me patriotë të tjerë, hapi shkollën e parë shqipe në Kaninë, e cila më vonë mori emrin e tij Isuf Abazi. Në vitet 1908 – 1909 kishte korrespondencë me atdhetarë të kolonive shqiptare të Egjiptit, Selanikut, Bukureshtit dhe Stambollit, nga të cilët merrte libra dhe gazeta në shqip dhe i shpërndante në trevën e Vlorës. Pushtuesit Osmanë i gjetën në shtëpinë e tij në Kaninë libra dhe gazeta në gjuhën shqipe dhe për këtë shkak e burgosën dhe e internuan në Çanakkale.
KONTRIBUTI ATDHETAR NË VENDLINDJE
Në pranverë të vitit 1911 u kthye në vendlindje, ku mori pjesë aktive në lëvizjen kombëtare. Në Korrik 1911 mori pjesë në Kuvendin e Drashovicës në mbështetje të Memorandumit të Gerçes. Në Nëntor 1912, së bashku me atdhetarët vlonjatë, ishte në Komisionin Organizator të Pavarësisë së Shqipërisë. Në Kuvendin e Vlorës mori pjesë si delegat i Vlorës dhe nënshkroi dokumentin e pavarësisë me firmën “Zihni Abbas Kanina”. Në 13 Janar 1913, në shtëpinë e madhe të Hamzarajve në lagjen “Madhaj” në Kaninë, pas shpalljes së pavarësisë u përcaktua platforma e Qeverisë së Vlorës për mbrojtjen dhe milicinë shqiptare nga ushtaraku Mehmet Pashë Drralla dhe u krijua Garda dhe Milicia Qeveritare prej 200 – 300 vetash ku u përzgjodhën djem nga Kanina, Vlora dhe trevat e tjera shqiptare.
POSTI KYÇ NË QEVERINË E VLORËS
Në Qeverinë e Vlorës u ngarkua me detyrën e Sekretarit të Ministrisë së Punëve të Jashtme, ku bashkëpunoi me Ismail Qemalin, Luigj Gurakuqin dhe Abdi Toptanin, dhe mbulonte postin e Sekretarit të Përgjithshëm të Postave. Sipas gazetës “Përlindja e Shqipnisë”, në Dhjetor 1913 Zihni Kanina (Hamzaraj) u emërua Sekretar për gjuhën frënge në Drejtorinë e Punëve të Brendshme. Në Qeverinë e Princ Wied-it u emërua Sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Këshillin Ministror. Në vitet 1918, 1919, emri i tij shënohet krahas adhetarëve të tjerë vlonjatë në protestat dhe memorandumet dërguar Fuqive të Mëdha kundër synimeve shoviniste të Shteteve fqinje ndaj vendit tonë.
AKTIVITETI SHTETËROR NË TIRANË
Në vitin 1925 u emërua Sekretar në Ministrinë e Punëve të Jashtme në Tiranë. Ishte njëri nga themeluesit e Shkollës Tregtare në Vlorë, ku në vitet 1927 – 1928 dha mësim dhe në 1928 – 1929 mbajti postin e Drejtorit të shkollës. Në vitet 1930 – 1940 zhvilloi një veprimtari të gjerë patriotike dhe kulturore së bashku me atdhetarët Qazim Kokoshi, Aristidh Ruci, Ali Asllani, Murat Tërbaçi, Beqir Sulo dhe Dhimitër Konomi. Në vitin 1931 u emërua nga Kryetarja e Arteve të Bukura të Shqipërisë, Princesha Ruhie Zogu, Kryetar i Shoqatës Krahinore Artistike në Vlorë. Në fillim të viteve 1940 u caktua Drejtor i Bankës Shqiptare në Romë. Në vitin 1951 u burgos nga regjimi në fuqi për motive politike. Vdiq në 26 Maj 1959 në Tiranë.