KONGRESI I DYTE I MANASTIRIT, KOGRES I REALIZIMEVE TË VENDIMEVE TË KONGRESIT TE PARË PËR JETËSIMIN E GJUHES DHE SHKOLLËS SHQIPE/
Nga AVZI MUSTAFA/
Pas Kongresit të parë të Manastirit më 1908 shkrimi dhe sholla shqipe mori hov të madh. Ideologët e Rilindjes Kombëtare e kishin kuptuar se problemi i arsimit kombëtar ishte i lidhur shumë ngushtë me bashkimin dhe forcimin e shqiptareve pa dallim feje e krahine. Kongresi i parë i Manastirit, pas Lidhjes së Prizrenit, ishte ngjarja më e madhe e popullit shqiptar, që u hapi rrugën jo vetëm të kërkesave legjitime të shqiptarëve, por që edhe ato kërkesa të realizohen në mënyrë legale dhe të jenë të lejuara nga qeveria e Sulltanit përmes rrugës parlamentare.
Xhonturqit, “gjoja” të interesuar për ca liri politike të shqiptarëve dhe të maskuar nën maskën e parlamentare, kërkonin që gjithçka që ka të bëjë me kërkesat e shqiptarëve të drejtohen nga një qendër që do ta kishte selinë në Stambolli. Mirëpo, patriotët shqiptarë, të deleguar nga gjitha klubet e shoqëritë, njëzëri vendosën që të gjitha atributet, e sidomos ato të përhapjes së shkrim-leximit, t’i jepeshin klubit “Bashkimi” të Manastirit, e jo Komitetit “Bashkim e Përparim” dhe qeverisë osmane.
Detyrën që e mori klubi qendror i “Bashkimit” në Manastir menjëherë filloi ta realizojë, duke e zbatuar alfabetin e aprovuar, duke hapur shkolla në gjuhën amtare dhe duke e futur gjuhën shqipe edhe në shkollat e huaja, si dhe botimin e librave me alfabetin latin. Klubi punonte në bazë të kanonizmës, në të cilën thuhej: “Të punojë i bashkuar për mirësinë e kombit shqiptar, për të mbrothësuar në dituri dhe në mjeshtëri. Kur nuk do të përzjehetë në politikë..” (Siri Shaplo: 1975:23). Kështu në fund të vitit 1908 e deri në vjeshtë të vitit 1909 u hapën 15 shkolla të reja, si në Pogradec, Kumanovë, Shkup, Krujë, Kolonjë. Përmet, Dibër, Rekë të Epërme, Strugë, Patishkë të Shkupit, Starovë, Peqin, Gjakovë, Vushtrri, Prizren, Filat, Konispol e gjetiu. Jo vetëm në tokën arbërore, por shkolla në gjuhën amtare u hapën edhe jashtë atdheut në: Rumani, Bullgari, Stamboll (Historia e arsimit dhe mendimit pedagogjik, vëll. I, 2003:189).
Pas prillit të 1909 pushteti xhonturk e zbuloi fytyrën e tij – doli haptazi dhe me të ngut kërkojnë filloi të kërkojë të zbatohen dekretet perandorake të të ashtuquajturit Hatti-Humaiun, që mbi atë ta organizojnë rrjetin shkollor shtetëror në gjithë territorin e Perandorisë Osmane, me qëllim të mos lejojnë të hapen shkolla në gjuhën amtare, por të japë leje që gjuha shqipe të mësohet vetëm si lëndë mësimore në shkollat turke. Politika arsimore, e planifikuar nga pushteti osman u duk menjëherë qëkur xhonturqit u orvatën të nxisin fanatizmin fetar, duke propaganduar shkrimin turko-arab për gjuhën shqipe. Kjo ndodhi menjëherë pas Kongresit të Dibrës, ku u vendos “gjithkush ishte i lirë të shkruante me shkronja që i pëlqenin”. Kështu jo vetëm që u ndërpre hovi i hapjes së shkollave në gjuhën shqipe, por kjo hapi udhën edhe të hapjeve të shkollave të huaja të shteteve fqinje, të cilat në mendjen dhe shpirtin e tyre ruanin lakmitë territoriale ndaj tokave shqiptare. (Shefik Osmani: 1983:252).
Në lidhej me hapjen e shkollave shqipe xhonturqit thirreshin në nenin e 16-të të Kushtetutës Turke, se gjuhë zyrtare është turqishtja dhe se përdorimi i gjuhës shqipe ndalohej rreptësisht. Këtë e shohim nga deklarata e kryeministrit turk Ibrahim Hakki Pasha, i cili pa drojë pati deklaruar: “Se çështja e alfabetit shqiptar ka karakter politik dhe kombëtar dhe qeveria nuk do të lejojë të ndahet Shqipëria nga shteti Osman“. (Avzi Mustafa: 2012:12)
Pas aprovimit të shkronjave shqipe dhe shkollës në gjuhën amtare, filloi një luftë e egër, që te shqiptarët ngjalli një pakënaqësi të madhe, sepse shkolla në gjuhën amtare ishte një ndër faktorët kryesorë për një luftë gjithëpopullore. Sipas një Enciklopedie Serbo-Kroate-Sllovene, libri II në faqen 650 thuhet: “se lufta e shqiptarëve ishte pikërisht rezultat i asaj që Turqia dëshironte që shqiptarëve t’ua imponojë alfabetin turk dhe, për ta penguar këtë, ajo ngriti shumë kazerma xhandarmerie në vendet me popullatë shqiptare, hapi shkolla turke dhe në fund bëri edhe çarmatimin e tyre”. (Avzi Mustafa, , nëntor-dhjetor 2013:20). Mirëpo, ky acarim i marrëdhënieve ndërmjet shqiptarëve dhe osmanlinjve, të përkrahur nga disa merimanga e satrapë që punonin kundër vetvetes, bëri që shkronjat e shkollën shqipe t’i paraqes si shprehje të një kompromisi ndërmjet shqiptarëve dhe xhonturqve, andaj më 29 korrik 1909 u organizua Kongresi i Dibrës me të vetmin synim që lëvizjen kulturore e arsimore të shqiptarëve ta përçante dhe më pas të hiqej dorë nga lufta për çlirim kombëtar. Ata trumbetonin se përdorimi i shkronjave, siç i quanin ata “shkronjat gjahure”, dhe mësimi në gjuhën shqipe, ishin në kundërshtim me fenë islame e me Kuranin.
Shqiptarët, sidomos patriotët që kishin sakrifikuar gjithçka edhe përkundër pengesave të shumta, si me likuidime e me arrestime, nuk u zmbrapsën, por përkundrazi me dëshirë e vetëmohim morën hapat më vendimtare, që sa më shpejt të përhapet mësimi shqip, të krijohet kuadri për hapjen e shkollave shqipe, për sigurimin e mësuesve me mjete financiare, për pajisjen e nxënësve me tekste shkollore në gjuhën amtare, si dhe për njësimin e gjuhës. Që ta marrin fatin në duart e veta shqiptarët më 1 dhjetor të vitit 1909 organizuan Kongresin e Elbasanit, i cili zgjati 7 ditë dhe pati me 35 delegatë të ardhur nga klubet dhe shoqëritë e qyteteve shqiptare, me të cilin atdhetarët i dhanë edhe një goditje politikës xhonturke.
Manovrat e xhonturqve nuk kishin të ndalur për përçarjen e shqiptarëve. Ata dërguan emisarë për të nxitur klerikët fanatikë, hoxhallarë e myftinj, agjentë të veshur si dervishë, por edhe priftërinj ortodoksë, për mallkim e gjuhës e të shkronjave shqipe, që kështu shqiptarët të heqin dorë. Megjithatë emisarët nuk gjetën përkrahje nga shqiptarët. Në një dokument që gjendet në Arkivin e Maqedonisë (dokumenti mban nr. 74 të 17 frorit (shkurtit) 1910) kuptojmë se “Turqit e rinj janë angazhuar që të organizojnë një protestë kundër shkronjave latine të arnautve. Nga shumë qytete kjo protestë nuk ishte mirëpritur, kurse sukses ka pasur vetëm në Ohër, atje janë mbledhur 3000 frymë”. (Arkivi i Maqedonisë, dokum. I.19.173/207-208).
Në këtë protestë ishin sjellë disa njerëz të shitur dhe një numër ardhacakësh e pushtetarësh nga Anadolli dhe disa priftërinj nga Greqia. Mirëpo, shumë klerik fetarë të trevave shqiptare nuk iu përgjigjën kësaj proteste, sepse e kishin kuptuar djallëzinë e xhonturqve, ndërkohë që edhe lëvizja shqiptare në trevat lindore të Shqipërisë ishte fuqizuar mjaft. Ky i ashtuquajtur miting nuk ishte asgjë tjetër, por vetëm një kundërpërgjigje ndaj mitingut të 14 shkurtit 1910, ku nxënësit bashkë me popullin e Korçës kishin dalë në mbrojtje të abce-së shqipe. (Siri Shaplo, Nga historiku i zhvillimit të arsimit në Shqipëri, 1975:47).
Veprimet e atdhetarëve, si dhe qëndrimi i popullit shqiptar dëshmuan se ata nuk mund t’i thyejnë kurrë, sepse ata vepronin bashkë pa marrë parasysh dallimet krahinore e fetare. Megjithatë shqiptarët e kuptuan se intrigat e manovrimet e xhonturqve, që po bëheshin në dëm të gjuhës e të shkollës shqipe, nuk dhanë ndonjë efekt, por përkundrazi kërkesat dhe përpjekja e tyre ishte jo vetëm që të mësohet shqipja si lëndë mësimore, por – siç thoshte Luigj Gurakuqi – “mësimi të jetë gjithë shqiptar, si në formë ashtu edhe në shpirt.” (Vehbi Hoti, Luigj Gurakuqi:110)
Meqë shqiptarët kur shkelen në besë bashkohen edhe më fuqishëm, kjo ndikoi që urrejtja ndaj të atyre të jetë edhe më e madhe. Kështu ata haptazi, pa dallim feje e krahine, kërkonin që gjuha e fesë nuk mund të jetë gjuhë shqipe. Përkrahja për gjuhën dhe shkollë shqipe dita ditës po gjente përkrahje, jo vetëm nga intelektualët dhe patriotët, por edhe nga masat e gjera. Antidisponimi ndaj Perandorisë dita ditës po shtohej. Xhonturqit, me metodat dhe mënyrat më perfide, nuk mund t’i mashtronin më shqiptarët që të heqin dorë nga kërkesat, prandaj në fund u detyruan të binden edhe fanatikët më të mëdhenj se plani i tyre, si dhe veprimet që i ndërmerrnin, shkonin në dobi të shqiptarëve. Këtë do ta vërejë edhe vetë halifi i Stambollit, i cili do të shprehet “jangllësh olldi” (u bë gabim).
Megjihatë acarimi ndërmjet shqiptarëve dhe xhonturqve kishte arritur kulminacionin sidomos kur ata sillnin vendime dhe merrnin masa të rrepta ndaj patriotëve shqiptarë. Për t’i përballuar të gjitha, sidomos ndaj shkrimit e shkollës shqipe, kërkohej që edhe një herë të shikohet se si të realizohen vendimet e mara në Kongresin e parë të Manastirit dhe në Kongresin e Elbasanit. Prandaj ata e panë të udhës që në Manastir të mblidhen dhe të diskutojnë për problemet se si të realizohet gjuha dhe shkolla shqipe, si dhe vendimet e tjera të aprovuara në kongresin e parë. Aty do të diskutohej edhe për problemin që shqiptarëve nuk u hapej rruga e qytetërimit ose, siç thanë delegatët e Kongresit të dytë: “që dëshirojmë të arrimë në atë rreshtin që kanë gjithë bot’ e qytetëruar” (Gazeta Korça, nr. 2, 25 mars 1910)
Pengimi i rrugës së gjuhës e të shkrimit, si dhe i shkollës shqipe, ishte i natyrave të ndryshme, duke shfrytëzuar klerin mysliman dhe ortodoks konservator, por edhe elementet turkofile. Prandaj Komiteti Qendror i Manastirit i thirri të gjithë delegatët e të gjitha klubeve që të mblidhen në Manastir edhe një herë e të bisedojnë për të sjellë një Kanonizmë, ku do të projektohet më qartë e më mirë rruga dijes dhe bashkimit të të gjithë shqiptarëve. Për këtë qëllim do të organizohet Kongresi i dytë i Manastirit. Në këtë kongres të dytë, të mbajtur ditën e premte, më 20 mars të vitit 1910, erdhën delegatët nga Stambolli, si dhe përfaqësuesit e vilajeteve të Shkodrës, Manastirit, Kosovës, Selanikut, si dhe delegatët e klubeve dhe shoqërive jashtë atdheut, me të vetmin qëllim që të paralajmërojnë se nuk ka kthim nga vendimet që janë marrë në Kongresin e parë të Manastirit dhe ashtu t’u bëhet në dije të gjithë atyre që e pengojnë rrugën e shkrimit dhe të shkollës shqipe se e kanë kot, sepse vetëdija e arsimit kishte lëshuar rrënjë të thella në zemrat e shqiptarëve. Ja si do të shprehet intelektuali dhe patrioti Dervish Hima: “Që sot e tutje nuk do të përmendim aspak fjalën gegë, toskë, labër e të tjera, por vetëm shqiptar, se të gjithë shqiptarë jemi, të gjithë një gjak e një gjuhë kemi, të gjithë një atdhe dhe një qëllim kemi, i cili është: përparimi i kombit shqiptar”. (Kristaq Prifti, 1987:201)
Kongresi i dytë në Manastiri e filloi punën me shumë peripeci, sepse valiu i Manastirit deshi ta ndalojë mbajtjen e këtij tubimi kombëtar. Por në fund u detyrua dhe për këtë ai angazhoi komisarin e xhandarmerisë, që ai të marrë pjesë si i dërguar i tij në këtë Kongres, por më kot, sepse patriotët shqiptarë u shprehen publikisht dhe pa hezitim shumë ashpër ndaj politikës mashtruese të xhonturqve. Diskutimi zgjati tri ditë, gjegjësisht u mbajtën tri mbledhje dhe në fund u mor vendimi që të dalin me një Kanonizëm për të gjitha klubet shqiptare në vend dhe në migracion, ndërsa një promemorie me katër pika t’i dërgohet Sullatanatit dhe një shpallje të dalë në shtyp.
Në vendim u përfshinë 10 pika: 1) të formohet një qendër e përgjithshme dhe selia të jetë në Stamboll; 2) të formohet një këshillë kuvendar dhe një pleqëri ku do të përfshihen njerëzit më të ditur; 3) të gjithë klubet shqiptare në statutet e tyre të shtojnë edhe detyra që kërkohen nga vendi dhe koha; 4) klubet e vilajeteve të varen nga një klub qendror dhe të kenë marrëdhënie me klubet e sanxhakëve dhe kazave; 5) klubit qendror çdo muaj t’i dorëzohet raportet që do të shqyrtohet nga këshilli kuvendar; 6) nga klubi qendror të zgjidhet një këshill vjetor që do të mbikëqyrë punën (hesapet) e të gjitha klubeve dhe të Shoqërisë së Përparimit; 7) qendra e përgjithshme të formojë një këshill akademike prej njerëzve më të ditur për shtypjen librave dhe fjalorëve nga turqishtja në shqip dhe anasjelltas; 8) në Shkup (Ysqup) të hapet një shkollë; 9) të sigurohen të hollat për një gazetë që do të dalë në Shkup; 10) Qeverisë Turke t’i dërgohet promemoria nëpërmjet valiut të manastirit (Arb Gjergj Araniti, bot. në “Mësuesi”, 7 prill 2010)
Gjatë Kongresit të Dytë Manastrit, krahas mbledhjeve publike, patriotët shqiptarë mbanin edhe mbledhje të fshehta, ku merrnin vendime dhe qëndrime për punën e mëtutjeshme për kombin dhe qëndrime kundër Itihatit.
Kongresi i Dytë i Manastirit ishte një Kongres për rishikimin dhe realizimin e vendimeve të marra në Kongresin e Parë të Manastirit si dhe për marrjen e qëndrimeve të mëtutjeshme të mbrojtjes së shkronjave shqipe dhe hapjes së shkollave në gjuhën shqipe, por edhe për mbrojtjen e tokave shqiptare.
Referencat:
- Siri Shaplo, Nga historiku i zhvillimit të arsimit në Shqipëri, 1975.
- Historia e arsimit dhe mendimit pedagogjik, vëll. I ,2003
- Shefik Osmani, Fjalori i pedagogjisë, 1983.
- Avzi Mustafa, Studime dhe artikuj nga vitet në shekuj, Shkup, 2012
- Avzi Mustafa, Përpjekjet osmane kundër përdorimit të alfabetit shqip sipas burimeve diplomatike serbe, “Nacional”, nentor,-dhjetor 2013.
- Arkivi i Maqedonisë, dokum. I.19.173/207-208.
- Gazeta Korça, nr. 2, 25 mars 1910.
- Vehbi Hoti, Luigj Gurakuqi për shkollën shqipe dhe arsimin kombëtar, botim i Universitetit të Shkodrës (monografi)
- Kristaq Prifti, Dervish Hima, Tiranë,1987.
- Arb Gjergj Araniti, Kujtesë për Kongresit e Dytë të Manastirit, Mësuesi, 7 prill 2010.